Në fokus

October 12, 2017 | 10:09

Dëshmi/ Nexhi Beqiri: Femra, dobia e jetës

Nga Orjona Tresa/Foto: Vlasov Sulaj

Përvoja e saj është pjesë e një rrugëtimi të gjatë e të pazgjidhshëm me profesionin e saj, njëherësh i vështirë për shqiptarët. Avokatia, ky profesion të cilit i ka veshur ndjesi emocionale, të përkora në zinxhirin e problematikave të ndryshme. Kryesisht femra është figura përballë së cilës i është dashur të mbrojë një sërë çështjesh, duke ofruar kontributin e saj fisnik njerëzor, në përballje me sfida dhe vështirësi të pamata.

nexhi

Si ka qenë ky udhëtim i gjatë i jetës suaj profesionale?

Pjesa më e bukur e jetës sime ka qenë rinia, më e vështira, avokatia. Duke pasur parasysh çfarë jam e çfarë më pëlqen të bëj, them se i përkas asaj bote ku bëhen gjëra me vlerë, deri dhe gjëra që kanë brenda gëzim, festë për arritjet, punë me ngritje, kënaqësi për suksesin. Kjo pjesë i takoi punës e jetës sime pas mbarimit të Fakultetit të Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë. Puna në zyrën e avokatisë, hyn në pjesën më të vështirë të jetës sime. Duke qenë se në 8 vitet e qëndrimit në Belgjikë punoja me kohë të pjesshme për Pallatin e Drejtësisë dhe Gjykatën Komerciale, mendoja se puna e avokatit në Shqipëri do të kishte ato avantazhe që të siguron Belgjika, me shtetin dhe ligjin e atjeshëm. Ne mendonim e funksiononim si qytetarë belgë. Një avokat belg punon, por paguhet mirë për atë që bën. Në Shqipëri duhet të marrësh 20 çështje për të fituar lekët që merr në Belgjikë një avokat për një çështje, duke llogaritur që një gjyq zgjat me vite punë. Në Belgjikë nuk i telefonon kohë e pa kohë avokatit. Këtu, klienti të mban 1 orë në telefon, duke të shpjeguar hallin e të thotë: “Mirupafshim”. Në Belgjikë, nuk guxon të cenosh integritetin apo jetën e avokatit… Nuk mund të lë këtu rastet për korrupsion e që u kanë mohuar të drejtën mjaft qytetarëve, por mbi të gjitha janë mbushur burgjet plot, se jepen dënime mbi normalen për ata që s’paguajnë, etj. Kështu që, avokatia profesionale, cilësore në përfaqësim, por dhe humane, për ata që nuk kanë të paguajnë avokatin, është punë e vështirë. Për një femër, më duket edhe më e vështirë. Dhe kjo, jo se gruaja nuk është e aftë profesionalisht, por çështja e ndjekjes së çështjeve penale, me të burgosur në qeli, apo e komunikimit me këta autorë krimesh, sidomos të krimeve të rënda, vështirësohet. Dhe po të shohësh në salla gjyqesh, çështjet penale më shumë i ndjekin avokatët meshkuj. Jo se dinë më shumë, por se emocionet negative i përballojnë më mirë se femrat. Për këtë arsye dhe unë jam fokusuar te çështjet familjare, të fëmijëve apo ato civile.

Ku qëndrojnë vështirësitë për femrën shqiptare?

Po bëhen gati dy vjet që jam pjesë e panelit të profesionistëve në emisionin “Me zemër të hapur” në NEWS 24. Në fakt, përveç përfaqësimit si avokate, unë marr dhe role të tjera, si filozofe, sociologe, deri pa dashje dhe psikologe. Dhe pse? Siç shkruan dhe Svetllana Aleksitviç-i, fituese e Çmimit Nobel në letërsi për vitin 2015 , “historia është ajo që tregon dëshmitarët dhe pjesëmarrësit e saj, ata që s’bien në sy” dhe “Unë nuk shkruaj për historinë e luftës, por për historinë e ndjenjave”. E pra, gjatë emisionit të krijuar e drejtuar nga e mirënjohura Evis Ahmeti, unë nuk shoh thjesht konfliktin, mosmarrëveshjen, veprën penale. As nuk më intereson thjesht penaliteti për kundravajtjen penale apo krimin e bërë, as dhe shkëmbimin apo detyrimin ushqimor në çështjet civile. Mua më intereson ana sociale e problemit, nga cila shtresë shoqërore vjen personi që është në emision, çfarë formimi e kulture ka, kushtet ekonomike të palëve në konflikt, çfarë ndodhet në shpirtin e tyre… Jo rrallëherë, të pranishmit në studio vijnë me dëshirë. Natyrisht, dinë të fshehin anët negative që ia ulin vlerën në sytë e shikuesve dhe nuk pëlqejnë kur me pyetjet e bëra nga ne, del përgjegjësia e tyre, apo ndjenja negative që i ka udhëhequr në sjelljen apo veprimin juridik. Unë dua që personi që vjen në emision të tregojë çfarë ka përjetuar emocionalisht në historinë konkrete, çfarë fjalësh këmbejnë në raste të ndryshme, si nisi dhe eci një marrëdhënie, si pleksen ndjenjat tek ai person, etj. Pikërisht, nga vëllimi i ndjenjave dhe pleksja e tyre, lind fytyra e kohës dhe e njerëzve që jetojnë në të. Me aq shumë raste të prezantuara, unë njoh fytyrën e Shqipërisë, ku më e bukura është fytyra e gruas. Ajo është e bukur edhe në dhimbje, sepse është kuptimi dhe dobia e jetës. Kushedi sa herë kam mbushur sytë me lot. Raste të tilla ka plot, si: përballë meje, në mes të dimrit shfaqet një grua 42-vjeçe, me tre fëmijë jetimë, e veshur me çorape leshi të zeza dhe shapka llastiku blu, me dy rripa të kryqëzuar. Ajo, me zë të butë, me shumë mirësjellje, tregonte se kunetërit nuk i jepnin tokën bujqësore që i takonte burrit të saj të vrarë, i vrarë pa autor të gjendur ende nga policia e prokuroria e Pogradecit. Nuk mund të mos lotoja kur në studio, bashkë me babanë 69 vjeç ishte edhe vajza 9-vjeçe e djali 7 vjeç, jetimë dhe treguan se si kjo vajzë bën bukën vetë në shtëpi, me miellin e falur. Dhe po të krahasojmë rastet që vijnë në emision, që janë më shumë femra, sa lehtë dallon se ato janë pjesa që vuajnë më shumë, mbi të cilën rëndojnë pasojat e konflikteve të punës, familjare e shoqërore.

nexhiKu mund t’i përmirësojnë vlerat e tyre femrat?

Puna që bëj, më mundëson të shoh pjesën më të dobët të shoqërisë, atë që vuan, që nuk ka të ardhura se nuk ka punë, nuk siguron dot mirërritjen e fëmijëve, gra të divorcuara, të mbetura në mes të katër rrugëve, që nuk marrin asistencë sociale, pensionistë të braktisur etj. Kjo më ka bërë më të ndjeshme, por më ka rritur vendosmërinë për të thënë të vërtetën dhe për të bërtitur për veshët që nuk dëgjojnë. Puna e mirë fillon në mëngjes, thotë populli, ndaj edukimi i fëmijëve duhet filluar që sa lind fëmija e jo kur shfaq vesin 15 apo 20 vjeç. Kemi një brez të rinjsh që u rritën këto 25 vjet, duke “përfituar” nga një liri e tepruar, nga mungesa e disiplinës nëpër shkolla e familje, nga mungesa e edukimit. Prindi cilësor në vendin tonë ende nuk po merr vëmendjen e duhur. Dhe më e keqja, në brendësi të familjes mendohet ende se martesa është zgjidhja e problemit për jetën e femrës. Kam parë në studiot e televizionit femra, që kanë pranuar të martohen me të sëmurë psikik, duke sjellë në jetë fëmijë me të, njërin edhe nga një dhunim seksual nga burri. Ose nëna e marton vajzën e sëmurë psikike me një burrë, e cila sjell në jetë katër fëmijë, tre të sëmurë psikikë dhe të vetmin të saktë e çojnë te fshati SOS, për t’i shpëtuar agresivitetit të vëllezërve e motrës. E shoh si të kohës që femra të ketë mundësi të sigurojë më shumë të ardhura financiare, duke jetuar mirë, duke rritur shëndetshëm fëmijët, dhe të forcojë dinjitetin e saj, duke kundërshtuar çdo lloj dhune e mungese respekti ndaj saj.

Të vlerësosh përvojat e femrave, a përfaqëson sot kjo një mundësi të re për shoqëritë?

Në optikë ekziston koncepti i fuqisë së dritës për të fiksuar më mirë ose më keq një objektiv të caktuar. Një femër që ka një kujtesë negative, dhimbje e vuajtje, e ka atë si “fuqinë e dritës”. Burrat tërhiqen pas fakteve, ndeshja me të kundërtën për interesa të caktuara. Kjo i tërheq burrat. Ndërsa gratë janë të pushtuara nga ndjenjat. Ndeshja apo lufta e tyre ka të bëjë me aromën, me lulet, më imtësisht me botën ekzistuese. E kam përjetuar këtë gjë tek mamaja ime, e cila punonte në tregti. Thasët e kafesë pasi zbrazeshin, unë e mami i qëndisnim me dorë e bënim rrugica dhe qilima shumë të bukur. Thasët prej linoje, i zieja që t’i bëja si copë e rrudhosur dhe i qepa fustan për vete. Kjo është bota e femrës, ku dhe konkurrimi nuk është i lehtë. Nuk është i lehtë, pasi femrat janë shumë të ndjeshme, në qoftë se nuk ndjehen të realizuara. E shohim ngado që, edhe kur një femër nuk është kompetente të gjykojë punën e një femre tjetër, ka “kurajën” ta gjykojë shumë shpejt atë se ajo “është pa stil, është si katundare, është shëndoshur, është plakur” etj., etj. Gratë në këtë betejë bukurie, nuk pranojnë të hyjnë burrat, se e dinë se nuk e kanë përkrahjen e tyre. Kur bukuria e jashtme, i bashkëngjitet një femre me integritet e karrierë, lufta në mes femrave merr trajtë të vështirë. Kemi jo pak raste që femra në pushtet, nuk i hapin rrugë femrave të tjera, megjithëse e dinë se ato meritojmë vende pune e karrierë. Progres është fakti që, parti politike kanë vendosur përqindje të detyrueshme në përfaqësim në parlamentin shqiptar, apo në pushtetin lokal.

Oscar Wilde thoshte: Jepini një gruaje mundësinë e duhur dhe ajo do të bëjë gjithçka…

Francezi thotë: “Mjafton të të dojë një grua, dhe e di ajo se ç’bën”. Wilde, natyrisht mendje e bukur, flet për forcën që lind te një grua nga një mundësi e dhënë. Është e thjeshtë: bota moderne kërkon vëmendje, vullnet, dëshira, kundërshtime, rebelim, se kjo është jeta sot. Trupi nuk është një zhguall bosh. Shkëndija jetësore e trupit, burimi i energjisë së njeriut është shpirti, diçka që e ka secili brenda vetes. Ka femra që kanë shpirt të bukur. Këtyre femrave jepjani këtë mundësi, dhe ato do të lulëzojnë shtëpinë dhe botën. Dhe më e dhimbshme është ajo pjesë e femrave që ecin, flasin, kryejnë veprime të përditshme të një jete të zakonshme, por pa marrë pjesë në atë që bëjnë. Këto femra i ngjajnë një kufome. Ato jetojnë vetëm si trup. Këto femra nuk arrijnë dot të bëhen bashkëshorte të mira, nëna të dashura. Fëmijët e tyre nuk janë të gëzuar e të suksesshëm. Unë mendoj se femrat që janë me shpirt e punojnë me pasion në punën që bëjnë, duhen prezantuar edhe në media si model i jetës së gëzuar dhe me vlera për veten e për shoqërinë.

Të stabilizosh marrëdhënie me gratë e tjera, mund të jetë një shumëfishues forcash. Me kë ruani këto vlera të veçanta?

Falë familjes kam pasur një karakter të hajrit. Babai im që 19 vjeç ka qenë drejtor banke dhe gjithë jetën spikati si intelektual, bankier e drejtues i zoti. Nga katër fëmijë që jemi ne, tre janë me universitet. Unë mbarova studimet në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në Tiranë. Studiova 3 vjet dhe u diplomova në një Institut të Lartë në Belgjikë, dhe diploma e tretë i përket Juridikut. Tre fëmijët e mi, gjithë jetën më kanë thënë: “Ti sikur ke lindur për të studiuar, këtë gjë di ta bësh shumë mirë”. Dhe kështu më ka ardhur jeta. Të qenit nxënëse e dalluar dhe studente cilësore, tërhoqi vëmendjen time për t’u angazhuar në detyra me përgjegjësi e organizata shoqërore. Që 18 vjeç jam zgjedhur në forumin më të lartë të rinisë së Shqipërisë. Fakti që isha e zgjedhur në forumin e lartë të rinisë, më krijoi mundësinë të njihesha me bashkëshortin e 40 viteve, Idajetin, duke ndërtuar jo një rrugë, por një trashe hekurudhe të jetës sonë. Familja ime sot numëron dy vajzat, djalin, dy nipa, një mbesë, nusja e djalit dhe dy dhëndurë në Belgjikë, ku edhe jetojnë vajzat tona. Pra, nga pesë u bëmë njëmbëdhjetë. Unë jam e lumtur për familjen time, me ata që më rrethojnë. Më duket sikur i kam bërë gjërat vetë. Nuk mohoj kontributin e pazakontë të bashkëshortit tim, por duke parë përkushtimin tim, sakrificat dhe shpirtin e vendosur në çdo përkëdhelje fëmije, në ndjekjen e fëmijëve në shkolla, në veprimtaritë, në miqësitë e tyre, më duket se gjithçka në familje janë punë e imja. Geni i familjes ndikon shumë, por njeriu bëhet edhe sipas kushteve ku jeton. Ai fillon e mendon nga mënyra si jeton. Qëkurse mendoja për njeriun e jetës, i thosha shoqeve si do të ishte ai që do merrja për burrë. Në një kuptim, e zgjodha vetë, ashtu si e doja. Kur e njoha mirë, do doja të ishte edhe pak më i mirë. Qëkurse vendosëm të jemi bashkë, ne ishim me ambicie, donim karrierë. Erdhi një moment, kur bashkëshorti ishte Kryetar Gjykate, mua më propozuan një detyrë me goxha me përgjegjësi. U krijua një ngërç, kishim dy fëmijë të vegjël, nuk kishim asnjë nga familja pranë, puna ishte kohë e pa kohë. Atëherë Idajeti më tha: “Nëse mendon se duhet ta marrësh atë post, atëherë po tërhiqem unë”. U mendova. Për mua, fëmijët dhe familja ishin përgjegjësi e madhe, por dhe medalje e madhe, trofe në dorën e një gruaje. Arsyes së bashkëshortit duhet t’i përgjigjesha me arsye. Lashë sedrën, ambicien time, dëshirën për të qenë e suksesshme dhe vazhdova punën që kisha. Dhe, mirë bëra. Që të tregoj jetën time është histori shumë e mbushur. Ndoshta është hera e parë që flas për veten time. Dua të qëndroj në fokusin tuaj: karakterit tim iu gjet hapësira e duhur. Dituria nga shkollat që bëra, nuk do më bënte siç kam dashur të jem, nëse nuk do kisha bërë jetën që bëra, dhe nuk do kisha njohur mendjendritur, shkrimtarë, akademikë, artistë të mëdhenj, atdhetarë të flaktë, njerëz që i kanë dhënë identitetit të kombit shqiptar, politikanë të botës e ambasadorë shtetesh. Bashkëpunëtorë dhe miq të burrit tim dhe të shtëpisë sime kanë qenë ndër vite e janë: Dritëro Agolli, Rexhep Qosja, Agim Vinça, Dhimitër Shuteriqi, Kadri Roshi, Tinka Kurti, Prof. Bedri Dedja, Moikom Zeqo, Violeta Manushi, Ibrahim Tukiçi, Sulejman Pitarka, Qamil Buxheti, Isuf Luzaj etj. 

Miqësia mes femrave është një nga motorët ku ecën e gjithë bota. Si i keni marrëdhëniet me miqtë?

Miqësia është domosdoshmëri. Miqësitë e bukura janë ato mes miqsh të sinqertë dhe që kanë shumë të përbashkëta, por që patjetër duhet të kenë dhe ndryshime nga njëri-tjetri. Që miqësia të jetojë gjatë, duhet të japësh nga vetja. Unë kam mbajtur miqësi personale e familjare prej 30 apo 40 vjetësh. Më e lehtë është kur je më lart në një miqësi dhe mund t’i ikësh kollaj asaj miqësie kur sheh se diçka nuk shkon. Më vështirë është miqësia me ata që janë më lart. Unë u largohem këtyre miqësive, se nuk dua të ndjehem sikur kam nevojë për to. Nëse nuk gjendem në miqësi të mirë, më mjafton vetja.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top