Mirëqenie

March 3, 2016 | 8:48

Dëshmi/ Albërie Hadërgjonaj, çelësi i bukurisë që zgjat

Këngëtare, lindur në Deçan të Kosovës.  Nënë e dy vajzave, Agnesës dhe Anxhelinës.

Te uji janë vlerat!

Sa herë shfaqet në publik, ajo sjell ndryshime. Ndoshta një formë prezantimi që për të nuk është thjesht përfaqësuese. Me eksperimentin e fundit, atë të prerjes së flokëve shkurt, ka ditur të përcjellë një Albërie krejt natyrshëm e me stilin më trendi. Por nuk është kjo arsyeja më kryesore. Duke qenë se kujdesin ndaj vetes e ka këshillën parësore, në rregullat zinxhir që ajo ndjek, mirëqenia psikologjike dhe fizike mbeten më të rëndësishmet. Andaj kurrsesi nuk mund të lejonte që një flok i dëmtuar të vijonte të trajtohej kur nuk kishte më sukses. Dashamirëse me veten, gjithëherët, Albëria përpiqet të ruajë të njëjtin regjim personal. Ç’ka do të thotë se armët e saj më të mira janë ushqimi i shëndetshëm, me shumë perime e fruta dhe konsumimi i ujit jo vetëm në funksionin e pirjes por po kaq me vlerë edhe në aspektin e bukurisë. Për këngëtaren nga Kosova, “te uji janë vlerat”. Ajo thotë se ditën e nis me banjën e mëngjesit. “Uji më vë në lëvizje trurin dhe m’i shkarkon energjitë negative të natës. Por që të ndjehem mirë edhe gjatë ditës e konsumoj atë pa ndalim. Ky lloj regjimi më ndihmon, me sa informacion kam marrë, të çliroj yndyrat e trupit, ç’ka mosha mund të m’i vërë në dukje. Një lloj hidratimi i vlefshëm për lëkurën, pa pasur nevojën drastike të trajtimeve estetike. Prej disa vitesh kam ushtruar palestrën dhe notin. Ky i fundit më ka shërbyer në ruajtjen e elasticitetit të lëkurës duke hapur poret e ndihmuar në pastrimin e tyre. Një kënaqësi jo vetëm personale por dhe edukative në aspektin e përgjithshëm të njeriut”.

Energjike, me të njëjtin potencial, Albëria rrëfen se sikundër uji edhe kuzhina bio, pa e tepruar me gatimet me yndyrë, të skuqurat apo mishi i shtazëve, e ndihmojnë atë të bëjë jetë të shëndetshme. Sipas saj, ato ndikojnë në procesin e të menduarit, rrisin tiparin e të qenit aktiv dhe funksional në përditshmëri. “E dua kuzhinën. Perimet, ngjyrat e tyre të cilat ndihmojnë në evidentimin e vlerave krijuese, që do të thotë se kur gatuaj diçka bukur, kam ndihmuar pozitivisht në gjendjen shpirtërore timen dhe të familjes. Jam për ushqimin e shëndetshëm. Për fat në Shqipëri ende ka prodhime natyrale. Jam kundra mishit të kuq i cili i bën njerëzit më agresiv dhe pro peshkut që nxit hormonin e dijes dhe kujtesës. Ndonjëherë vlerësoj edhe ëmbëlsirat të cilat më rrisin adrenalinën kur jam në stres”.

Kujdesin për veten këngëtarja e quan një emocion shpirtëror të domosdoshëm. Një ritual nga i cili nuk do të hiqte dorë kurrë. Kozmetika apo masazhet çlodhëse janë elementë plus në jetën që këngëtarja bën, duke i cilësuar si procese që kanë efekt pozitiv në momentin që provohen. Ato i japin jo vetëm kënaqësi fiziologjike, por dhe një mënyrë të menduari lirshëm.

1

Botuar në revistën Psikologjia, korrik 2012

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top