Marrëdhënie

July 13, 2016 | 6:55

Dëshmi/ Brikena Kasmi: Maturia e Adit rrëzoi strategjinë time

Në dashuri nuk ka ligje, receta jo e jo. Rregullat bien si një kështjellë rëre. Të tjera gjëra ke ndërmend, të tjera tenton të bësh. Nënvetëdija përkundet si në një det me tallaze kur ndjenja hyn në mes. Kjo ‘forcë’ ndryshon rrjedhën e mendimeve dhe zëri i brendshëm të udhëheq dhe vendos atë që zemra e dikton. Para një realiteti të tillë, as ata vetë nuk do ta besonin se do të gjendeshin aq pranë. Fundi i një nëntori të brishtë, si ai i vitit ’97, do të shënonte një tjetër drejtim në jetët e tyre. Studimet e përbashkëta, njohjet e takimet e shpeshta mes shokësh nga i njëjti kurs, forcuan mes tyre bindjen se nuk mund të bënin më pa praninë e njëri-tjetrit. Psikologët i kanë cilësuar si formula matematikore etapat e një lidhjeje dashurie. Zëvendësministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, rrëfen veçantinë e njohjes së saj me bashkëshortin. “Adi kishte pasion teatrin dhe vazhdimisht organizonte daljet me shoqërinë. Një  mbrëmje, për shkak të leksioneve e seminareve që kishim të nesërmen, grupi nuk bëhej i gjithi për në teatër. Nga pasditja, një shoqja ime më thotë që të gjithë do të shkonim si gjithmonë atje. Vendi ynë i takimit ishte “Akullorja” përpara Piramidës. Sapo mbërrij, shoh që më priste vetëm Adi. Dhe kështu, atë natë për herë të parë dhe shumë herë të tjera shkuam bashkë në teatër”. Modelet apo preferencat e saj tashmë kishin marrë tjetër qasje. Ato nuk përputheshin me njeriun që ishte krah saj, por që kornizoheshin nga elementë më të rëndësishëm për një lidhje të qëndrueshme e jetëgjatë. Kështu u zhvillua lidhja e tyre. Pa strategji të tërthortë. “Po të sjell në vëmendje modelin apo preferencat e mia, përkrah meje duhej të kishte qenë një djalë tjetër. Por asnjëherë këto histori nuk ndodhin sipas ëndrrave vajzërore. Dalja e parë ishte e organizuar nga Adi, por duhet të pohoj se ka qenë e rastësishme për mua. Kujdesi i tij për ta organizuar takimin e parë në mënyrë romantike, ishte një nga cilësitë që më la mbresë. Adi ishte djalë i pashëm, inteligjent e gazmor. Prania e tij, shpesh e ndryshonte atmosferën në tavolinat tona. Herë pas here debatonim për zgjidhjet e kazuseve penale apo civile imagjinare, më thoshte ‘zemër merre lehtë, në çdo rast fitorja mundet të jetë e dyanshme’. Batutat ishin ato që pëlqeja tek ai dhe sensin e përkujdesjes për shoqërinë. Menjëherë u dashurova dhe mbeta e dashuruar edhe me qetësinë, maturinë, batutat dhe thellësinë e shikimit të tij. Deri më tani kam qenë një vajzë e privilegjuar që kam pasur mundësi të lidh jetën time me Adin”. Finalizimi i lidhjes së tyre nuk ndodhi menjëherë. Pati zhvillimet e veta njohja mes dy të rinjve, studentë atë kohë për drejtësi. M’u desh t’i hidhja hapat me ngadalë shprehet Brikena, duke vlerësuar dhe qëndrimin e partnerit në respekt të kësaj kërkese. “Fillimisht, pasi ishim ‘të lidhur’, ne njohëm prindërit dhe familjet përkatëse. Pas pothuajse tre vjetësh vendosëm të fejoheshim. Dhe ndërsa qëndronim në ballkonin e shtëpisë sime, unë e pyeta Adin: “Je i bindur që duhet ta bëjmë këtë hap?”, dhe ai duke buzëqeshur si gjithmonë më thotë: ‘Sigurisht, sepse unë jam djalë i mirë dhe i dëgjoj babën e nënën’. Ishte një batutë që donte të tregonte se përgjithësisht fejesa është një rit që kënaq prindërit, por kjo s’kishte lidhje me ne”.

Sipas Brikenës …

Tashmë familja e saj përbëhet nga katër anëtarë. Paralel me profesionin, të qenit bashkëshorte dhe nënë, Brikena rrëfen se përpjekja për t’i bërë mirë të gjitha gjen mbështetje edhe nga partneri apo të afërmit e saj. Nga momenti i lindjes së vajzës Dea dhe djalit Alden, për të ditët kanë rrjedhur shumë shpejt, zhurmshëm, natyrshëm dhe plot gjallëri. Në planet për të jetuar në një shtëpi më vete, znj.Kasmi rrëfen se ishte një vendim që përkoi me një hapësirë të përshtatshme, gjithashtu si stacion takimi për miqtë e përbashkët. “Duhet të them që në rritjen dhe edukimin e fëmijëve kemi pasur ndihmë dhe vazhdoj të kemi nga prindërit. Zakonisht, pavarësisht punës, lodhjes apo detyrimeve e angazhimeve të ndryshme, mësimet dhe kurset jashtëshkollore të fëmijëve i ndjekim të dy. Adi përgjithësisht me fëmijët ndjek kurset e sportit, ndërsa unë të gjuhëve apo të pianos. Tashmë na është bërë zakon që vendimet për fëmijët dhe ecurinë e tyre ta marrim bashkërisht, dhe konsultimi me njëri-tjetrin është bërë një zakon për ne, sa ka raste që në mënyrë të pavetëdijshme konsultohemi dhe për gjëra tërësisht personale. Ajo që mund të them, ndërsa përshkoj këto rreshta, për ne është shumë e rëndësishme që nga mëngjesi deri në mbrëmje të gjitha veprimet tona të jenë në funksion të garantimit të shëndetit tonë dhe të fëmijëve, punës sonë dhe harmonisë në familje. Të gjitha të tjerat janë pjesëza të së përditshmes që e bëjnë më të gjallë e më intriguese jetën tonë”.

Botuar në revistën Psikologji, nr 72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top