Marrëdhënie

July 28, 2016 | 8:37

Dëshmi/Joana Smakaj: Nuk mund të jem pasqyrë e nënës së tij!

Sipas psikologëve, marrëdhënia që një djalë ndërton që në vogëli me nënën e tij, ka gjasa të jetë e ngjashme edhe me marrëdhënien që do të ndërtojë në të ardhmen me partneren e jetës. Por, me sa duket, një konstatim i tillë nuk pajtohet me rastin personal të këngëtares Joana Smakaj. E martuar prej disa vitesh, nënë e dy fëmijëve, Joana na rrëfen për natyrën e marrëdhënies që ka ndërtuar me nënën e bashkëshortit të saj. Nuk nguron të na rrëfejë se marrëdhënia mes tyre është e kënaqshme dhe me një vlerësim reciprok, edhe pse diferenca në moshë është e madhe, ndaj nuk pajtohet kurrsesi me bindjet sociale që mashkulli e zgjedh gruan të ngjashme me nënën. Joana pohon se bashkëshorti i saj jo vetëm që nuk ka parë asnjë tipar të saj të ngjashëm me nënën e tij, por një fakt i tillë, pikërisht Joanës, nuk do t’i pëlqente! “Një mashkull nuk duhet të kërkojë mishërimin e nënës tek një femër me të cilën pretendon të kalojë jetën, pasi nuk më duket normale dhe marrëdhënia nuk mund të funksionojë si e tillë!”, – shprehet ajo. Diferenca e theksuar në moshë me vjehrrën i mban larg në mendësi, botëkuptime apo koncepte mbi jetën, pasi mosha afër të 80-ve ka bërë që ngjashmëria të mos gjejë pika kontakti në këtë marrëdhënie dyshe sa të veçantë edhe delikate. Për këngëtaren simpatike, nëna e bashkëshortit të saj, krahas statusit që ajo mbart, është personifikim i gruas së fortë përballë jetës me sfida dhe vështirësi, me rritjen e shumë fëmijëve, për të cilën ruan vlerësimin e pakushtëzuar dhe ndihet e lumtur që ruan një marrëdhënie të bukur me vjehrrën e saj për vetë faktin se nuk e ka konsideruar kurrë si të tillë. E vlerësoj dhe e respektoj si nënën e bashkëshortit tim dhe nuk e shoh veten të vendosur në marrëdhënien tipike nuse-vjehrrë! Joana është e lumtur për eksperiencën që ka fituar nga vjehrra e saj dhe për mirësinë që ajo ia shfaq dita-ditës pa u kursyer. “Nuk ka ndjesi më të bukur se të dëgjosh nga një grua që rrit djalin e saj me sakrifica dhe vështirësi pa fund se je pikërisht ti nusja ideale për birin e saj! Ndihem e përmbushur për marrëdhënien që kemi krijuar, por kurrsesi nuk do dëshiroja të isha e krahasuar nga bashkëshorti me nënën e tij. Secila mbart individualitetin e saj dhe nëse partneri më ka preferuar mua dhe jo një femër tjetër, mendoj se e ka bërë këtë gjë se më ka pëlqyer dhe jo domosdoshmërisht që të jem e ngjashme me mamanë e tij. Marrëdhëniet janë të natyrave me kahe të kundërta dhe nuk e shoh aspak të arsyeshme që bashkëshorti të ketë parë tek unë tipare të ngjashme me të nënës. Edhe pse mamaja e tij është një amvisë e shkëlqyer, gatuan mjaft mirë dhe pa dyshim që djali i saj e shijon këtë pjesë, nuk më ka thënë ndonjëherë që të përpiqem sadopak të fitoj nga eksperienca e saj, apo t’i ngjaj në këtë aspekt!” Për Joanën, ndoshta suksesi i këtij raporti është ndryshueshmëria që e karakterizon dhe pranimi i njëra-tjetrës për atë që janë në të vërtetë, pavarësisht statusit që sot ato mbartin si në rolin e nënës, vjehrrës apo nuses së re.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.73

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top