Në fokus

February 11, 2016 | 9:30

Suzana Varvarica Kuka: Individi në shoqëri, një përndjekës pa rrugëdalje

Ajo është një kritike e zonja, studiuese e artit pamor, kryefjalë e numrave pa fund të ekspozitave figurative, kuratore me dijet e saj kundrejt një performance të plotë të autorëve më në zë të Galerisë Kombëtare të Arteve. Personazh i mendimit të lirë dhe krejt e hapur ndaj fenomeneve të shoqërisë, vërtetësia e saj na bën të kthejmë vëmendjen kundrejt këndvështrimeve reale e të mençura përpara një shoqërie ku gjithnjë e më shumë shtirja po zë vend. Në fokusin e këtij numri, fenomenin e njerëzve stalker, Suzana Varvarica e sheh si një model që më së shumti e has te popullsia e re, te rinia, por jo se edhe më herët, në regjimin e shkuar nuk ekzistonte. Në rrëfimin e saj, kritikja e njohur sjell dëshmi nga ngjarje apo situata ku i është dashur të ndeshet me persona të tillë, stalker-a, për të cilët shprehet pa frikë se “politika komuniste ka qenë një stalker, që ka shkaktuar tragjedi pa fund mbi gruan dhe burrin shqiptar e të huaj”.

A është shoqëria jonë një “stalker”?

Eh? Nuk do ta mendoja kurrë veten të isha një nga të intervistuarat e këtij fenomeni, të cilin askush nuk ta donte ta jetonte qoftë edhe për disa çaste. Por kush arriti të mos jetë në një formë apo në një tjetër? Kështu që dhe unë nuk i kam shpëtuar. Gjithsesi, mendoj që shoqëria shqiptare me segmentet e saj të shumëllojshëm si të çdo shoqërie tjetër e njeh ketë fenomen, sepse vetë shoqëria si një trup jo material, është një ndjekëse deri në përndjekje ndaj individit dhe individi, një përndjekës pa rrugëdalje i shoqërisë. Shembuj të tillë vijnë nga politika, arti, ekonomia dhe jeta sociale e çdo kohe. Gjithsesi, unë mendoj se e gjithë popullsia e re, që po formohet në bazë të ndryshimeve të formave të edukimit, ku libri nuk është më primari, por imazhi lëvizës ka marrë fuqi maksimale, që do të thotë se imazhi lëvizës është një stalker ndaj individit dhe individi një stalker i vetvetes në imazh, jeton e rrethuar nga sistemi stalker. Por mund të shprehem pa frikë se politika komuniste ka qenë një stalker, që ka shkaktuar tragjedi pa fund mbi gruan dhe burrin shqiptar e të huaj. Tashmë jemi të mirëinformuar se në çfarë situatash përndjekjeje ka kaluar shoqëria në tërësi, ku stalker i saj ishte ideologjia, parullat në mure, në shtylla, në uzina, në kooperativa, në spitale, në burgje, në klasa shkollash dhe kudo. Si dhe kjo masë e një megamakine të madhe, që përbëhej nga ide fikse ka përndjekur shumë njerëz asokohe, ku dënimi i tyre kthehej në një ferr pambarim, duke i përndjekur në çdo fjalë apo veprim të tyrin, ku dhe burgosja 5-vjeçare u kthehej në 10 apo edhe më shumë vite. Dhe kjo ndodhte pikërisht nga një përndjekje e pështirë politike sesa nga një faj apo gabim që kishin kryer.

Ku e vini re më shumë, në politikë, art apo në jetën sociale?

Më lejoni të të shprehem se e vë re në të tre kategoritë që ju përmendni. Në politikë, ku një masë e madhe njerëzish janë të afektuar ndaj saj dhe e ndjekin me shumë pritshmëri dhe ethe. Kjo duket se janë të lidhur aq fort, sa nuk lënë asnjë program politik e ideologjik pa ndjekur, diskutuar dhe në fund pa u kapur pas debatesh dhe zëniesh nga më banalet. Ndërkohë që mendoj se politikanët aktivë janë stalker pa thonjëza ndaj medias, të cilës i janë qepur keqas, për t’i treguar asaj, masës së popullsisë që i ndjek pas, se ata janë aty si një imazh i plotë i pushtetit. A nuk është kjo një ngjitje e shëmtuar stalker-ash të njëri-tjetrit, që nënkupton: politikani pas medias dhe popullsia pas politikanit? Por a nuk është një stalker një opinionist që i qepet karriges së një skene mediatike, duke kërkuar të imponohet me mendimin e tij? A nuk është një stalker e gjithë bota rozë e personazheve “VIP”, të cilët me prapanica, buzë e celulite janë në faqet e gazetave dhe të revistave, në tapetet e kuq, në ekranet e televizione, në dance-t televizivë, në ëndrrat e adoleshencës së paditur? A nuk është kjo botë mediatike, televizive, komerciale një nga përndjekëset më të ethshme mbi mendjen, ndjesitë dhe arsyetimet e shoqërive kudo në botë, madje e atyre me moshë më të re?! Por, a nuk janë të “pasurit” stalker-a të karrigeve të Parlamentit dhe Parlamenti stalker i votës së popullsisë, se pa të nuk arrihet të ketë një parlament? A nuk janë festat globale, të lindura në një popullsi tjetër, stalker për një popullsi tjetër që nuk e ka këtë përvojë? A nuk të kanë sulmuar stalker-ët kur të duhet të bësh atë që bëjnë disa të tjerë, edhe pse nuk ke asnjë arsye pse e bën? A nuk është opinioni i të tjerëve një stalker që bie mbi ty dhe të ka pushtuar? E tjerë e tjerë…

Jeta shpesh na përball me njerëz të cilët duam t’i evitojmë, por e kemi të pamundur për shkak të këmbënguljes së tyre, e cila shndërrohet deri edhe në përndjekje, me telefonata pa fund, SMS apo thashetheme për të na prishur punë, për t’u hakmarrë nga refuzimi që marrin. Keni pasur të bëni me persona të tillë në jetë?

Gjithsesi, deri tani ju tregova mendimin tim ndaj përndjekjes së kushtëzuar e të lindur nga sisteme kolektive e të organizuara, madje dhe gjëra që dihen. Ndërsa të tilla situata vetjake unë mund të kem kaluar shkarazi, por jo pa lënë në kujtesën time gjurmë. Por, falë vetëdijes sime, që ka qenë e fortë, kam larguar çdo përndjekje të ndonjë çmendurie politike si për shembull të bërit komuniste në kohën e diktaturës. Natyrisht, sapo përfundoje shkollën emëroheshe në një punë. Kjo ndodhte menjëherë. Ndërsa pas një kohe të shkurtër, si dhe po të kishe qenë student apo studente e dhjetës, kështu cilësoheshe atëherë, të ngjitej një kandidat partie, i cili nuk të linte rehat derisa të të mbushte mendjen se ishte detyrë e shenjtë e atdheut të ishe pjesë e radhës së komunistëve shqiptarë. E bënte këtë gjë derisa të kompromentonte viktimën, duke i dalë përpara si rastësisht ose duke i thënë se nesër takohemi pasi të jesh menduar. Unë e durova kandidaten e partisë rreth 5 muaj, por e kisha vendosur se kurrë e asnjëherë nuk do të isha një prej komunistëve shqiptarë. Arsyeja ishte sepse nuk e duroja aspak diferencën e tyre idiote nga e të tjerëve dhe nuk kam pas asnjëherë respekt për komunistët e rinj të viteve ‘80. Stalker-en time 5-mujore e kam larguar me dinjitet dhe profesionalizëm, pasi m’u afrua për herë të fundit o të më kompromentonte ose të më dënonte. Ajo më tregoi një punim arti mediokër, diletant, por që në subjektin e vet kishte një grua nudo e shtrirë dhe një dorë me thonj të gjatë që po i shkulte zemrën. A e dini se çfarë i thashë: Jam shumë injorante për të njohur këtë piktor, po ju pse ma bëni të ditur një gjë të tillë, nuk keni frikë? Ajo u largua dhe nuk u kthye kurrë tek unë. Kam dëshirë ta takoj, por kanë kaluar 36 vjet prej asokohe dhe nuk e kam parë kandidaten komuniste. Dhe natyrisht që kur kam refuzuar të pranoj gabimin e pabërë, sepse e kam quajtur të drejtë veprimin apo dhënien e mendimit tim të shkruar në media, kam pranuar të jap dorëheqjen nga pozicioni administrativ që kam pas. E kjo do të thoshte për palën e fortë marrje e “dënimit të merituar”. Ndërsa në ditët e sotme është pak më ndryshe. Me profesionin që kam, nuk më është dhënë shansi i shumë rasteve, por edhe ndonjë ka ndodhur. Por duhet të dini se ka ndodhur si një mbeturinë e sistemit stalker-ian komunist. Ja një shembull andej nga kapërcyelli i viteve 2000. Punoja për një film dhe më pëlqente puna të cilën e kreva me shumë impenjim. Përfundoi faza e parë dhe nisi faza e dytë. Siç ju thashë më sipër nuk mund të duroj diferencimin e padrejtë dhe shkeljen në profesion. Një ditë, pasi kisha marrë një të tretën e shpërblimit financiar, dorëzova skenarin dhe u largova, duke marrë me vete pjesën time të krijimtarisë. Më pas jam ndjekur me telefon dhe takime nga disa persona, për rreth 3 apo 4 muaj, të cilët më shqetësuan shumë, por zgjidhja erdhi shpejt me një konsultë avokatie. Prej saj kuptova se kisha të drejtë dhe do të fitoja, pasi më kishin kërcënuar me gjyq. Por konsulenca më bëri të ditur se shuma që unë kisha marrë më takonte dhe nuk mund të kushtëzonte askënd të hapte një gjyq, sepse e para do humbte dhe e dyta do të shpenzonte shumë e më shumë para se më kishte dhënë. Mund t’u them se është një fenomen i shëmtuar, që e kryejnë ata që mendojnë se janë më të fortë se ty, por kurrë më inteligjent se ty. Janë individë, të cilët nuk dinë të komunikojnë në mënyrë të qetë, nuk dinë të respektojnë punën dhe personalitetin e tjetrit, janë njerëz që dhunojnë e dominojnë mbi tjetrin, pra janë njerëz që distancohen nga tjetri. Kjo është një teori agresive, rudiment i vjetër dhe i pashpresë, për cilësitë më të mira që mendohet të ketë një shoqëri e edukuar mirë. Gjithsesi, nuk mendoj se nga fenomeni stalker mund të shpëtohet thjeshtësisht, sepse po më kujtohen shumë të tilla.

Butuar në revistën Psikologjia, nr 102

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top