Në fokus

November 6, 2017 | 9:38

Dëshmi/ Ujvara Hajdari: Kreativiteti & stamina

Ja çfarë e bën Ujvarën të ndryshojë nga të tjerët:

untitled

T’ia besosh imazhin dikujt tjetër! Padyshim që ky hap ndodh përmes një procesi dyshues për së pari, e mandej dilemës për siguri dhe mbarëvajtje në portretin tënd. Të gjesh të duhurën, atë që i përshtatet më së miri edhe karakterit, natyrës tënde në lidhje me idetë e kuratorit estetik, është një bonus relativisht i madh për mirëqenien vetjake. Priremi të ndërrojmë parukierët, grimiorët, kur ata nuk i qëndrojnë besnikë shijeve tona, por ka dhe nga ato raste që bëjmë be për artistin, kurues të imazhit tonë. Ujvara Haxhiaj është nga ato duararta që të bëjnë të mos e ndërrosh me askënd tjetër. Jo më kot, shumë personazhe të shoubizit “lënë kokën” pas saj. Një imazh në perfeksion, tejet i pastër, gati i kulluar si një pikë uji. Dhe kjo mjeshtëri i takon asaj, që për fat, Zoti duket se ia ka trashëguar edhe me emrin që bart.

Sa vite ka që i përkushtoheni këtij profili?

Ka mbi 10 vjet që i jam përkushtuar këtij profesioni të mrekullueshëm e po kaq sfidues në të njëjtën kohë.

Ju jeni vetë modeli i parë i dukjes. Priren personazhet të kërkojnë të njëjtën gjë në portretin e tyre?

Edhe ndodh, por nëse unë guxoj të provoj te vetja, jo të gjithë e duan këtë. Stili, lloji i flokut, make up, forma e fytyrës, karakteri individual i njeriut, duhen respektuar e individualizuar. Nuk më pëlqen një krehje e bukur, por një grua e bukur. Dhe këtë mundohem ta respektoj me fanatizëm. Klientët shpesh më kërkojnë se duan të duken si një këngëtare apo artiste e famshme, por unë mundohem shumë t’ju sqaroj se kjo jo gjithnjë funksionon.

untitled1Kuratori i imazhit është njëherësh edhe psikolog për personazhin. Sa shpesh gjendeni para një situate të tillë?

Unë sugjeroj, por në fund, një zonjë duhet të vendosë vetë. Nëse më kërkon p.sh. buzëkuq të kuq si kurorë mbi një fustan të verdhë dhe unë nuk jam dakord, e kam të qartë që do ta vendosë edhe kur të ikë nga unë, ose kliente që janë super konservatore dhe nuk janë të hapura për ndryshime, kliente që duan një tualet të rëndë në një mbledhje pune gjatë ditës, etj. Megjithatë, unë nuk lodhem asnjëherë në përpjekjen time për t’ju argumentuar pse kjo gjë nuk shkon dhe mund të them se në shumicën e rasteve, kjo këmbëngulje më është shpërblyer. E kjo është arsyeja pse më pëlqen puna edhe për këtë. Rëndësi ka që e bukura do të fitojë në fund dhe që zonjat që dalin nga salloni im të ndjehen komode me veten.

Po kur janë të mërzitura, a bëheni ju këshilluese?

Si në çdo vend pune, ti bën mikesha të mira, e kur kjo e kalon marrëdhënien në një stad tjetër, sigurisht që impenjohem të bëj shoqen e mirë që t’i thotë gjërat siç i mendon, edhe pse kjo mbase nuk është zgjidhja më e mirë.

Sa ndikon emocionalisht performanca juaj në aktivitetin e figurave të njohura? Ua rrit kjo gjë vetëbesimin?

Sigurisht që po. Nuk besoj se ka njeri në këtë botë që kur e sheh veten në pasqyrë e vetja i pëlqen, nuk i rritet vetëbesimi. Nëse të pëlqen vetja se si dukesh, kjo patjetër që shton edhe konfidencën te njeriu.

Po te ju vetë ndodh e njëjta gjë?

Jam e ndërgjegjshme që, një pamje e bukur rrit vetëbesimin dhe secili nga ne ndjehet më mirë. Unë dua që kur të dalë nga unë një grua, të shohë në pasqyrë atë që është: e bukur! Rimeli im i fsheh lodhjen, i shton harmoninë në fytyrë, apo rouge në faqe i jep pak freski edhe pse mund të jetë e pagjumë. Flokët e krehur të bëjnë të ndihesh në formë. Make up ka shumë sekrete që mundësojnë një fytyrë të lodhur, të pa mirëmbajtur të duket bukur. Ose në mos qoftë ky rasti, të përkëdhelë veten me pamjen që do të ketë dhe që e realizojmë bashkërisht. Për mua çdo grua është e bukur, por çdo grua mund të bëhet edhe më e bukur. Me personazhet publikë, ku pamja ka rol të fuqishëm, e për disa rëndësi ka që të ndjehen të sigurta me të para se të dalin në skenë apo të shkojnë për një intervistë. Nëse respekton veten, tregon që respekton dhe publikun. Sigurisht që ndodh dhe me mua. Nëse nuk do e kisha provuar, do ta kisha të vështirë të kuptoja se çfarë do një grua. Kjo punë nuk bëhet nëse nuk je kreativ dhe nëse nuk ke empati. Ka sa pasion aq edhe mund në të.

Besimi në profesion krijon edhe lidhje shoqërore. Sa e prirë jeni të krijoni miqësi të reja me personazhe publikë?

Me disa jam bërë mike dhe pjesa më e madhe mbeten vetëm kliente. Miqësitë kanë tjetër raport pastaj. Me mikeshat edhe “debatojmë” e zakonisht në fund fitoj unë se e di që nuk do më mbajnë inat. P.sh, ngulin këmbë që nuk duan të ndryshojnë ngjyrën e flokëve dhe mua më duket se kanë flokë pa jetë. Do i bind me vështirësi, por në fund më japin të drejtë. Madje, kur jam shumë e bindur, kam marrë edhe vetë vendime me gërshërë në dorë, por kjo ndodh vetëm në rastin kur ato janë vërtet rreth i ngushtë.

Sa optimiste bëheni kur jua përkëdhelin sedrën?

Të them të drejtën nuk mendoj për këtë. Kënaqem kur ndjej e shoh që kënaqen klientet. Nuk kërkoj të ndjehem unë e rëndësishme. Mua më mjafton besimi që më japin. E kam kuptuar që kjo është gjëja më e rëndësishme në çdo marrëdhënie pune, miqësie, dashurie: besimi. Për këtë u jam mirënjohëse të gjithave, qofshin mikesha a kliente.

untitled2

Cila është këshilla e karrierës që ua sugjeron të tjerëve?

Për këdo të më pyesë, do t’ju them: Mos bëni maska, por nxirrni në pah bukurinë e fshehur a të harruar që çdo grua ka. Natyralen. Atë që e bën të jetë një grua më e bukur dhe më e sigurt.

Po vetë sa kujdesesh për imazhin?

E thashë edhe pak më parë se, nëse nuk do të kisha respekt për fuqinë e imazhit, nuk do të merresha me këtë punë. Por imazhin tim besoj tanimë e ka ndërtuar puna ime. Dikush habitet e thotë: qenke shumë e re. Dikush hyn me mosbesim në sallon. Por momenti më i bukur është kur dalin të kënaqura. Por më qëllon shpesh në fund të ditës t’i them vetes: ah sikur të më krihte dhe mua dikush tani!

Sa rëndësi ka pamja e jashtme?

Nuk ka pamje të jashtme të bukur a zbukuruar që t’i bëjë dot ballë një shpirti jo të bukur. Unë mund të kuroj të parën, por pa të dytën do të ishte false! Lum kush i kombinon të dyja!

Si e shikon shoqërinë tonë në këtë drejtim?

Më vjen keq që shoh më shumë sipërfaqe e lustër që bën zhurmë kot! Më vjen keq kur shoh që tualeti i mbrëmjes bëhet në pikë të mëngjesit apo kur vajzat e reja përdorin aq make up në shkollë sa mua më mjafton për një nuse. Do të doja të flisnim më shumë për të bukurën që flet dhe jo për bukurinë e fytyrave si objekt. Ndaj, mos ma merrni për të keq, por do ju sugjeroja që së bashku të flasim më shumë për të bukurën që vajzat e gratë duhet ta ndërtojnë brenda vetes. Me atë bukuri unë e koleget e mia mund të nxjerrim në pah një mrekulli!

Revista Psikologjia, nr.118

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top