Marrëdhënie

February 12, 2016 | 8:57

Dëshmi/Arian Leka:Femra bind letërsinë të kthehet nga ajo!

Arian Leka, shkrimtar bashkëkohor i njohur për prozën, poezitë dhe gjininë e romanit. Krijimtaria e tij është botuar dhe në disa gjuhë të botës, vlerësuar me çmime. Editor i “Poetekës”, festivalit dhe revistës kulturore poetike.

 Në këndvështrimin e tij, figura e femrës deshifrohet në një diapazon më të gjerë. Falë mjeshtërisë së penës, një ngarkese vargu të patjetërsueshëm dhe “ngarkesës” së vargut, dhe padyshim të një përjetimi seksual, dhe përcaktimi i tij për seksin e kundërt është thellësisht i gjallë. Parapëlqen që gruan ta personifikojë me atë që ai e cilëson: “mëndafshi i thurur me shtiza të hekurta”. Në këndvështrimin personal, shkrimtari Arian Leka e shikon femrën si një Helenë, apo përmes cilësive të një Ledi Makbeth, si një Medea apo si një Madam Bovari, të cilat e mbështjellin gruan si me mantel, duke e ndryshuar disi në formë, pamje, a qëndrim. Por sipas Lekës, “nuk është vetëm profesioni ai që ndikon mbi to, përkundrazi, është femra ajo që e bind letërsinë të kthehet nga ajo”!

Intervista:

Si do ta personifikoni një femër?

Ka diçka që nuk shkon tek “personifikimi i femrës”. Personifikimi është figura që, thënë thjesht, i jep tipare njerëzore objekteve jo të gjalla. Ai bën që krijesat imagjinare të kenë ndjenja, trille, mendime dhe të veprojnë si “persona”. Por femra është njeri, dhe lavdi Zotit për këtë. Duke e “personifikuar”, duke e quajtur “lule, zog, hënë e plotë, flakë, thesar, kukull, mace, mbretëreshë” e gjithfarë broçkullash a miklimesh, nuk bëjmë tjetër veçse i hamë hakun. Harrojmë se femra ka qenë dhe mbetet krijesë si gjithë krijesat: zgjedh mesin, pavarësisht se me zemër pëlqen skajet dhe paçka se mesi nuk del përherë i artë, siç i premtohet. Nevojtarë dhe dëshirues të njëri-tjetrit, siç na kanë bërë, rrimë përballë femrës, këtij mëndafshi thurur me shtiza të hekurta.

Karakteristikat e femrës ideale.

Njeriu e ka huq që të t’i vërë flatrat kur të mungojnë dhe të t’i shkulë kur i ke. Ndaj fjala ideale më step. Kureshtia e përhershme. Ndjesia e kërkimit dhe e zbulimit pa ngut, sikur jeta të mos mbaronte. Kureshtja dhe pakënaqësia me atë që ka, shpresoj të jenë cilësitë prej nga rrjedhin ato tërheqje që, për fat, e mbajnë femrën larg të qenit ideale dhe hyjnore. Kështu afrohet aq sa të na duket e jona, sa herë na e rrok herë syri, herë dora, herë mendja.

Si duhet të jetë një femër që të quhet e bukur?

Është më shumë çështje lentesh sesa çështje sysh kjo që po them, pra vlen vetëm për mua. Të dijë të mbajë drejtpeshimin mes asaj që ka, por që do e humbasë (rininë, sytë, qafën, buzët, trupin, zërin, qeshjen) dhe asaj që nuk e ka, por që do e fitojë (sjelljet, të folurën, të ecurit, të veshurit, ndjesitë, hiret). Aftësia për ta shndërruar luftën e brendshme në paqe për të tjerët dhe e dhuratave në dhunti, është një lloj tjetër i bukurisë, që më pëlqen të më shoqërojë sa të jem.

Çfarë nuk suportoni dot te një femër?

Vetësigurinë e ngopur gjer në fyt me “un” + mungesën e pavarësisë + shkëmbimin e feminilitetit me parajsa artificiale të llojit pushtet, barazi, “femër-grua e fortë” etj., etj., etj.

Ndikimi i profesionit tuaj në përcaktimin e femrës?

Në një zodiak imagjinar, femra duhet të kishte shenjën e “Mërkurit”, e cila lëviz dhe ndryshon formë dhe pozicion pa pushim. Ndërsa përpiqesh ta përcaktosh të krijohet përshtypja se po kërkon jetë në një planet të largët, të cilit duhet t’ia shpikësh jetën. Ngjan edhe me kërkimin e tingullit që mungon në një tastierë të akorduar mirë. Një notë që tingëllon më ndryshe nga ajo që njohim prej femrës Helenë dhe femrës Ledi Makbeth, prej femrës Medea dhe femrës Madamë Bovari. Dhe letërsia që rreket të bëjë diçka mes të qenës dhe së mundshmes, gjendet në një marramendje gjuetie, ndërkohë që femra vetë zhvendoset qetësisht, lëviz dhe del me vrull prej përcaktimeve, braktis emrat që i japim dhe cilësitë me të cilat e mbështjellim, duke ndryshuar formë, pamje, qëndrim dhe duke na mahnitur në të gjithë kuptimet. Dhe nuk besoj se është profesioni ai që ndikon, përkundrazi, është femra ajo që e bind letërsinë të kthehet nga ajo, pak a shumë si Hëna e vogël dhe e largët mbi detin dhe somnambulët.

 Sa i aftë është një burrë për ta kuptuar një femër?

Vite më parë aq dija kur shkrova “O grua, ecën majë gishtash mbi ujëra që s’të mbajnë dhe beson dhe rrëmben atë që s’të përket”. Pastaj, vite më  pas aq dija kur shkrova “…druaj se ti grua je nëna, më lind përditë, duke më nxjerrë si halë nga syri, si gjembin nga këmba. Ndaje thartirën me mua dhe shko. Dil prej meje. Siç del kavilja, që të pengon të rendësh në fushë. Siç prej një race të egër pëllumbi del pëllumbesha e butë”. Sot më pëlqen që jeta ime të kalojë përmes meje duke më bërë ta ngulis mirë në kokë se femra është pak a shumë si brinja, sikundër edhe thuhet. Nëse përpiqesh ta drejtosh, e thyen. Nëse kërkon të shkosh jetë të lumtur dhe e lë atë siç është, si brinja, pra, mund edhe të gëzosh nga “shtrembësia” dhe “ceni” i saj.

 Botuar në revistën Psikologjia, Shkurt 2012

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top