Në fokus

April 6, 2016 | 10:19

Dëshmi/ Shpëtim Saraçi: Puna… detyrim për të dhënë maksimumin!

Shpëtim Saraçi, kompozitor

Shpëtim Saraçi, kompozitor

Mund ta quajmë dhe si një mjeshtër në “gdhendjen”e notave. Do… Re… Mi… Ato janë vetëm shtatë, por përcjellin muzikë pa fund. Ndërkaq ai është dhe një nga personalitetet e muzikës shqiptare. Na fal përherë një muzikë të magjishme, ndërsa nuk ndalet të hedhë mbi pentagram esencën që duhet të përçojë krijimin e ri. Shpëtim Saraçi është një kompozitor fort i njohur dhe i angazhuar; arranxhues këngësh e pianist i shkëlqyer. Tanimë gjithçka e dalë nga duart e tij është përjetësuar nga emra të njohur të muzikës shqiptare, por ka mes tyre dhe plot talente të rinj. Me pak fjalë, ditët e tij të profesionit bartin një ngarkesë të madhe, e cila e mban atë të ngërthyer pas instrumentit të tij më të dashur, pianos. Në këtë udhëtim të gjatë tashmë, pjesë e tij janë dhe bashkëpunëtorë të shumtë.

Cilat janë “të mirat apo të këqijat” e këtij rrugëtimi tashmë të gjatë tuajin në muzikë?

Në fakt angazhimet me projekte të ndryshme kërkojnë efiçencë të lartë dhe përgatitje të vazhdueshme për t’u përballur me të panjohura të ndryshme që mund të paraqiten sipas rastit dhe këtë mund ta quaj një gjë të mirë, pasi studimi i vazhdueshëm, le të themi, të mban në korrent me të rejat. Nga ana tjetër, ky angazhim kërkon kohë dhe përkushtim të vazhdueshëm dhe shpesh edhe mund të bëhet pengesë për rrjedhën e jetë normale.

Bëni disa profile brenda fushës së muzikës, nga përvoja juaj besoni se ka punë të mërzitshme apo njerëz të mërzitshëm në punë?

Nga përvoja ime mund të them që punë të mërzitshme nuk ka. Puna për mua është gjithmonë një proces sa kohë që nuk përballesh me kërkesa jo profesionale dhe paqartësi për atë që duam të arrijmë.

Kur bëhet e mërzitshme sipas jush, cila nga këto situata?

Paqartësia apo joprofesionalizmi besoj janë të mërzitshëm për këdo. Kur këto bëhen insistuese dhe sidomos kur vijnë edhe nga eprorët e rastit janë vërtet të mërzitshme. Në këshillat e kompozitorit të shquar Robert Shuman është edhe një këshillë, që për mua është kthyer në lajtmotiv të jetës sime qysh herët: “Respektoni gradën artistike”.

Janë femrat apo meshkujt më të bezdisshëm në punë, gjithnjë duke qëndruar në fushën e artit?

Dukuritë që përmendëm më sipër shfaqen njësoj në të dyja gjinitë. Nuk mendoj të bëj dallim.

Si i keni menaxhuar ato situata që përpos ngarkesës profesionale, ju është dashur të vini në drejtim dhe pjesë emocionale të krijuar nga kolegët-bashkëpunëtorë?

Mendoj që përballimi me këto situata kërkon integritet dhe vendosmëri, pasi këto dukuri sipas meje kanë nevojë të përballen me profesionalizëm dhe qartësi. Në fund të fundit edhe krahu tjetër i medaljes duhet të marrë një përgjigje sa më të argumentuar, mundësisht edhe me fakte konkrete.

Psikologë të ndryshëm thonë se disa punë të mërzitshme rrisin potencialin tonë të kreativitetit dhe motivimit? Ka ndodhur kështu me ju?

Në përgjithësi unë mund të them që jam ndjerë shumë më i detyruar dhe jam impenjuar për të dhënë maksimumin tim ndaj bashkëpunimeve që kanë besuar në punën time dhe kanë lënë thuajse çdo gjë në dorën time. Atëherë detyrimi dhe mobilizimi im janë shumëfishuar dhe rezultati ka qenë dukshëm shumë më i lartë.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.99

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top