Mirëqenie

July 29, 2016 | 8:14

Dëshmi/Dren Abazi: Buzëqeshja i bën edhe më të bukur njerëzit!

Edhe pse ruan një vlerësim të veçantë për njerëzit që falin buzëqeshje të pakushtëzuar dhe me të cilët preferon të kalojë momentet e ditëve të tij, pohon se vetë ai nuk karakterizohet nga një tip që mund të etiketohet si një djalë “shumë i buzëqeshur”. Nuk i ndodh gjithmonë të buzëqeshë, e megjithatë, edhe pse ky tipar nuk i përputhet karakterit të tij, nuk është se kërkon stimuj të fortë për të nxitur të qeshurën te vetja. Ndodhitë që e bëjnë për të qeshur janë ngjarjet e përditshmërisë, situata të ndryshme me njerëz që e rrethojnë dhe me të cilët kalon kohën, në punë, në takime, etj… Duke qenë gjatë pjesës më të madhe të kohës në lëvizje, i jepet mundësia të takohet me njerëz të personaliteteve të ndryshme që mbartin me vete histori personale dhe kjo gjë e përmbush. Nëse Drenit do t’i duhej të zgjidhte mes atyre njerëzve që i dhurojnë buzëqeshje apo biseda interesante, ai preferon të jetë i rrethuar nga ata njerëz që kanë për të thënë diçka interesante, që i zgjon atij interesin, edhe pse e qeshura është diçka e bukur dhe e domosdoshme… Duket se ky tipar, e qeshura njerëzore, edhe pse nuk i shkon për shtat personalitetit të Drenit, na rrëfen se ka treguar interes për atë çka thonë studimet psikologjike në lidhje me këtë fenomen. Ai pohon se është i vetëdijshëm se të qenit i buzëqeshur na mundëson mirëqenie shpirtërore dhe largimin e energjive negative. Nuk harron të citojë se diku ka dëgjuar se ata që buzëqeshin rregullisht jetojnë të paktën 20 vjet më gjatë se të tjerët…. “Por, me sa duket, ky tipar është i lidhur ngushtë me karakterin e njeriut, dhe pak e vështirë për t’u sforcuar e për ta bërë veten më të qeshur kur kjo gjë nuk të vjen në mënyrë organike”, shprehet Dren. E megjithatë, ashtu siç funksionon me terapitë në fusha të ndryshme, ai beson se t’i bësh një shërbim të tillë dhe kaq fisnik vetvetes, do të ishte rruga më e mirë dhe më e shëndetshme për një jetë më të gëzuar e më diellore. I njohur jo vetëm për talentin dhe muzikën që i përcjell publikut të gjerë, nuk mund të linim pa përmendur bindjet e tij në lidhje me marrëdhënien e ndërtuar me figurën femërore. Pikërisht, tipari i bukur dhe mjaft njerëzor i buzëqeshjes do të na përcillte ndjesitë personale të këngëtarit simpatik në raport me këtë tipar dhe se si e sheh ai këtë aftësi në imazhin e një femre. Nuk nguron të na tregojë se buzëqeshja është një element që pa dyshim i bën njerëzit akoma më të bukur.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top