Në fokus

March 8, 2016 | 8:26

Dëshmi/ Jorida Tabaku:Barazia gjinore si vlerë, jo si shenjë

Brezi i ri e thërret atë “zysh”, ndërsa për të gjithë Jorida Tabaku është doktore e shkencave ekonomike si dhe deputete e Parlamentit Shqiptar. Një femër e plotësuar dhe tejet e suksesshme në karrierën e saj ndër vite. Por të gjitha këto sipas Tabakut, “asgjë nuk krahasohet me kujtimet e fëmijërisë”. E kemi sjellë në muajin mars, “muajin e femrës”, femrën karismatike Jorida Tabakun, në një rrëfim të gjatë jo veçse për veten e saj, “luftën për barazi gjinore si një nevojë për një optikë të re”, por edhe për ato kumbimet e këtij realiteti të hidhur të femrës shqiptare, jashtë sallave luksoze dhe mbrëmjeve gala…

Ku ndihet e pozicionuar femra shqiptare në shoqërinë e sotme?

Në perspektivën moderne të gruas, modeli shqiptar ka kryer akrobaci të tilla, saqë është shumë e vështirë të ndërtojmë një rrëfim të shkurtër. Gruaja doli nga një proces tradicional, nëse mund ta quajmë kështu, duke u ballafaquar me një shoqëri të re moderne ku vetë mënyra e shkollimit qe tërësisht e ndryshme se ajo e viteve të para të pavarësisë. Të kemi parasysh që përpara 1912 të gjithë shqiptarët shkolloheshin nëpër shkolla fetare, ku merrnin edhe edukatën kryesore sepse vetë shoqëria qe e tillë. Kursi i ndryshimit dhe përthyerjes së traditës konservatore u thye më brutalisht në periudhën e regjimit komunist. Ndonëse një periudhë që reflektohet si një barazi mes femrës dhe mashkullit, ajo periudhë më shumë më ngjason me një shndërrim të femrës në një “burrë”, duke e huazuar tërësisht atë nga kriteret natyrore dhe të veçanta që ajo ka. Periudha e demokracisë, qe njëfarë vazhdimësie e mbetjeve të kohës së komunizmit ndonëse, shumë ligje dhe konventa u ratifikuan në shërbim të grave dhe të drejtave të tyre, por është ende e vështirë që të përcaktojmë dhe të flasim për të drejta që gëzohen plotësisht. Ne nuk kemi pasur një trajtim shoqëror për vuajtjet që gratë patën nëpër burgje apo kampe internimi, për pasojat e tmerreve që ato panë. Këto padrejtësi megjithëse nuk u zbuluan, kanë lënë plagë të mbuluara në shoqërinë tonë e cila fle mbi to. Kjo na bën sot dëshmitarë të mënyrës se si gratë trajtohen në shoqërinë tonë, këtyre u duhen shtuar dhe paradigmat e reja që gruaja ka në një vend të lirë me ekonomi tregu. Për të ardhur pas kësaj panoramike të shpejtë, te pozicionimi i gruas në shoqërinë aktuale, i cili, sipas meje, është i ngjashëm me vetë shoqërinë tonë. Ka një dyzim vlerash dhe vlerësimesh në shoqërinë tonë që e hasin tanimë edhe gratë. Ndonëse kemi pasur pozicione vendimmarrëse, ato janë kufizuar vetëm në ndërtimin e institucioneve që në fund të fundit nuk është se kanë përmirësuar situatën e grave në vend. E kjo nuk është se ka ndodhur sepse gratë në vendimmarrje nuk kanë dashur, por sepse sistemi i ngritur në këto vite ka dështuar jo pak herë për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që jo pak herë shoqëria (e ndër to gratë) kanë pasur.

Përpos rrugëtimit të rëndësishëm në karrierë, cilat vite vlerësoni më shumë e që do donit t’i riktheheshit?

Sigurisht që kur e kthej kokën, ka shumë kujtime që më vijnë në mendje, por asgjë nuk ka të paguar si kujtimet e fëmijërisë me gjyshërit, motrën e vëllanë. Besoj se gjyshërit e mi kanë ndikuar te unë të jem kjo që jam sot dhe më kanë formuar mua si njeri.

Mbase orë më të reduktuara…por kurrë nuk i keni shkëputur leksionet, si pedagoge e departamentit të Menaxhimit në Fakultetin e Ekonomisë.

Si keni arritur të gjeni balancën midis punëve të përditshme (karrierës) dhe familjes?

Nuk mund të them se ngarkesa nuk ka qenë e madhe, por as nuk më pëlqen të them që jam një super-grua që bën gjithçka mirë. Përpiqem me ndihmën e familjes të gjej një balancë, të bëj ato gjëra që më pëlqejnë më shumë, por duke pasur në plan të parë familjen. Nuk kisha për të arritur kurrë të vazhdoja nëse nuk do të kisha mbështetjen e bashkëshortit tim dhe të familjes time. Përndryshe do të kish qenë e pamundur. Kam kënaqësi të jashtëzakonshme të jap mësim, më jep sodisfaksion si asgjë tjetër dhe nuk e bëj dot diferencën nëse është kontakti me studentët apo fakti që gjithmonë jam në kontakt me librat apo ndoshta që gjithmonë jam një studente që mësoj. E nëse do më duhet të veçoja diçka pozitive nga karriera, përveç familjes, vlen të theksohet se në çdo punë që kam bërë, është pikërisht ky kontakt dhe komunikim që më ka ndihmuar e ndikuar!

Si mund ta rrëfenit me “dy fjalë” situatën ekonomike të femrës shqiptare? A janë ato më të paguara se meshkujt apo një femër sot, e ka më “të kollajshme” vendin e punës, pasi mbaron studimet e larta?

Që të flasim për pavarësi financiare, duhet të kemi parasysh se duhet të ndërtojmë një shoqëri më të zhvilluar dhe të përparuar. Një shoqëri që e pranon tjetrin dhe meritokracinë e tjetrit. Megjithëse kemi ligje e konventa që flasin dhe përcjellin detyrimin për të mos pasur diskriminim gjinor në vendet e punës apo më gjerë, përballemi në fakt me një diskriminim që është më së shumti i fshehtë. Ky lloj diskriminimi varet nga profesioni dhe qyteti, por që është i pranishëm dhe i dukshëm në vendin tonë. Ndërkohë që pavarësia ekonomike është gjithnjë e vështirë sidomos në zonat e vogla urbane dhe jo vetëm. Ka një ngërç në diskutimin e vlerave shoqërore në vendin tonë dhe kjo ka sjellë një shumëllojshmëri këndvështrimesh që nuk po munden të jetojnë brenda kornizave ligjore. Prandaj, gruaja mundet edhe të sjellë rrogën në shtëpi, por kjo jo domosdoshmërish e bën atë të pavarur ekonomikisht.

Tre cilësi të mira dhe “të këqija” që do ta etiketoni veten…

Përgjithësisht nuk më pëlqen të flas për veten e ndoshta ndonjëherë është më mirë që analizën ta bëjnë të tjerët. Nëse ka diçka që çmoj te njerëzit është modestia.

Si mund ta komentoni fjalën “barazi” dhe a keqkuptohet ajo në shoqërinë shqiptare?

Koncepti i barazisë gjinore është tregues esencial social me të cilin mund të matet dhe vlerësohet niveli i emancipimit të shoqërisë, qëndrimi i saj ndaj femrës dhe roleve të saj gjinore dhe qytetare. Në këtë këndvështrim nuk e shoh trajtimin e barazisë gjinore thjesht si koncept matematikor apo si një rrjedhojë statistikore që gratë janë më shumë se gjysma e popullsisë dhe duhet të kemi disa prej tyre në parlament apo institucione. Jo! Barazinë gjinore dua ta shoh si një vlerë me të cilën duhet të edukojmë shoqërinë tonë, respekti ndaj gruas (që nuk është mjet) duhet t’i mësohet gjithsecilit prej nesh. Dikush mund të përmend se ka nisma dhe lëvizje të cilat mundohen të sensibilizojnë ndaj këtyre problemeve jetike, natyrisht nuk mund të mohohet beteja që ka nisur në fushën e lirive dhe të drejtave të gruas në shoqërinë tonë. Por ende shtrohet pyetja e vështirë se sa rezultative janë këto beteja, duke pasur parasysh terrenin e caktuar historik, social, urban, antropologjik dhe politik që kanë ndikimin e tyre. Në të vërtetë po të vështrosh me kujdes këndvështrimet e debatit për çështjet e barazisë gjinore në Shqipëri, jo rrallë herë shikon se si ky problem shihet si diçka e “jashtme”, si një detyrë shtëpie që duhet kryer, sepse Evropa nuk do të na pranojë përndryshe dhe jo si një pjesë e rëndësishme e shpëtimit të një shoqërie që po degradon gjithnjë e më shumë edhe nga mungesa e femrës në të. Pikërisht për këtë arsye unë kam qenë dhe jam kundër jo vetëm idesë së përfaqësimit me kuota apo dhënies së këtyre kuotave si premio, por edhe marrjes me lehtësi të udhëzimeve për të drejtat e grave. Duke gjykuar se një sjellje e tillë jo vetëm që nuk i shërben demaskilizimit të shoqërisë sonë, por as nuk i jep mundësi asaj të përzgjedhë femrat që realisht dëshirojnë që t’i përfaqësojnë ato. Kjo do të thotë, se lufta për barazi gjinore ka nevojë për një optikë të re. Nëse nuk ndryshojmë qasjen ndaj fenomenit, nëse këtë luftë nuk e shikojmë nga një “kuotë sociale” e re, do të thotë se jemi duke i kopjuar detyrat e shtëpisë, e nuk po nxëmë asgjë. Nuk do të ishte e tepërt, nëse do të shtoja se kemi shumë kohë që në fushën e barazisë gjinore kemi mbetur ende tek mjetet e të shkuarës sonë të afërt.

Çfarë domethënie ka për ju 8 Marsi?

Sot në të gjithë botën përkujtohet kjo ditë, mbase diku edhe festohet, por a na lejohet neve sot të festojmë për disa të drejta që ende nuk i kemi fituar, por na janë dhuruar a thua se ne kemi nevojë për lëmoshë?! Gjatë punës sime në Bashki, më është dashur të punoj pranë shumë zonjave që secila në mënyrën e saj, më ka lënë një shije brenda meje. Më është dashur të takoj zonja kryefamiljare që luftojnë çdo ditë për jetën, më është dashur të takoj zonja të dhunuara, më është dashur të takoj vajza të reja vullnetare, të cilat vendosin dhe japin kohën e tyre për çështje të drejta në mbrojtje të të drejtave të grave. Të gjitha këto më kanë kumbuar realitetin e hidhur në të cilin ne jetojmë, atë realitet që ndodhet jashtë sallave luksoze dhe mbrëmjeve gala. Çfarë po bëjmë ne zonjat për këtë realitet? Unë mendoj që këto çështje duhen diskutuar në 8 Mars, e sigurisht për të gjitha ato zonja që i kanë arritur, për të festuar! Martin Luter King kishte një ëndërr, që pak kush e besonte se do të shndërrohej në realitet. Sot të gjitha gratë, zonjat, duhet të kenë një ëndërr dhe një vizion, sot ne të gjitha duhet të punojmë aq sa të mundemi duke i dhënë dorën tonë për ta realizuar.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.94

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top