Në fokus

March 8, 2016 | 8:23

“Femra në Shqipëri, drejtuese e lartë, por duron edhe drurin e bashkëshortit të dehur”

Jona Hasija

Jona Hasija

Femra sot në Shqipëri ka një përfaqësim “të grimuar”, ku vlera e vërtetë e saj, ajo natyralja, “fshihet” brenda sjelljeve të detyruara dhe një lloj fasade mirësjellje mashkullore.

Në botëkuptimin e saj, pozitat shoqërore të femrës shqiptare kanë ndryshuar. Çka do të thotë se në krahasim me të shkuarën, femra shqiptare ka evoluar ndjeshëm dhe është fakt se ajo ka më tepër dëshirë për dukje në trajtimin e problematikës së femrës. Për drejtoreshën dhe regjisoren artistike në “News24”, Jona Hasija, pavarësisht kohërave dhe sistemit të vlerave, “femra sot në Shqipëri ka një përfaqësim “të grimuar”, ku vlera e vërtetë e saj, ajo natyralja, “fshihet” brenda sjelljeve të detyruara dhe një lloj fasade mirësjellje mashkullore. Ashtu si e gjithë shoqëria jonë, femra lëkundet mes ekstremesh: ajo është drejtuese e lartë, por duron edhe drurin e bashkëshortit të dehur. Ajo zgjidhet deputete, por grindet me të ngjashmen e saj më keq se meshkujt. Ajo ngre zërin e përfaqësimit por edhe mbyll gojën në familje. Ajo përfshihet nën uniformën e policisë, por edhe keqtrajtohet prej tyre”. Megjithatë, sipas regjisores artistike të “News24”, Jona Hasija “edhe pse në këtë stad, femra në Shqipëri është “fryt” i domosdoshëm që duhet servirur në çdo rast bashkë me ushqimin”. Ndërsa sa i takon “lehtësirave” të femrës shqiptare në përfaqësimin e saj social, në marrëdhënie pune, familjare dhe shoqërore, Jona Hasija nënvizon se: “Femra shqiptare pavarësisht rritjes së shkallës së ndërgjegjësimit, mbetet disi në pozita jo të lehta përfaqësimi. Jo në pak raste ajo është e detyruar të bëjë kompromise për të krijuar stabilitet social e për të vijuar procesin e saj të formimit. Megjithatë për mua, femra duhet të jetë e bindur në vetvete për të ecur përpara. Ajo duhet të shtojë pretendimin te vetja, për t’u aftësuar profesionalisht, për të qenë “on top”, e më pas, të kërkojë “shkallët” e ngritjes në karrierë. Edhe pse mund të duket disi klishe, unë nuk do të lodhem së përsërituri për vajzat: përkushtim, dashuri për profesionin, fantazi dhe “lodhje të mendjes” për atë që duam të bëjmë në jetë”.

Teksa bisedojmë për situatën ekonomike, si dhe vendet e punës, regjisorja e talentuar e me përvojë televizive kryesisht, shprehet se, “së pari duhet të themi se nga pikëpamja e situatës ekonomike paraqiten dy kategori: femra e pavarur ekonomikisht, që i siguron vetë të ardhurat dhe ajo e varur nga marrëdhënia e saj me familjen, ku femra mund të jetojë mbi të ardhurat e trashëgimisë së familjes apo partnerit ose kur gjendet e papunë nga pamundësia për të gjetur veten në ekonominë e tregut”. Më tej Jona Hasija pohon se, “shihet një rritje vlerësuese e femrës në karrierë. Femra e cila nëpërmjet kapaciteteve të saj jep mundësinë vetes të krijojë fatin e saj”. E nëse është “e kollajshme” kjo? “E kollajshme është të shtrosh pyetjen” thotë me nuanca humori Jona, “por të sigurosh vendin e punës, apo ta krijosh atë, është e vështirë, sepse në këtë sistem të tregut të lirë konkurrenca dhe linjat konjukturale shpesh e vështirësojnë pozicionin shoqëror të femrës”. Pra, sipas Jona Hasija-s, ‘varet nga mjetet që femra zgjedh’. “Megjithatë, një femër e aftë profesionalisht në këtë fushë-betejë për të ngritur veten, arrin të kapërcejë pengesën për të mos u shfrytëzuar si një objekt”. Kjo pasi edhe vetë tregu i punës e kërkon cilësinë. Pengesat pastaj varen nga fuqia e subjektit ku është e punësuar. Por realisht mund të them se profesionalisht femra ka arritur të paguhet mbi një standard të lartë financiar. E ky standard nuk është më çështje gjinie. Është çështje vullneti dhe aftësish”. E pyetur nëse ka gjëra që “urren” e vlerëson te shoqëria shqiptare, Jona Hasija përmend se “fjala urrejtje ka një ngarkesë emocionale dhe përpiqem të mos e mbart brenda meje. Përpiqem t’i shmangem antivlerave që burojnë nga kaosi dhe boshi i jetës. I ushqej vetes shikimin pozitiv që për fatin tim vetë profesioni kreativ si regjisore ma motivon”. Sipas Hasijas, “shoqëria shqiptare duhet të pastrohet nga mentaliteti folklorik, sikurse është për t’u vlerësuar edhe forca e saj dinamike për të ndryshuar imazhin që ajo ka”.

E pyetur për konceptin e fjalës “barazi” dhe keqkuptimin e shoqërisë mbi këtë term, regjisorja thotë se: “Koncepti i barazisë bazohet në mundësitë e barabarta sociale dhe ligjore midis gjinive. Një mënyrë për të krijuar marrëdhënie të drejta përtej kësaj diference gjinore, ku femra nuk shihet më si një objekt i diskriminimit si në jetën personale ashtu edhe në atë profesionale. Shanset e saj janë të barabarta në shoqëri, duke e bërë femrën promotor të një sërë nismash dhe standardesh që i krijojnë bazën e efektshme për të qenë një fuqi në krijim të vlerave. Nuk mendoj se keqkuptohet, se sa i tremben fuqisë që femra mbart si potencial për të ndryshuar botën, pasi është një rregullatore e shkëlqyer”. Ndër cilësitë e mira e “të këqija” që do ta etiketonte veten, Jona Hasija buzëqesh dhe përgjigjet se, “dobësitë nuk tregohen sepse është njësoj si të çarmatosësh veten. Ndërsa cilësitë lidhen me përvojën e fituar: Përgjegjshmëri, vullnet, pasion. Janë këto tri cilësi që më kanë bërë të ngrihem profesionalisht dhe denjësisht, duke përballuar konkurrencën”. Duke e rikthyer pas në kohë, për të na folur për rrethana të këndshme të ndodhura me 8 marsin, regjisorja pohon se kjo datë mbi të gjitha është reflektim. “Është si një stacion kalendarik, ku natyrshëm ndihemi në ditën tonë, pavarësisht botëkuptimit që i japin kësaj date. E kam fjalën që pavarësisht qenies si grua, nënë, drejtuese, regjisore, bashkëshorte, e rëndësishme është të jesh femër në çdo kuptim. Nuk i jap rëndësi dallimit kur duan t’i vendosin një përcaktor kësaj feste, sepse nuk ka rëndësi kjo, se sa respekti dhe vlerësimi që i dhurohet femrës, qenies dhe rolit të saj. E kam bërë si një rit të përvitshëm”, shprehet më tej Hasija, “që çdo 8 mars të dal me mamin tim Valentinën (pasi motra ime e shtrenjtë ndodhet larg) dhe “të arratisemi” së bashku në vende ku gjejmë paqen, larg zhurmimit që sjellin grupet e femrave që për një ditë duket sikur jetojnë çlirimin e tyre nga përditshmëria e detyrimeve. Vetëm sy më sy me mamin tim, para një pjate me kujtime, e brenda një përqafimi që ka brenda shumë dashuri dhe mirënjohje, kalojmë së bashku një 8 mars kryesisht tonin, si dy femra, si dy shoqe, si nënë dhe bijë”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.94

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top