Në fokus

July 29, 2016 | 8:28

Intervista/ Klajda Gjosha: Sfidat e mia

Rastësisht kisha dëgjuar për emrin e saj. Një prezantim që vinte në periudhën kur ajo ishte zëvendësministre e mandej numri dy i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Së fundi, kryetare e gruas së LGI-së. Figura pastaj ishte ajo që më afroi më tepër. Pamja e saj, thjeshtësia dhe imazhi i pastër, më ngacmuan kureshtjen për të ditur shumë më tepër rreth saj. Një femër e bukur që po ngjit shkallët drejt një karriere politike. Në daljet e saj, ajo, fjalëkursyer dhe e qëndrueshme në perceptimin e çështjeve. Shpeshherë, personazhe të tilla gjykohen për bukurinë e tyre, ndaj dhe qasja në shoqërinë ku jetojmë, një bote të dominuar nga meshkujt, nuk mund të jetë kurrsesi e lehtë. Në kërkim të një kontakti me të, falë teknologjisë munda të vetësiguroj numrin personal të saj. E çlirët dhe mjaft pozitive në bisedë, arrij të takohem nga afër. Në një situatë tepër të ngjeshur ama, pasi ethet e fushatës paraelektorale nuk mund ta përjashtojnë atë nga gjindshmëria në zonën ku ajo ka hedhur kandidaturën për deputete. Klajda Gjosha, 30-vjeçarja me investim të shkëlqyer në arsimim, ka lënë Europën për të sjellë kontributin e saj në ndërtimin e politikave të reja drejtuese në vend. E gjatë mjaftueshëm, e hirshme gjithashtu dhe e veshur plot shije, me një kombinim ngjyrash për t’u admiruar, më priti sikur të ishim njohur kohë më parë. E thjeshtë në bisedë, e sjellshme, pa asfare drojë, më lejoi ta njihja më nga afër. Sigurisht që ky takim kishte atë në fokus, për ta sjellë të vërtetë edhe në intervistën që e mirëmenduam këtë numër të “Psikologjia”. Deri pas mesit të qershorit do t’i duhet të luftojë për t’u bërë pjesë e arenës vendimtare të politikës. Por asgjë nuk merr fund me kaq. Kjo është veç njëra anë e medaljes. Ana tjetër mbart sfida të tjera. Kësaj radhe edhe sa i takon aspektit personal. Të gjitha duhen bërë në kohë. Kjo është motoja e saj e pandryshueshme. Nuk ka dilema në duhet të ketë prioritet diçka të rëndësishme në dëm të tjetrës, me po aq vlera. Energjia nuk i mungon. Këmbëngulëse deri në fund. Dhe menjëherë pas fitores së supozuar, njëherazi do të nisë dhe jeta e saj e re. Nga fundi i kësaj vere, bashkë me ceremoninë martesore do të fillojë të mendojë për fëmijën e saj të parë.

Ju gjejmë në periudhë fushate zgjedhore, me kohë të ngjeshur, ku përjetoni emocione të ndryshme. Ndihet e përgatitur Klajda për këtë sfidë?

Të jem e sinqertë, unë tashmë kam më shumë se një vit që jam bërë pjesë e kësaj sfide të madhe siç është arena politike. Kam përjetuar emocione të forta që nisën që me zgjedhjen time në krye të Forumit të Gruas në LSI dhe po konkludojnë me kandidimin tim për deputete në Qarkun e Tiranës. Është një përgjegjësi e madhe, por njëkohësisht diçka të cilën e bëj me shumë pasion. Ndoshta kjo është një ndjenjë që e bën emocionin të pakapërcyeshëm, por edhe pjesë të pandashme të kontaktit që unë krijoj me qytetarët shqiptarë.

Garoni nën siglën e një partie ku roli i femrës në politikë merr rëndësi vendimmarrëse. Mos ndoshta ishte kjo një nga shtysat që ju jeni bërë pjesë e këtij spektri politik?

Kur pranova të isha pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim, isha në një moshë shumë të re dhe asnjëherë nuk e kisha menduar se do arrija të kisha këtë pozicion të cilin unë gëzoj sot. Fati im ishte që LSI është vërtet një parti që mbështet gjininë femërore, por mbi të gjitha të rinjtë që janë pjesë e saj. Jam e lumtur që kam bërë zgjedhjen e duhur.

Si u gjendët te LSI, dhe më tej në postet e rëndësishme për të cilat anëtarët e saj ju kanë votuar?

Në fakt, prezantimi im në skenën politike nuk është aspak rastësi, sepse unë jam angazhuar në LSI që nga viti 2008 dhe detyrat politike kanë ardhur gradualisht pas një angazhimi tepër aktiv gjatë këtyre viteve. Njohja e mirë që unë kisha krijuar me strukturat politike të LSIsë, marrëdhëniet e mira me kolegët, përkushtimi im dhe patjetër mbështetja e madhe nga lideri, z.Meta, janë faktorë të rëndësishëm të zgjedhjes sime në krye të Forumit të Gruas dhe më pas si nënkryetare e LSI-së.

Kryesoni listën e emrave të kandidatëve për deputet në Tiranë. Si e merituat ju vendosjen si numri dy, pas kreut Ilir Meta?

Është e vërtetë, unë jam kandidatura e dytë për Tiranën mbas z.Meta. Përveç faktit të të qenit grua dhe nevojës që lista duhej të kishte një përfaqësuese grua, mund t’ju them se unë kam qenë pjesë e strukturave që prej vitit 2008 dhe së bashku me shumë gra e vajza të LSI-së arritëm të ngrinim struktura të forta të Lëvizjes së Gruas në çdo qelizë të Shqipërisë. Përveç kësaj, mbart dhe postin e nënkryetares së LSI-së që prej tetorit të vitit të shkuar

Një kandidate femër mes kandidaturave të seksit të kundërt. Sa e përgatitur jeni në këtë konkurrencë? Si e përkufizoni ju detyrën e një deputeteje të ardhshme? Çfarë do bëni ju ndryshe nga pjesa tjetër e femrave deputete?

Pavarësisht se unë rrethohem nga kandidatë të seksit të kundërt, kjo nuk përbën asnjë problem, pasi unë mendoj që çdo njeri në politikë përfaqëson vetveten dhe një target grup të ngjashëm me të. Sfida më e madhe është të përfaqësosh denjësisht këtë grup qytetarësh në Parlamentin shqiptar, të bëhesh zëri i tyre dhe, mbi të gjitha, të sjellësh ndryshimin. Do të dëshiroja të ndërmerrja disa iniciativa që kanë të bëjnë me përfaqësimin gjinor në Parlament, me luftën kundër dhunës në familje dhe diçka tjetër që për mua është tepër e rëndësishme, t’i përfaqësoj gratë e vajzat duke ruajtur feminilitetin dhe elegancën që karakterizon çdo femër.

Të qenit e hirshme jua vështirëson këtë?

Mendoj se nuk janë këto karakteristika që e lehtësojnë apo vështirësojnë karrierën. Virtyti kryesor në këtë rast është karakteri i gjithkujt, komunikimi i mirë dhe vullneti për të bashkëpunuar. Sharmi është thjesht përshtypja e parë që ne krijojmë te dikush, por suksesi kërkon një mori cilësish të kombinuara së bashku.

Kohën e mbetur për fushatë elektorale tanimë do t’ia përkushtoni një zone elektorale të njësisë nr. 1 në kryeqytet. Për çfarë realisht ka nevojë kjo pjesë e komunitetit që e shikoni si ndërhyrje më urgjente?

Kjo pjesë e kryeqytetit përbëhet nga familje me kërkesa bazike për jetën siç është punësimi.

Ç’mendim keni ju për klasën politike shqiptare? Besoni se angazhimi i sa më shumë femrave në politikë mund të sjellë përmirësim në jetën tonë parlamentare?

Mendoj se politika shqiptare është tepër agresive dhe e fokusuar në aspektet personale të aktorëve të saj. Ne kemi më shumë nevojë për një stabilitet politik, për nisma konkrete që do t’i sigurojnë vendit një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe anëtarësim në Bashkimin Europian. Pjesëmarrja e më shumë grave në arenën politike kam bindjen se do të konkretizojë nismat dhe do të sjellë më shumë maturi dhe përgjegjësi veprimi. të qenit aktiv, konkret dhe iniciues janë karakteristika që duhet t’i disponojë secili prej tyre.

Të qenit në politikë ju bën gjithashtu një person në vëmendjen e pakursyer mediatike. Cili është në fakt raporti juaj me protagonizmin? Çfarë lloj kompromisesh mund të bëhen në emër të tij? Ndiheni e gatshme për të hyrë në arenën politike kur jo gjithmonë gjendet mirësjellja?

Të jesh pjesë e fokusit mediatik është sa i nevojshëm në pozitat e një politikaneje, aq edhe i cenuar. Raportin me median e kam pak të kufizuar duke parë rolin që ajo luan në kuadrin politik. Më pëlqen të jem protagoniste në fushat ku unë jam eksperte dhe në të cilat kam përgjegjësi, por nuk do të lejoja kurrë një sjellje të pahijshme mbi figurën time.

Përvoja juaj është gjithashtu një zë i fuqishëm në shoqërinë tonë. Shkolluar shkëlqyeshëm jashtë vendit, me pozicione kreative deri në zyrat e BEsë. Ne duhet të ndihemi me fat! Në fakt, sa ju ka shërbyer investimi në pozicionet që keni mbajtur?

Investimi në shkollim më ka shërbyer për të formuar personin që unë jam sot. Çdo grimcë e së shkuarës sime bëhet pjesë e një të ardhmeje më të mirë në karrierën time. Por së bashku me to unë mbart gjithmonë me vete dy karakteristika që më ndihmojnë të eci përpara: Vendosmëria dhe Vullneti për të çuar deri në fund çdo nismë që ndërmarr përsipër.

Dimë që në periudhën si zv.ministre e Punës, ju i përkisnit hapësirës për “Barazinë Gjinore”. Si e konstatoni atë në vendin tonë? Çfarë duhet bërë konkretisht?

Shqipëria ka bërë disa hapa për sa i përket fushës së barazisë gjinore, si në kuadrin administrativ edhe në atë ligjor. Ndonëse ne e ndeshim parimin e barazisë gjinore, apo më mirë të themi një përmirësim të këtij parimi në shumë aspekte të jetës, shoqëri, familje, ende kemi pabarazi të theksuar në përfaqësimin e gruas në politikë. Ajo çka duhet ndryshuar në mënyrë urgjente është ligji i kuotës gjinore. Në mënyrë që ai të jetë funksional, kërkohet edhe një sanksion ekstra, ai i mospranimit të listave në rast moszbatimi të kuotës 1 në 3 grua dhe më pas të plotësimit të listave me 30%. Ky ndryshim kam bindjen se do të sjellë një ndryshim thelbësor në përfaqësimin e grave në politikë.

Po sa i takon problemeve të tjera sociale që prekin vendin, ju si një deputete e ardhshme ku do të ndërhynit së pari? Mos ndoshta tregu i punës është ai që duhet rivlerësuar?

Problemi social më i madh i ditëve të sotme është pa dyshim punësimi. Unë mendoj se duhet në mënyrë imediate një studim i mirëfilltë i tregut të punës për të përputhur kualifikimin me kërkesën e tregut dhe, në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që Shqipëria të çlirojë energjitë e saj në fushat me potencialin më të madh, siç janë: bujqësia, turizmi, energjetika, infrastruktura dhe hapja e bizneseve të reja. LSI vjen këtë radhë me një plan konkret punësimi, duke u mbështetur pikërisht në këto pesë fusha.

Tridhjetëvjeçaret lëkunden midis ambicies për karrierë dhe dëshirës për të krijuar familjen e tyre. Psikologët thonë se është mosha e sigurisë, e ëndrrave, por edhe mosha kur kërkohet një ekuilibër i ri. Sa pajtoheni ju me këtë?

Të jesh afër të tridhjetave është një moshë mes shumë dilemash, kur karriera dhe krijimi i familjes ndërthuren ngushtë me njëra-tjetrën. Unë personalisht mendoj se, pavarësisht rëndësisë së madhe që ka vazhdimësia e karrierës, krijimi i familjes qëndron në një nivel më të lartë prioriteti, pasi është një pjesë e rëndësishme e jetës, është ajo që të jep shtysë për një sukses më të madh në të ardhmen.

Cila jeni ju në raport me karrierën dhe familjen? Cilën nga të dyja vini të parën në rend?

Patjetër që familja ka qenë dhe do të mbetet e para në prioritetet e mia. Mund t’ju them se edhe pse me një kohë tepër të kufizuar e me shumë angazhime, mundohem që gjithmonë të gjej hapësirë për të qëndruar pranë familjes, njerëzve më të afërt, qoftë edhe për pak minuta. Ndiej që më japin forcë për të vazhduar edhe më tej.

Pas një bashkëjetese, ju hidhni këtë verë hapin drejt martesës. E konsideroni bashkëjetesën një etapë të rëndësishme në njohjen e personit me të cilin keni zgjedhur të ndani jetën?

Unë njihem me të fejuarin tim që prej moshës 15 vjeçe, kështu që e njohim dhe e kuptojmë mirë njëritjetrin. Bashkëjetesa për ne e ka konsoliduar edhe më shumë lidhjen dhe na ka bërë që të kalojmë së bashku momente të bukura e të vështira. Ajo çka më bën të ndihem më mirë është se gjatë kësaj kohe ne kuptuam që plotësojmë njëri-tjetrin dhe se ka ardhur momenti që kjo lidhje të kurorëzohet në martesë. Ndaj me shumë dashuri dhe emocion po organizojmë të dy bashkë festën më të madhe të dashurisë sonë, martesën.

Le të flasim për lidhjen tuaj: ç’ju tërhoqi drejt njëritjetrit në fillimet tuaja? U përkisni fushave të njëjta, apo si të kundërtat, të cilat zakonisht afrohen dhe kompletojnë tjetrin?

Ne ishim vetëm 15 vjeç kur u njohëm dhe është një moshë ku ti mjafton të ndihesh mirë edhe me një shtrëngim duarsh, apo një shikim në distancë. Si në fushat e karrierës, unë në politikë dhe Ardiani ekonomist, ashtu edhe në karakter, ne jemi krejt të kundërt, por kjo na bën që të ndiejmë nevojën e njëritjetrit për t’u kompletuar plotësisht.

A mund të më rrëfeni ndonjë situatë të veçantë mbetur në kujtesë nga lidhja juaj?

Ne kemi përjetuar një lidhje në distancë prej më shumë se tre vjetësh. Janë momente që nuk mund t’i harroj, pasi janë të mbushura me mall, lot, xhelozi e shumë sakrifica. Thonë që largësia mund të të largojë shumë nga njerëzit. Në rastin tonë ajo krijoi një lidhje më të fortë, ku ne kuptuam se nuk mund të qëndronim dot pa njëri-tjetrin.

Sa ndikon Ardiani në zgjedhjet tuaja? Ju i diskutoni punët brenda shtëpisë, apo e kundërta, preferoni t’i lini pas dere?

Ardiani është tepër i qetë dhe tolerant në karakter. Në të njëjtën kohë është mbështetësi më i madh i iniciativave të mia, shpeshherë jo edhe aq të thjeshta. Kemi një komunikim të përkryer, gjë e cila sjell një mirëkuptim të plotë mes nesh.

Sa i rëndësishëm është mendimi i tij, sidomos në këtë situatë parazgjedhore?

Mendimi i tij për mua është gjithçka. E pyes gjithmonë kur jam në dilemë, sepse e di që do të kem sinqeritetin e tij të plotë.

Keni menduar për ata që i japin gëzim shtëpisë, fëmijët? Sa janë pjesë e botës suaj të brendshme femërore? Djem apo vajza?

Fëmijët janë pjesë e rëndësishme jo vetëm për mua, por edhe për Ardianin. Mbas martesës kemi në plan ta plotësojmë familjen edhe me nisjen e një fëmije, dhe që me gjithë shpirt unë do dëshiroja të ishte vajzë.

Po në familjen tuaj si ka qenë? Fëmija i parë apo…? Si ka qenë marrëdhënia dhe me kë nga prindërit jeni më e lidhur?

Unë vij nga një familje e thjeshtë, me dy prindër të mrekullueshëm që gjithë jetën më kanë falur shumë dashuri. U jam shumë mirënjohëse për gjithë sakrificat e mëdha që kanë bërë për shkollimin tim dhe për të krijuar të gjitha kushtet e një jete me shumë kujtime, ngrohtësi, edhe pse me shumë vështirësi janë munduar që mua të mos më mungojë asgjë. Kam një motër të vogël, me të cilën jam tepër e lidhur dhe që vitet e fundit më ka munguar shumë, pasi ajo punon në Holandë pranë një kompanie të madhe auditimi. Është ndryshe nga unë, shumë e qeshur dhe e shkathët, ndaj dhe mungesa e saj ndihet në çdo moment familjar. Gjithashtu kam dhe gjyshen time, e cila më ka rritur. Edhe pse me problemet e moshës, është personi që pret me padurim dasmën time dhe nisjen e një fëmije.

Marrëdhënia me gjyshërit… cila ka qenë pika juaj e dobët? Çfarë keni trashëguar prej tyre?

Unë jam e bekuar me tre gjyshër dhe është fat që vazhdoj t’i kem ende pranë. Duke qenë fëmija i parë, nuk më ka munguar kurrë vëmendja dhe kujdesi i tyre. Me ta sillem ende si fëmijë, ndoshta kjo është një marrëdhënie që nuk mund të ndryshojë kurrë, vjen shumë natyrshëm. Për mua ata janë të shenjtë, janë ata që më plotësojnë çdo tekë për sa i përket pjesës së gatimit, pasi edhe pse jam një kuzhiniere shumë e mirë vetë, kjo edhe falë tyre, akoma më merr malli për dorën e tyre në gatim.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top