Nuk i ka kërkuar gjërat me ngulm, për t’i pasur situatat në favor të saj. Madje as nuk e ka tepruar për të qenë kokëfortë dhe aty ku nuk duhej. Në marrëdhënien e saj me mamanë e bashkëshortit ka ditur të jetë e drejtpërdrejtë, dhe pse jo bashkëpunuese për të treguar natyrën dhe karakterin e saj. Suela Bako tregon se në raportin e saj me Linditën, vjehrrën, ka përdorur maturinë për t’i lënë të kuptojë se si kërkon t’i ketë marrëdhëniet.
Psikologët thonë: të biesh dakord me nënën e partnerit ia vlen. Sepse ndihmon për të krijuar dhe mbajtur një raport të qetë në çift. Cilat kanë qenë momentet e para?
Kanë qenë të thjeshta, por dhe disi të sikletshme. Mbaj mend herët kur duhej t’i drejtohesha “mami”. Si fillim e shmangia, më pas e bëja me zë të ulët, deri sa erdhi çasti kur e bëja krejt natyrshëm. Problemi ishte kur bëheshin bashkë, mami im me Linditën, dhe kur thërrisja njërën më përgjigjeshin të dyja, deri në momentin që linda fëmijën e parë e fillova t’i thosha “nëna” prej vajzës. Pastaj, duhej të kuptoja si shtrohej tavolina në shtëpinë e vjehrrës, të laja enët dhe të bëja kafenë pas buke, gjëra që mbase kanë bërë të mundur që të pranohesha lehtë e pa shumë “zhurmë”. Unë hyra në atë shtëpi dhe u bëra pjesë e saj shumë shpejt.
Si i keni vënë pikat mbi “i”?
E thënë kështu, tingëllon paksa e sertë. Ne nuk e kemi bërë ndonjëherë si të tillë. Kur diçka nuk shkonte, bëja pak durim dhe kur përsëritej disa herë, gjeja një çast e thosha që kjo nuk më pëlqen, duke u përpjekur që të mos e lëndoja. Me kalimin e viteve fillova të bëhesha nuse “e vjetër”, pastaj puna e ngarkesa në familje bën të vetën. Mbase ndonjëherë i kam lejuar vetes edhe të ngre pak zërin, apo të mos kem përdorur taktin e duhur, por ka kaluar shpejt.
Sa e hapur keni qenë me të?
Jam përpjekur shumë. Nëse nuk kisha shumë guxim të flisja për veten, përdorja shembuj të tjerë. Në përgjithësi jam njeri që nuk di të gënjej. Nuk e fsheh dot nervozizmin apo mërzinë, ma tregon edhe fija e flokut. Momenti kur jam përpjekur vërtet të jem e hapur ka qenë kur linda vajzën, Kaltrin. Ky është çasti kur të gjithë përplasin eksperiencat e tyre në lidhje me rritjen e fëmijës, veshjen, tekat, etj., por në fund fare i takon nënës së foshnjës dhe babait që t’i japin drejtim.
Si jeni përballur?
Kaltrin ishte fëmija i parë në shtëpinë e Romirit, bashkëshortit, dhe vjehrra, Lindita, i ka pasion fëmijët. Donte të kontribuonte në çdo çast. Atëherë ka qenë momenti më i vështirë. Të dyja vinim në një eksperiencë të re. Unë kisha nevojë për hapësirën time, për t’i bërë gjërat vetë, të merrja iniciativa, qoftë dhe për të gabuar, që të mësoja. Ka qenë pak e vështirë. Unë doja ta vishja lehtë, ajo ta vishte trashë; unë doja t’i flisja me zë të ulët, ajo ta përkëdhelte me zë të lartë; unë doja të mos tundej kur flinte, ajo e kish kollaj me të tundur, e të tjera si këto. Këtu duheshin thënë gjërat shkoqur dhe ne e kemi bërë. Më saktë, unë e kam bërë.
Po ajo me ty?
Vjehrra ime ka diçka. Kur mërzitet, nuk flet fare. Këtë më është dashur kohë ta kuptoj, por ama, tani e kuptoj në ajër. Në lidhje me të qenit e hapur, di t’ju them se pasi u martova, më ka trajtuar si vajzë (mbase prej mungesës së të bijës, e cila ka qenë jashtë me studime). Në një mënyrë apo një tjetër ka zbërthyer dhe ajo veten e kështu kemi gjetur një urë të pa komplikuar komunikimi.
Ajo që duhet bërë, është të sillesh në mënyrë natyrale. A keni vepruar ju kështu?
Unë jam natyrë impulsive, por di të bëj edhe të tërhequrën kur duhet. Besoj se dhe Lindita, vjehrra, nuk ka dalë asnjëherë nga vetja në marrëdhënie me mua.
Botuar në revistën Psikologji, nëntor 2010
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.