Në fokus

December 29, 2017 | 10:08

Dëshmi/ Zhaklina Dhimojani Blättler: Festat… çasti për t’i dhënë shans të mirës të vijë

Nga Orjona TRESA

Humanizmi është një vlerë pas së cilës ka ndërtuar një individualitet të fortë dhe të sigurt në jetën e saj. Ndonëse nuk i pëlqen të bjerë në sy për këtë virtyt, ajo pohon se kjo është një nga ato gjëra që e bën të ndihet krenare e që do të vijojë ta bëjë, edhe pse në heshtje. Nuk ka nevojë të ndihesh e të bësh zhurmë për të përçuar mirësi te njerëzit. Mjaftojnë gjestet. Janë ato që falin dashuri dhe shpresë për këdo ka nevojë. Në muaj festash, angazhimi i saj, më së shumti moral, e gjen të përmbushur në qenësinë e saj si femër, bashkëshorte, prind dhe fëmijë i dy prindërve që ka larg, si dhe i dy motrave dhe vëllait të vetëm të saj. Në memorien e kujtdo, ajo njihet si personazhi i Mozës, në filmin “Mimoza Llastica”, ndërsa sot, personaliteti i saj përfaqëson një figurë të rëndësishme në shoqërinë zvicerane. Mbi dy dekada e gjysmë larg vendit të saj, në Bern të Zvicrës, Zhaklina Dhimojani ka ndërtuar një jetë edhe më të plotësuar në të gjitha dimensionet. E kontaktojmë në muaj festash, për të cilat thotë se kanë rëndësinë e veçantë, sidomos kur kalohen me familjen.

untitled

Çfarë janë festat për ju?

“Në 13 vitet e fundit e kam ndier shumë këtë pjesë, sidomos Krishtlindjet, që për mua është festa e familjes. Çdo gjë merr kuptim, ka shumë dashuri për të dhënë e për të marrë. Këtu në Zvicër atmosferën e festave të fundvitit e përjetoj akoma edhe më të veçantë, për shkak të traditës. Panorama e dritave shumëngjyrëshe, zbukurimeve, merkatinove të Krishtlindjeve janë mahnitëse. Unë kam kaluar një pjesë të konsiderueshme të jetës në Itali, një vend katolik, ku kjo periudhë merr vëmendje, por do të zgjidhja akoma për shumë vjet që Krishtlindjet t’i festoja këtu, në Bern.

Bëni dhurata apo i prisni ato?

Më pëlqejnë të dyja ndjesitë. Po ju rrëfej: ditën e sotme shkova në qytet, në kërkim të një dhurate për njërën prej punonjëseve të institutit tim të kozmetologjisë, njërin nga më të kompletuarit në Bern, ajo është bërë nënë. Këtu nuk ka rëndësi se çfarë ti dhuron, këtu vlen mendimi.

Ku qëndron simbolika në çift, si prind, fëmijë i dy prindërve etj?

Në familje ka domethënien e vet, duhet respektuar. Im shoq është në kategorinë e gjërave funksionale, unë për të te simboliket. Vajza, Aleksandra 22 vjeçe, i kërkon dhe i zgjedh vetë, thjesht na kujton. Me motrat kam vite që nuk shkëmbejmë më dhurata, me prindërit vazhdoj të dhuroj sipas traditës sonë, shumë edhe të nevojshme.

Dy dekada e gjysmë larg vendlindjes është realizuar ëndrra juaj?

Ndihem e realizuar, sepse mbi të gjitha kam një familje më se të mrekullueshme. Më është dashur t’i bashkëngjis, sinqerisht, jo pa mund, rolit që bën çdo grua edhe përpjekjet për t’ju përshtatur një mentaliteti që s’është i yni. Im shoq është zviceran dhe në fillimet e martesës sonë, përpjekjet e mia për ta bërë më të ngjashëm me veten, ishin në rendin e ditës, ndërsa sot mund të them pa hezituar që, ai në shumë gjëra është më shqiptar se unë. Kjo është forca e një gruaje, ajo mund të ndërtojë shumë gjëra.

untitledÇfarë ju bën krenare?

Mbi të gjitha, mënyra se si kam bërë dhe bëj rolin e nënës. S’ka arritje më të madhe, veçanërisht për kohët që jetojmë. Jam krenare kur dëgjoj time bijë, sot 22-vjeçare, teksa më thotë: Ti je nënë për çmim “Oscar”. Por nuk është më i vogël emocioni kur dëgjoj nënën time, teksa thotë: Ti je krenaria ime, jonë. Si bashkëshorte e një funksionari të lartë, më bën krenare jo vetëm fakti, por edhe diçka tjetër. Në çaste të vështira, unë jam për të këshilltarja e tij më e mirë. Përsa i përket rrugëtimit tim profesional, për më shumë se dy dekada punoj dhe bëj gjëra për shqiptarët dhe Shqipërinë. Kam punuar për 14 vjet rresht dhe vazhdoj, edhe pse jo me kohë të plotë, për zyrën federale të refugjatëve. Tek unë, që në fillimet e saj, kjo zbuloi altruizmin tim, çka më bën shumë krenare. Nga ana tjetër, vitet e fundit, falë mbështetjes së tim shoqi, kemi mundësuar pajisjen me logjistikë në sektorë të ndryshëm për Himarën, vendlindja e babait tim. Do të nënvizoja këtu faktin se, fale ndihmës sonë, Himara me fshatrat rrotull ka një shërbim të mirëfilltë zjarrfikësesh dhe më shumë se 12 familje jetojnë falë punësimit në këtë shërbim. Por, nuk ka qenë e paktë edhe ndihma me logjistikë në sektorë si: policia, bashkia dhe shkolla.

Humanizmi, çfarë ju bën të jepni?

Fatkeqësisht në Shqipëri keqpërdoret dhe keqkuptohet. Bën diçka dhe shihesh si rivale, pasi ndoshta, vë në hije ata që për funksion duhet ta bënin atë që bën ti. Por, unë nuk bëj asgjë për të tërhequr vëmendjen dhe aq më pak, për të tjera arsye. Jam e realizuar me gjërat që kam bërë dhe vazhdoj të bëj. Kam një nga qendrat më të kompletuara dhe më në zë të kozmetologjisë në qytetin ku jetoj, arsye për të cilën është pjesë e “Medical Brauty Circle”. Udhëtoj shumë, por gjej edhe kohë për të qenë shpesh në Shqipëri, ku hyj dhe dal në majë të gishtave, pa kërkuar as vëmendje dhe as merita. Nga ana tjetër, për të mbetur në temën e humanizmit, Zhaklina është një adresë ku trokitet dhe zgjidhen probleme, që për jo pak raste kanë qenë të një rëndësie gati ekzistenciale, gjë për të cilën, mund të dëshmojnë persona që kanë një emër dhe mbiemër. Gjithashtu, pa qenë feministe, Zhaklina është anëtare e CFD, një organizatë në mbrojtje të pakicave, me në veçanti një organizatë që lufton kundër dhunës ndaj gruas.

A janë festat, sipas jush, reflektim mbi disa vlera?

Festat në përgjithësi, por veçanërisht Krishtlindja, është një rast për të qenë më të mirë, është një shans që i japim së mirës për t’u bërë pjesë e jona.

Pushimet e dëshiruara?

Për vitin që vjen, duam të realizojmë një udhëtim në Australi ose në Amerikën e Jugut, në Argjentinë. Edhe pse dashuria ime mbeten vendet arabe. Kam qenë shpesh në Oman, Iran, vende që janë ndryshe nga Dubai ose destinacione të ngjashme, të cilat, për shijen time janë një realitet i ndërtuar vetëm për turistin. Janë pikërisht këto udhëtime në vendet arabe, që bën ime bijë, Aleksandra, t’i zbuloj. Janë shumë interesante, aq sa të vendosë të studiojë kulturë orientale me specializim “Shkencat Islame”. Ajo është katolike, im shoq po ashtu, unë bijë e një myslimaneje dhe një ortodoksi, por që të gjithë bashkë do të themi: Gëzuar Krishtlindjen më 25 dhjetor!

Botuar në revistën psikologjia, nr.115

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top