Marrëdhënie

August 4, 2016 | 8:00

Dëshmi/Genc Fuga: Emancipimin e kemi keqpërtypur

Një ndër aktorët e humorit të Teatrit të Komedisë, tejet simpatik në rolin e tij të fundmë “Kasollja e vogël”, muaj më parë na zgjon në emisionin e mëngjesit në një nga kanalet televizive të titulluar “Paçe me gazeta” – apo siç e quan ai një “demitizim i lajmeve” nën regjinë Hervin Çulit, e “thënë” ndryshe nëpërmjet batutave, humorit e sarkazmës, ato çfarë gazetat “bashkëpërtypin” me lexuesin përditë. Teksa ulemi në kafen pranë Teatrit të Komedisë dhe flasim për rolet e tij, kryesisht në teatër e telefilma, “prekim” paksa edhe rolin e femrës në shoqëri, por edhe femrën e tij “perfekte”. Pa dashje e pyesim nëse do bëhej xheloze bashkëshortja e tij, aktorja Eni Jani, dhe Genc Fuga na thotë se “Eni më dëgjon çdo ditë teksa flas dhe e dua fort”, ndërsa me humor na e kthen: “Le të flasim për të tjerat. Ndonëse, – vijon ai, – mund të them që jam personi i gabuar për ta pyetur për femrat e tjera. Pra, gjithsesi, edhe nëse do përshkruaj një femër, atë (Enin) do përshkruaj!”. Më tej, biseda merr një ton disi serioz. “Ka stereotipa trendi të femrës shqiptare, duke qenë se ne ndodhemi mes lindjes dhe perëndimit, por edhe veriut e jugut. Femrat, apo gratë e dikurshme qenë gjysmë burra – pra ato heroinat, ndërsa të sotmet – mitrimet e bllokut, ekstravagante, gati-gati avangardë. Shkurt, ne emancipimin e kemi keqpërtypur. Pothuajse asnjë individ nuk e çon vëmendjen ndaj vetes, duke humbur kësisoj në sipërfaqësoren. Nuk e di po ashtu, sa përgatitje ka mashkulli shqiptar të hyjë në universin femëror”, – shprehet Genci. Por të gjithën këtë Fuga, aktor dhe regjisor, e përmbledh duke thënë se “kjo është dhe ka qenë një periudhë tranzicioni, ku ministrat e tranzicionit shkonin me tuta te ‘Piazza’, e po aq faj u vë edhe atyre femra që u qepen pas këtyre. Kapën një kohë të mëvonshme duke thënë se dolën më tej në modë shallvaret, e më pas pantallonat e shkurtra, ndërsa mua më vinte të bërtisja: ‘Zemër, s’të shkojnë!… gjithsesi, e kuptoj që jemi vend i nxehtë”, – përgjigjet Genc Fuga me ironi për revistën “Psikologjia”. Më tej aktori i spikatur në zhanrin e komedisë kalon në sferën profesionale. “Kam respekt për të gjitha partneret që kam pasur”, por, sipas tij, më tepër kënaqësi është “të punosh me njerëz të bukur e njëherazi të zbulosh mençurinë e tyre”. Sipas Fugës, është femra ajo që përcakton se çfarë do të nxjerrë në vitrinë, ndërsa shpjegon më tej se “ajo ka shpenzuar, të jeni të sigurt, më se një orë para pasqyrës për atë çka do të ekspozojë”. Për Genc Fugën nuk janë meshkujt ata që përzgjedhin, por femra, ose ndryshe e shpjeguar nga ai (për bashkëshorten): “Jo kur unë i lutesha Enit, por kur ajo më pranoi”. Më tej e pyesim për njohjen me aktoren e bashkëshorten Eni Jani dhe ai na sqaron se “ajo më akuzon edhe sot se nuk i vija notë më të lartë se 7-ta në lëndën e Fjalës, ku unë jepja leksione në ish-Akademinë e Arteve, por ajo ishte nota ime më e lartë”, – thotë Genci duke buzëqeshur paksa. Ishin njohur herët gjatë shesh-xhirimit të telefilmit “Njerëz dhe fate” e më pas “Natë pa hënë” të Artan Minarollit. Më tej partnere në filmin “Yllka” të Besa Myftiut, e kësisoj lindi “e quajtura” dashuri… Merita e vetes? – ka ngritur Genc Fuga një pyetje retorike. “Dashuria s’është dhuratë, por as çështje enzimash, ama e vetmja gjë që ia vlen të luftosh”. E pyesim edhe për rrethanën kur përdoret shprehja “Potencial i fuqishëm i joshjes”, ndërsa Fuga e paralelizon me “sex appeal”, për të cilën vijon duke thënë se “ajo është biologjike. Unë këtë gjë e trajtoj edhe në lëndën time. Është i mirënjohur 25-centimetërshi i sferës individuale, e një shprehje thotë se ‘Njeriu është një bukuri e madhe dhe ne përhapim valë elektromagnetike”. E këtë “veti”, sipas tij, e kanë të dy sekset, por e rrezikshme është kur u drejtohet të gjithëve, pasi dikush bëhet receptor, por edhe në rastin kur “atë e hedh drejt dikujt”, pasi s’ka lojalitet. E kjo nuk më pëlqen, e luftoj”. Paskëtaj, biseda jonë shkon drejt fëmijëve të tij, Fionës 13 vjeçe dhe Stinës 5-vjeçare. “Sfida ime, – shprehet Fuga, – është balanca e mbajtjes së raporteve me një vajzë që po rritet në këtë mjedis, në këtë realitet, ku shpesh ekstravaganca kthehet në trend. E në rastin e babait nuk është e thjeshtë aspak… Do kisha dashur kësisoj të kisha një fëmijë të tretë, por emrin do t’ia vija Kriza”, – thotë me një gjysmë ironi prekëse. Megjithatë, ai lëshon një thirrje: “Nuk është trend të shkosh për një sanduiç, as modë e as traditë të shkosh pas personave me lekë (mirëmbajtësve). Të ecësh nga matriarkati për të shtuar racën njerëzore që femra ‘e merr’ që nga Shtëpia e Lindjes, e jo për ta realizuar me ata që e shtojnë këtë racë me lekë. Kjo është faza më e rrezikshme e shoqërisë sonë. Sinjalet nga shoqëritë e tjera janë të qarta”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.77

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top