Marrëdhënie

October 17, 2017 | 9:56

Dëshmi/ Gert Ferra & Helena Kaçaku: Energjitë diellore që ia fali dashuria!

Nga Orjona TRESA / Foto: Visjan UKCENAJ

Dashuria nuk ka kufi. Për më tepër atë nuk mund ta zhbëjë asgjë. Ajo është e pamatshme, ekstreme, e duke u shtruar në gjurmë ndjesish rrjedh natyrshëm. Dashuria është e pafajshme, rrjedh në vena duke përjetuar çdo çast e çliron të gjitha energjitë e saj. Thënë ndryshe, në dashuri ka veç nur, dritë, optimizëm, fantazi dhe çlirim ndjenjash pasionante për të rigjetur çdo herë rilindjen. Është pikërisht kjo ndjenjë që çiftin tonë, Gertin dhe Helenën, i ka rrëmbyer fort e u ka “pushtuar” zemrat. Nuk mund ta lënë jashtë vëmendjes njëritjetrin as edhe një sekondë të ditës. Dorë për dore së bashku, për t’i jetuar çastet me ritëm e duke mos përfillur as vetë kohën. Të pandashëm e të paharruar në asnjë fragment të jetës së tyre, Gerti dhe Helena ndajnë një dashuri të zjarrtë, shumë emotive. Arti është ai që bëri bashkë aktorin me psikologen. E për më tepër të prejardhur nga një model po aq i shëndoshë familjar, prej nga ku nisi udhëformimi i tyre si dy individë që vazhdojnë të realizohen për të përballuar jetën.

untitledTë duash tjetrin për të dashur veten. Në fakt për ju, dashuria është një gjë që lind vetë, vjen natyrshëm apo kërkon pak impenjim nga secili prej partnerëve?

Gert: Unë besoj më shumë te spontaniteti i emocionit. Ajo që ti nuk e pret, por e ndjen. Tek Helena nuk arrita ta perceptoj se çfarë po kaloja në vete: Helena më do mua apo e dua unë Helenën? Kur e kam parë për herë të parë diçka e çuditshme ndodhi. Nuk e shpjegoja dot, por një energji e jashtëzakonshme, një energji që vuri në punë çdo lloj motori timin të brendshëm, më bëri të befasohesha, të mos ndahesha e të mos e lija për asnjë sekondë Helenën. Nga ora nëntë e mëngjesit kur e kam njohur deri të nesërmen në orën dhjetë të mëngjesit nuk u ndava prej saj. Nuk më bëhej të shkëputesha nga ajo.

Helena: Sigurisht që duhej të ishte njësoj dhe kështu ndodhi edhe tek unë.

Cilët keni qenë në fillim të marrëdhënies e cilët jeni sot?

Gert: Çudia më e madhe ishte se pikërisht atë ditë hipëm në një makinë. Pa e kuptuar, as unë dhe as Helena, (ajo e ulur në vendin e parë), i shtrëngojmë fort duart njëri-tjetrit. Dukej sikur kishim nja dhjetë vjet që ishim miq dhe shokë. Ishte një ndjesi e çuditshme, që erdhi pa planifikim. Vinim të dy nga periudha shumë të errëta. Ndjesia e asaj dite ishte si një periudhë paqeje. Është ajo çfarë e mban sot konstante këtë lidhje.

Pas asaj ndjesie, si vijoi takimi i radhës?

Gert: Pasi u shkëputa nga Helena shkoj në punë, dhe fiks pas katër minutash, e marr në telefon dhe i them: “Vishu dhe zbrit poshtë. Bëhu gati se unë nuk do të bëj prova, por do të pres në kafe dhe do të rrimë bashkë”. Dhe gjatë gjithë kohës, derisa ajo erdhi, (pas rreth tridhjetë minutash vonesë), unë s’ia kam ndarë telefonin duke i kërkuar: “Ku je?”. Që aty e kuptova se më mungonte.

Çfarë ka ndryshuar sot te ju?

Gert: Vetëm ndryshim nuk kemi ndjerë. Ajo çfarë e bëri të fortë këtë lidhje është ajo që ne ngjajmë dhe ndryshime shumë pak kanë ndodhur, por jashtëzakonisht shumë pak. Kemi arritur në këtë lloj afrimiteti, sa nuk e gënjejmë dot njëri-tjetrin. Do të them një detaj interesant. Atë ditë që jam njohur me Helenën ishte një nga ditët që po rikuperoja energjitë e humbura.

untitled1Ishe i fikur shpirtërisht?

Gert: Në mënyrën më të tmerrshme. Çuditërisht takoj një miken time. Koha ishte me diell, me energji të jashtëzakonshme, sepse po vinte pranvera. Kishin çelur gjethet, kishte gjelbërim dhe ishte ngrohtë. Përshëndeta mikeshën, ngrihem dhe shoh në distancë 300-400 metra, nëpër ato rrezet e diellit që shkëlqenin përmes gjelbërimit, një kokë të verdhë me flokë me onde, kaçurrela, që po vinte. Shikoja një rrezatim, një energji, një aureolë shndritëse që më befasoi. Pa e ditur se cila ishte, e prita dhe u ula. Helena erdhi, unë ulem; bie bam dhe i them: “Ku ishte ti? Ku ke qenë këtë periudhë që s’të kam parë?” Dhe nga ai moment deri tani nuk e kam lëshuar dhe nuk do ta lëshoj më këtë njeri. Për mua është një nga momentet më të rëndësishme në jetën time.

Nga natyra, dukeni më tregues i ndjesive dhe detajeve…

Helena: Kështu i ka energjitë Gerti, të përfshin.

Sa ndikon kjo pjesë në marrëdhënien tuaj, sidomos kur femrat e kanë të nevojshme vëmendjen?

Helena: Nuk mund të kërkosh vëmendje maksimale nga një artist. Është thuajse një mision i pamundur. Kështu që unë mjaftohem kur e kam atë.

Çfarë ndodhi me ty kur të tha gjëra kaq të bukura?

Helena: Unë humba në energjitë e Gertit. Nuk kisha ku shkoja më dhe shkoi kështu si shkoi. Ndaj dhe jemi bashkë sot.

Çfarë të pëlqeu te Gerti?

Helena: Energjia e tij, siguria, vendosmëria pa dyshim, edhe buzëqeshja pa diskutim. Ishte si ajo dita me diell kur jemi njohur. Ndihem shumë, shumë mirë me të.

Gert: Ajo që më tërheq mua te Helena është maturia e saj. Rrezatimi i këtij pozitiviteti të pafundmë. Ky njeri di vetëm të dhurojë dhe nuk e bën vetëm me ata që i njeh apo me ata që do, por është e tillë sa ka momente që i shton. Sepse, dreqi ta marrë, është një moment që jep dhe pret të marrësh, por Helena nuk e përfytyron dot atë moment, që të marrë. Shpeshherë përfitoj dhe kjo më bën shumë të lumtur. Ajo e bën këtë si një formë shkarkimi. Ky njeri di vetëm të dhurojë.

Marrëdhënia juaj sentimentale është gjithnjë pranë, plot dashuri dhe vëmendje, pasion e bashkëpunim apo liri personale dhe mbështetje?

Gert: Gjithë kohës pranë me njëritjetrin, pa shkëputje. Për një periudhë më shumë se një vit e pak nuk jemi ndarë nga njëri-tjetri për asnjë sekondë. Kemi rifituar disa gjëra që një çift do kohë dhe vite për t’i bërë të vetat. Njohja erdhi aq natyrshëm, sa nuk më bënte të shkëputesha. S’kemi shpenzuar kohë kot, por jemi njohur mirë me njëri-tjetrin, ky është përfitimi më i madh. Mendoj që në një karakter njerëzor, nuk ka asgjë që mund të fshehësh lehtë. Kjo jetë kaq është…

Keqkuptimet janë ana tjetër e medaljes gjatë këtij rrugëtimi. Sa ju kanë ndihmuar për ta kuptuar njëri-tjetrin?

Gert: Për shkak të tolerancës së Helenës, nuk e kemi vuajtur këtë pjesë. Unë harrohem, në sensin që, nëse jemi duke biseduar, nëse kam diçka tjetër ndërmend, gjithëpërfshihem në atë që po bëj në atë moment, i kushtoj dhe marr kaq shumë vëmendje. Jap shumë energji atje me kë jam dhe në atë që po bëj, saqë harroj. Humbas në atë botën time. Helena, në këtë sens ka qenë shumë më mirëkuptuese dhe për shkak se edhe është rritur në një familje artistësh, e ka parë dhe është njohur me këtë natyrë njerëzish me përhumbje artistike.

Helena: Ka pasur shumë konflikte, por me komunikim, ka ardhur më pas dhe mirëkuptimi. Më pëlqen ekuilibri për t’i zgjidhur gjërat që të dyja palët të binden.

Cilët janë armiqtë e marrëdhënies: mërzia, mospërputhja e karaktereve apo tradhtia?

Gert: Harresa. Kjo e vret një lidhje, sepse të harrosh çfarë është emocion për ty, ti nuk je as për veten tënde. Dhe tradhtia vjen pikërisht nga harresa. Mospërputhja e karaktereve vjen sërish nga harresa, dhe nëse ti nuk ke sy për ta parë, nuk është më faji i palës tjetër, por është faji yt.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top