Lifestyle

September 26, 2016 | 7:59

Psikologjia e veshjes

Çfarë kanë të përbashkët moda, veshja dhe psikologjia? Në dukje pak, në realitet shumë. Ndoshta nuk e kuptojmë, por mënyra se si vishemi, thotë shumë për humorin tonë: veshja bën pjesë, mbi të gjitha, në komunikimin jo verbal. Veshja është një mënyrë komunikimi me botën, me të tjerët dhe me veten.

Nga këndvështrimi psikologjik, mënyra se si dikush është i veshur, përcjell një informacion mbi personalitetin e tij. Që në momentet e para që e shohim dikë, arrijmë ta përshkruajmë se si është, nëse kujdeset për pamjen fizike apo jo. Të prezantohesh në një mbledhje të rëndësishme pune veshur çrregullt, me këmishën me njolla apo flokët e pakrehur, sigurisht që nuk është një gjë e këndshme dhe lë te personat e tjerë përshtypje jo të mirë. Këtë gjë çdo njeri e di, por ka periudha kur është tejet e lehtë të bësh autogol dhe sigurisht që kushdo mund të bëjë edhe një gabim të tillë.

Veshja të identifikon

Një veshje mund t’i japë përgjigje pyetjes: “cili jam?”, “cili dua të jem?”. Paraqitja është një dritare e hapur në botën tonë të brendshme: ndonjëherë pasqyron atë çka jemi, herë të tjera ashtu si duam të jemi, apo se ku kemi mbetur peng. A e keni vënë re ndonjëherë që disa persona, pas një ndryshimi në jetë, punë, pas ndarjes nga i dashuri apo i fejuari, kanë ndryshuar krejtësisht pamjen, gardërobën, mënyrën e të veshurit? Disa thonë se moda është për ata që nuk kanë personalitet. Por, në fakt, moda duhet të jetë në shërbim të personave dhe të krijimtarisë së tyre. Për fat të keq, kush nuk ndihet mirë me veten, nuk do të ndihet mirë me çfarëdolloj rrobe që do të veshë. Dhe s’bëhet fjalë për bukuri, për kilogramë të tepërt apo për barkun. Perceptimi për veten është diçka që e ndërtojmë që sa lindim dhe vazhdojmë ta bëjmë përgjatë gjithë jetës. Siç thotë edhe Kamy, në një moment të caktuar të jetës, çdo njeri ka pamjen që meriton, ose më mirë që ka ndërtuar. Ndonjëherë blerjet kanë një efekt shumë të fuqishëm. Mund të eliminoni mungesën e vetëbesimit, për shkak të kilogramëve të tepërt apo një gjendjeje jo të mirë shpirtërore. Por, siç dihet, ky është një moment kalimtar që ikën shpejt, ndaj është mirë të investoni më parë për veten tuaj e më pas për gardërobën. Le t’i lëmë për pak rastet e veçanta si martesat, ceremonitë elegante apo ditët kur duhet të vishemi sa më thjesht. Sipas psikologëve, zgjedhja e veshjeve, sado të limituara qofshin ato dhe aktiviteti për të cilin përgatitemi për t’u veshur, kushtëzohet shumë nga gjendja shpirtërore. Në një studim të bërë mbi psikologjinë e veshjes 100 femra janë marrë në një pyetësor. Ato janë pyetur se çfarë vishnin kur nuk ndiheshin në formë. Veshja që përdornin më shumë me këtë rast ishin xhinset, praktike dhe të thjeshta, ndërsa zgjedhja për veshjen e preferuar ishte kur ndiheshin mirë psikofizikisht dhe për rrjedhojë e nisnin ditën me besim. Ndaj veshja dhe humori janë të lidhura me njëra-tjetrën. Sa më mirë ndihemi shpirtërisht, aq më shumë kujdesemi për imazhin. Ndihemi mirë në shoqërinë e të tjerëve dhe veshim rroba që rrisin vetëbesimin. Teorikisht ndërtohet edhe një rreth vicioz: një proporcionalitet i drejtpërdrejtë me mirëqenien dhe dëshirën për t’u ndier më mirë akoma, duke veshur rroba që na pëlqejnë.

Si përfundim, nëse ndihemi mirë me veten, është shumë e dukshme edhe nga personat që na rrethojnë. Në rast se ndihemi mirë, duam të shfaqemi më të këndshme dhe të krijojmë marrëdhënie me të tjerët më me lehtësi, veshja ndihmon në krijimin e marrëdhënieve shoqërore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top