Posta

October 17, 2017 | 9:40

POSTA/ Djali më erdhi me disa njolla në krah pas kopshtit, por refuzon të flasë. Si duhet të veproj?

Përshëndetje. Kam një problem dhe doja mendimin e psikologes.  Djalin 2 vjeç e 4 muaj vendosa ta çoj sot në kopsht për herë të parë. Si fillim e lashë vetëm dy orë. Normalisht, djali kishte qarë dhe pushuar herë pas here, sipas edukatoreve. Në shtepi vë re shenja në parakrahun e dorës së majtë (që më duken si pickime, qofsha e gabuar.) Djali flet shumë mirë, por kur unë e pyeta se ku ishte vrarë, më largohet, dorën e fsheh, dhe nuk më foli. Unë edhe nuk insistova shume (e pyeta disa herë), por im shoq e pyeste më shpesh, pa rezultat. Ai tregon çdo gjë që ndodh, çdo gjë, por jo për këtë rast. Kur e pyeta nëse do shkonte në kopsht nesër, mu përgjigj: po. Ju kërkoj ndjesë që u zgjata, por dua një mendim më të specializuar, të ftohtë ( pasi i imi është emocional). A duhet të kem besim tek ai kopsht? A mund të jenë bërë padashje ato shenja, megjithëse unë nuk i kam shkaktuar asnjë shenjë gjatë këtyre viteve? Si duhet të veproj?

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Nga Adelina Pjetra Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Nga Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

E kuptoj shqetësimin tuaj. Pyetjet që keni parashtruar këtu, mund t’ia drejtoni edhe edukatoreve të kopshtit, apo edhe drejtoreshës së kopshtit, pasi ju keni të drejtë të merrni një shpjegim mbi atë çfarë ka ndodhur me djalin tuaj gjatë kohës së qëndrimit në atë ambient. Nuk mund të aludojmë se çfarë mund të ketë ndodhur, pasi edhe mundësia që ta ketë vrarë në lojë e sipër me moshatarët e tij mund të ekzistojë, gjithsesi edhe në të tillë rast, stafi i kopshtit e ka për detyrë të të njoftojë, çfarë ka ndodhur dhe si. Fëmijët në këtë moshë e kanë të vështirë të verbalizojnë në mënyrë direkte një ngjarje që i ka mërzitur apo lënduar. Të sugjeroj t’i afrohesh nëpërmjet lojës (me kukulla të vogla, ose kafshë të vogla plastike), dhe t’i kërkosh të ndërtojë një histori se si e kalon ai ditën në kopsht, çfarë bëjnë aty dhe si ndihet. Kjo është një teknikë që përdoret nga psikologët në terapinë e artit dhe lojës me fëmijë, ku fëmija nëpërmjet lojës shpreh çfarë e mundon, çfarë ka ndodhur etj. Ndoshta për ju do të jetë e vështirë ta aplikoni këtë, dhe të kuptoni dinamikat që sjell djali juaj. Por në qoftë se shpjegimi që do u japë stafi i kopshtit, nuk ju bind, atëherë ju sugjeroj të kontaktoni një psikologe për fëmijë që të punojë me fëmijën tuaj dhe të arrihet një shpjegim më i saktë i kësaj situate. Çfarëdo të ketë ndodhur, mos-shpjegimi apo njoftimi nga ana e stafit të atij kopshti më duket një formë papërgjegjshmërie.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top