Marrëdhënie

September 19, 2016 | 9:30

Dëshmi/ Sazan Guri: Dashuria, burim motivimi!

Kanë pothuaj 31 vite bashkë. Nuk janë pak, po ta mendosh. Një jetë krah përkrah njëri-tjetrit, në çdo përvojë a iniciativë të re. Një rrugëtim aspak i heshtur, përkundrazi, me “ngacmime” dhe larmi në funksion të mbarëvajtjes së çiftit dhe jo vetëm. U njohën në një ditë me shi, nga ato ditë ku edhe lodhja iu duhej nëpër këmbë. Ai, atë kohë inxhinier, sapo kishte zbritur nga makina e shërbimit e do rendte të merrte autobusin e linjës për në qytet. Befas ndali sytë. Bukuria e vajzës që i qëndronte përballë ia mori mendjen. Nuk duhej ta humbiste. Zeshkane, me sy të mëdhenj, bel të hollë, fiks si një artiste e huaj. Kaq shumë shkoi nëpër mend. Natyrisht që nuk e la me kaq. Inxhinieri i ri kish kohë në dispozicion. Në fund të fundit, punonin në një grup. …Dhe njohjet rendën. Dashurisë me shikim të parë i kishin dhënë shumë më tepër. Mes tyre kish energji diellore, e cila shprehej në harmoninë e krijuar mes njëri-tjetrit. Motiv që i frymëzonte jo vetëm në ndjenjat reciproke, por edhe në profesion, të cilin gjithashtu e kishin të përbashkët.

Sazan Guri rrëfen se “ngjizja e kësaj dashurie ka funksionuar, sepse prej aty e deri më sot jemi çift që ka respektuar marrëdhëniet jo vetëm bashkëshortore, por edhe familjare”. Ai ka vlerësim për kohën kur u njoh me Marianthin edhe kur thotë se “atëherë kishte vlerë intimiteti”. Ishin gjestet që e bënin më të këndshme sesa sot, edhe kur ndonjëherë i kanë kapur “me presh në duar”.

Emocione pozitive

Ata mezi prisnin të takoheshin pas pune me njëri-tjetrin. Sazani kujton me nostalgji ditët kur ktheheshin nga shërbimi së bashku. Preferonin të uleshin në fund të mjetit. Ishin katër orë udhëtimi, që nuk ndiheshin fare. Nuk bisedonte thjesht me kolegen, por ishte më shumë se kaq. Ai thotë se “flirtoje me sy e me mend dhe e ndieje shumë afër praninë e vajzës që doje. Po ti vësh re, sot njerëzit nuk kanë shumë nur, sidomos femrat kur martohen, sepse e kanë lëshuar atë që nga bashkëjetesa, e nuk sheh nuse që të marrë pamje tjetër. E kanë ezauruar si fazë. Mbaj mend Marianthin që ka ndryshuar shumë, si japoneze, e bërë thjesht, e lëshoi nurin pavarësisht bukurisë. U çel si lulja. Momenti i martesës nuk të ndryshonte vetëm statusin, jetën, por jepte emocion pozitiv drejt familjes, qelizës së re, adrenalina motivonte shumë gjëra. Janë kode të rëndësishme, që me gjithë diturinë brenda teje japin shpjegimin gjenetikisht se nga vjen. Kështu nën heshtje merr kuptim dhe familja”.

Sigurisht që jeta ka variacionet e saj. Rutina zë vend. Por çifti Guri ka ditur t’i ruajë “zakonet” e mira. Ndryshe nuk do të merrte kuptim kjo lidhje e gjatë. “Unë që e kam një mjedis të pjekur profesionalisht, e kam pikërisht nga diskutimi në familje. E kam të pjekur dy herë mendimin. Tani 4 herë edhe me dy djemtë. Marianthi është bashkëpunëtorja më e mirë”. Sikundër studiuesit e pohojnë se: të dashurosh do të thotë të kesh një mendje produktive, për Sazanin “ky bashkim forcash mban familjen. Ndihmon në proces krijimtarie dhe të bën multifunksional. Shumë vetë më thonë: po ti me gruan në shtëpi, me gruan në punë, nuk u mërzite? Nuk më ka shkuar mendja. Gruaja më ka dhënë frymëzim për të punuar shumë herë më tepër. Shumë vetë mund të punojnë gjatë në studimet e tyre, ndërsa unë në një periudhë më të ngushtë kam qenë produktiv. Frymëzimi familjar nuk ka shpjegim tjetër, gruaja recezente, njëri nga djemtë dizajn kanë shërbyer në librat e mi. Pa e marrë në ‘sy’, marrëdhënia familjare ka ndikuar në këtë burim apo aftësi dhe më ka avancuar”.

Ambientalisti i njohur, mbrojtës i një sërë çështjesh që lidhen me shëndetin e mjedisit, nuk lë jashtë rëndësisë edhe ndikimin që ka dashuria përtej procesit biologjik. Sipas tij, “edhe puthja në buzë është dhjetë herë më e mirë se larja e dhëmbëve, prodhon një lëndë të veçantë që i mbron ato. Edhe marrëdhënia tjetër, që kur e bën me pasion, punon shumë herë më mirë procesi biologjik në kontakt direkt. Më e sinqertë e që nuk ka të ngopur ka shumë rëndësi si e ke ‘hedhur’ marrëdhënien familjare.

Besoj te qeliza bazë, embrioni. Ndoshta fat nga origjina apo kultura, por kam vendosur norma të cilat më kanë lehtësuar raportin me shoqërinë, familjen. Dhe kur atë e vendos në çift ajo bëhet ushqyese e mirë edhe për brezat pasardhës”.

 

 

Botuar në revistën Psikologjia, nr.85

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top