Marrëdhënie

February 11, 2016 | 8:21

Dëshmi/Albi Nako: Femra, një botë brenda botës!

Albi Nako, balerin dhe koreograf i njohur i trupës së baletit në TV Klan. I suksesshëm në fantazitë e tij të realizuara në skenë përmes formateve të llojit spektakël, si: “E diela shqiptare”, “Këngët e Shekullit”, “Kënga Magjike dhe “Gjeniu i Vogël”.

Albi Nako, balerin dhe koreograf i njohur i trupës së baletit në TV Klan. I suksesshëm në fantazitë e tij të realizuara në skenë përmes formateve të llojit spektakël, si: “E diela shqiptare”, “Këngët e Shekullit”, “Kënga Magjike dhe “Gjeniu i Vogël”.

Në artin e tij, magjia e lëvizjeve përmes tingujsh shpreh më shumë se fjala. Shpërthimi artistik është ai që e ngërthen dhe e përfshin emocionalisht dhe shpirtërisht në zbërthimin e figurave koreografike. Femra është figura që e plotëson këtë art, nëpër të cilin, ai, ka vite që rrugëton duke lënë gjurmë të mahnitshme. Për koreografin, balerinin Albi Nako, pjesë e trupës në TV Klan, këndvështrimi i tij për femrën është rrezatimi i një bote brenda botës, plot jetë dhe mistere deri në përjetësi. Prej vitesh krijues, bashkëpunëtor dhe drejtues i një stafi femëror, në rrëfimin e tij ai vlerëson vetitë shpirtërore të femrës. Sipas Albit,  plastika koreografike është shprehje, është fjalë pa tingull. Nëse ato përplasen me shqisën e dëgjimit, plastika koreografike nëpërmjet shikimit depërton brenda shpirtit dhe shpirti i flet shpirtit, kjo është unikale.

INTERVISTA

Si do ta personifikonit një femër?

Nuk është e thjeshtë. Përkundrazi, është shumë e vështirë, pothuaj e pamundur. Si një tokë të pasur me humus, gjithmonë nën vlagë e gatshme për t’u pluguar, për të mbjellë në dhé, e riprodhuar farën e jetës. Femrën e personifikoj edhe me ujëvarën e cila vërshon mbi humnerë në mënyrë marramendëse, dëshirëplotë gjer në vetësakrifikim. Femrën do ta personifikoja edhe me pranverën, rilindjen e vitit, lulet që çelin, me gjelbërimin, ngrohtësinë e rrezeve të diellit, kaltërsinë joshëse të qiellit, me frymëmarrjen e qetë të detit. Femra është një botë brenda botës që rrezaton vazhdimisht veten e saj gjer në përjetësi.

Cilat janë karakteristikat e femrës ideale?

Femrat mbartin elementë të ideales sepse në asnjë shoqëri njerëzore nuk ka pasur femra ideale nga më tepër në shoqërinë tonë, veçoritë e së cilës i njohim. Jetojmë në një kohë ku bashkëjeton e mira me të keqen, virtyti me vesin, padija me dijen, gënjeshtra me të vërtetën, madje shpeshherë këto tipare konvertohen. Vlerat shndërrohen në antivlera dhe anasjelltas. Në këtë trysni të turbullt, idealja mbetet brenda ndërgjegjes së njeriut, jashtë kësaj koshience idealja është iluzion.

Si duhet të jetë një femër që të quhet e bukur?

Kjo është relative. Ajo që është e bukur për mua, nuk është e tillë për një njeri tjetër dhe anasjelltas. Shijet janë individuale. Ato nuk njehsohen e as përgjithësohen. Gjithsesi një femër do të ishte ideale nëse atë mund ta kishe shoqe në kuptimin e gjerë të fjalës. Shoqëria jonë do të përfitonte shumë nëse do të arrinte të mos paragjykonte një marrëdhënie midis dy sekseve të ndryshme duke përjashtuar anën time. Një femër do ishte ideale nëse do isha edhe unë ideal për të. Mund të gjesh një femër që mund të jetë model i përfytyrimit tënd por duhet menduar edhe ana tjetër. A mund të ishe edhe ti modeli më i mirë për të? Ideja  e shpirtit binjak më tepër ngjan si një shprehje letrare se sa, si një e vërtetë.

Çfarë nuk duroni dot te një femër?

Kur ajo përpiqet të tregohet sikundër nuk është, kur merr poza që nuk i shkojnë, kur trukohet gjer në shpërfytyrim, kur flet me slogane, të cilat i shet si gjëra të natyrshme që janë pjesë e kulturës së saj.

Ndikimi i profesionit tuaj në përcaktimin e femrës?

Realisht profesioni ndikon ndjeshëm në këtë pikë sidomos kur je në pozicion drejtues. Në planin profesional femra është e magjishme dhe si çdo magji ke dëshirë të mos e prishësh, por edhe kur punon me të duhet të bësh kujdes që ta lësh brenda magjisë së saj. Nga ana tjetër profesioni i baletit ndikon ndjeshëm në njohjen e vetive shpirtërore të femrës, pa dashur të filozofoj, nënvizoj se plastika koreografike është shprehje, është fjalë pa tingull. Duke gëzuar këtë veçori unike, unë përcjell mesazhe dhe emocione të brendshme me ngarkesë më të madhe se fjala. Nëse fjala me tingull përplaset në shqisën e dëgjimit, plastika koreografike nëpërmjet shikimit depërton brenda shpirtit, pra shpirti i flet shpirtit, kjo është unikale.

Sa i aftë është një burrë për ta kuptuar një femër?

Në mos u gabofsha, unë nuk di të ketë një burrë të përcaktoj një femër. Nuk matet me sy lartësia e një mali nga thellësia e detit. Femra kurrë nuk mund të jetë si uji i ndenjur. Ajo rrjedh gjithmonë. Gjithmonë është e lëvizshme, në kohë dhe vazhdimisht e papërsëritshme. Në planin psikologjik do përdorja një aforizëm që thotë se edhe burri më i mençur në botë do të ishte naiv nëse do përpiqej të lexonte sytë e një femre. Aty janë portat pas së cilave fshihet një botë e mbushur plot jetë dhe mistere.

Botuar në revistën Psikologjia, shkurt 2012

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top