Marrëdhënie

October 21, 2015 | 13:14

Dëshmi/Mindy& Melisa: Djali ynë me dy nëna

Nga Arta Marku / Foto: Soela Zani

Babai biologjik, ekziston. Fëmija e njeh, edhe pse ende nuk e di të vërtetën e tij. Vetëm 4-vjeçar, i lindur nga Melissa dhe i rritur nga ajo dhe Mindy, djali i ligjshëm i dy lesbikeve të martuara, është i rrethuar gjithashtu edhe nga një prani mashkullore, ndonëse jo në shtëpinë e tij ku kavetëm një mami dhe një mama..

Me pak minuta vonesë, duke kërkuar disa herë falje, u shfaq para meje një grua simpatike. Me një pamje natyrale, veç një shkëlqyes i lehtë mbi buzë, e veshur shumë sport me xhinse dhe këmishë pambuku, me çantën e hedhur kryq mbi sup, nuk të linte të kuptoje asgjë për ndryshimin mes saj dhe grave të tjera, për orientimin seksual. Dija pak për të. Veç faktit që ishte amerikane, punonjëse e ambasadës së vendit të saj në Tiranë, mbrojtëse e flaktë e të drejtave të homoseksualëve, që ishte e martuar me një grua dhe kishte një fëmijë… asgjë më shumë. Por, çfarë më kish tërhequr vëmendjen dhe doja ta gërmoja me shumë pyetje, ishte fëmija i saj, djali, që siç e mora vesh shumë shpejt, ishte 4 vjeç. Diskutimi në faqet e revistës “Psikologji” kishte të bënte me rëndësinë e rolit të babait në rritjen e një fëmije (Rolin primar të nënës askush nuk guxon ta vërë në diskutim, duke i dhënë, ndërgjegjshëm ose jo, baballarëve njëfarësoj vendin e dytë sipas rëndësisë). Por, ç’ndodh në një rast, kur fëmija, në vend të një nëne e babai, ka dy nëna? Kështu më tha Mindy: “Djali ynë ka dy nëna”. Njëra, për të voglin është mami e tjetra mama. Kurse babai nuk është aty rrotull, nëpër shtëpi, nuk shfaqet ashtu si baballarët rëndom shfaqen, me zë të trashë burrëror, herë-herë autoritar dhe ndonjëherë të ashpër.”

A thua i mungon atij fëmije babai? A thua të shndërrohet në një problem për të nesërmen e tij kjo mungesë?

***

“Jo”, është e bindur Mindy Michels, e martuar prej vitesh me Melissa Schraibman. Djali i tyre ka disa gjëra që e ndryshojnë nga të tjerë. Por, a nuk ka gjithsecili fëmijë elemente dalluese në përgjithësi?

Në të vërtetë një baba biologjik e ka edhe ai vogëlush, që siç më thotë e ëma është sharmant, i shkathët, gazmor dhe një maço i vërtetë, krejt si një shqiptar, që adhuron të luajë futboll. Babai quhet Xhulio.

Kemi qenë bashkë në shkollë, qysh në kolegj, – më tregon Mindy, – dhe qysh atëherë i pata thënë, se nëse ndonjëherë do të vendosja të kisha një fëmijë, ai do të ishte babai i tij”.

Vite më pas, Xhulio, homoseksual, pranoi të bëhej babai biologjik i fëmijës së shoqes së tij të shkollës. Në të vërtetë nuk do të ishte Mindy që do ta mbante nëntë muaj në bark foshnjën, por partnerja e saj, Melissa. Kështu u vendos, këtë herë. Në të ardhmen do të jetë ndryshe, i njëjti baba biologjik do t’i krijojë mundësinë kësaj here vetë Mindy-t të rrisë brenda vetes një tjetër fëmijë. Por, sidoqoftë, në të dy rastet fëmijët do të kenë të përbashkët babanë biologjik e mbi të gjitha dy nënat. Mamin dhe mamanë, Mindy-n dhe Melissa-n…

Nuk është një situatë me të cilën hasemi përditë. Por, le të rrimë hë për hë te i vogli, katërvjeçari, djali i Mindy-t dhe Melissa-s, që po e shijon fëmijërinë e tij prej 4 vitesh në Tiranë, po aq gazmor e lozonjar sa të gjithë fëmijët normalë të së njëjtës moshë.

“Ai nuk e di ende se si bëhet një fëmijë. Por e di, sidoqoftë, që Xhulio është një person i rëndësishëm. Ia kemi thënë tashmë se ekzistenca e tij varet shumë nga ekzistenca e Xhulios. Se ai na ka ndihmuar ne të dyja që ta kemi atë. Padyshim, të gjitha të vërtetat do t’i mësojë me kohën. Dalëngadalë, natyrshëm, në mënyrë që të mos I vijnë në mënyrë traumatike…”.

Kështu thotë Mindy, së cilës, teksa flet për djalin e lindur nga partnerja e saj, por që e ndjen gjithaq të vetin (“Është djali ynë”, kërkon të këmbëngulë herë pas here gjatë bisedës, kur unë kërkoj t’ispecifikoj disa detaje), e gjithë lumturia që i buron nga së brendshmi, i del jashtë e i vizatohet në fytyrë. Sytë pothuaj I lëshojnë shkëndija. Më tregon portretin e të birit nga ekrani i vogël i celularit, pastaj nxjerr nga portofoli disa foto ku fëmija shfaqet në momente të ndryshme të rritjes. Diku tjetër është me nënën e tij biologjike: “E shikon sa i ngjan Melissa-s, por edhe Xhulios. Ata kanë të njëjtat vetulla. U ngjan të dyve shumë”.

***

Po le të rrimë te babai. Psikologët e vënë theksin te rëndësia e pranisë së babait, në rritjen e një fëmije. “Në mos babai biologjik, një figurë mashkullore është shumë e rëndësishme për një fëmijë”, – i them Mindy-t, duke perifrazuar komentet e psikologëve, rezultate të studimeve të gjata. Ajo nuk ka asnjë kundërshtim, edhe pse thotë: “Këto janë tekste të shkruara nga heteroseksualët. Por askush nuk mund të vërtetojë se një fëmijë me dy nëna rritet keq”. Në fakt nuk kam ndërmend ta kundërshtoj, pasi mund të bie lehtësisht dakord. Jo vetëm për rëndësinë e nënës. Por, nga ana tjetër, ka shumë fëmijë që rriten në mungesë të babait, ka fëmijë me prindër të divorcuar, ka nëna beqare, partnerët e të cilave s’kanë dashur kurrë t’i njohin fëmijët e tyre. Për këto të fundit, nënat që i rrisin të vetme fëmijët e tyre, Mindy më thotë se ka gati një adhurim edhe për faktin se nuk beson se vetë do të ishte në gjendje ta bënte. Por krejt si ato gra, edhe ajo, praninë e babit nuk ia ka siguruar fëmijës së vet. Por kjo, ngase beson që nuk është e rëndësisë bazike. Ose më saktë, nuk është thellësisht I rëndësishëm modeli tradicional. Sa për figurat mashkullore, djalit të saj dhe të Melissa-s nuk i mungojnë. Nëse u rikthehemi sërish psikologëve, duhet të nënvizojmë se momenti i pare kur babi duket i rëndësishëm është qysh në momentin e lindjes. Këtu babai bën në mënyrë figurative prerjen e kordonit ombelikal, njëfarësoj e shkëput fëmijën nga nëna, ndikon qysh në këtë cast në pavarësimin e tij.

“Epo, nëse kur një grua lind, doktori ia jep në krahë fëmijën babait, në rastin tonë, pasi Melissa e lindi djalin, isha unë ajo që e mora në krahë, e nëse flitet për një prerje në kuptimin figurativ të kordonit ombelikal, që rëndom e bën babai, kësaj here e bëra unë. Fundja pse jo…”.

Po më pas? Me rritjen? Sërish këmbëngul te nevoja e pranisë së figurës mashkullore, tek e fundit, dy gra në një familje, ose dy nëna, bëjnë të njëjtat gjëra, sillen njëlloj; ështëgjinia ajo që bën ndryshimin. Mindy kundërshton. Për të, rolet gjinore s’janë të ndara si me thikë. Puna është që të bëhet një organizim në familje, përcaktohen rolet, si në çdo familje, ndahen detyrat, pastaj, s’ka rëndësi nëse ato detyra apo role i kryen një mashkull apo një femër… E rëndësishme është që një fëmijë ta njohë botën në plotësinë e saj, të njohë të dyja gjinitë, të njohë gratë dhe burrat, ashtu siç duhet të njohë njerëz të feve të ndryshme, profesioneve, etnive, shtresave sociale të ndryshme. E në këtë pikëpamje, djali i Mindy-t dhe Melissa-s rritet në këtë botë shumëpërmasore, pa asnjë mungesë, pa asnjë pamundësi njohjeje. E sigurisht pa mungesën, ose më mirë, në praninë edhe të gjinisë mashkullore. Nuk e ka një burrë në familjen e tij të ngushtë, në shtëpinë e tij… por … Ç’rëndësi ka kjo, ata nuk mungojnë në jetën e tij.

Gratë, bashkë me djalin e tyre jetojnë prej katër vitesh në Tiranë (“Do të largohemi në gusht dhe më vjen shumë keq. Shqipërinë dhe shqiptarët i dua shumë, – thotë Mindy. – Kur erdhëm këtu, patëm idenë se do të rrinim një, e shumta dy vjet, por qëndruam katër, e tani me keqardhje largohemi).

Por në Amerikë, djali i tyre ka shumë meshkuj të familjes që kujdesen për të. Ka sidomos gjyshërit, me të cilët ka marrëdhënie të mrekullueshme.

Im atë, – thotë Mindy, – është ai që i mëson djalit gjëra të reja, kurse babai i Melissa-s preferon të luajë me të…”.

Në fakt gjyshërit nuk jetojnë në të njëjtën shtëpi me të voglin. E mandej, për shkak të distancave të mëdha të Amerikës, nuk takohen edhe aq shpesh. E megjithatë ata janë në jetën e tij. E sakaq janë edhe shumë burra të tjerë. të afërm ose miq të dy grave nëna.

Edhe në Tiranë sigurisht, këto katër vjet, rrotull djalit të vogël të dy grave partnere nuk munguan burrat. Janë miqtë që merren jo pak me të, takohen, dalin, luajnë, mes të tjerave edhe futboll.

***

Ku është babi? Po unë ku e kam babin? Në fakt kjo është një pyetje e pashmangshme. Edhe Mindy e di mirë. A nuk e bëjnë të gjithë fëmijët në një farë moshe, kur kjo prani normale u mungon? Sa gra të divorcuara, fëmijët e të cilave për arsye të ndryshme nuk kanë kontakte me baballarët, flasin për përballjen me këtë pyetje. E pra, edhe 4-vjeçari amerikan, që ka dy nëna, padyshim do ta bëjë këtë pyetje.

Jam e sigurt që do të pyesë, – pohon Mindy, – siç do të pyesë për shumë gjëra të tjera. Për shembull, ne jemi hebrenj dhe me siguri djali ynë do të na pyesë: pse edhe ne, si të tjerët, nuk bëjmë Dëshmi Roli i babait Krishtlindje?… Të gjithë fëmijët kanë diçka të ndryshme në jetën e tyre që I dallon nga të tjerë rreth e rrotull. Ne do të dimë t’u përgjigjemi pyetjeve të tij në mënyrën e duhur, në momentin e duhur. E rëndësishme është që ai të kuptojë se kush është, që të jetë dhe ndihet normal… mbi të gjitha, të besojë tek vetja dhe të bëhet i zoti i vetes”.

***

Mindy pret që unë t’i bëj një pyetje, të cilën ende s’po e artikuloj. Në fakt as që kisha ndërmend ta bëja atë pyetje, që mesa duket të gjithë, kudo ku shkon, nëpër konferenca, diskutime të hapura në publik në qendër të të cilave qëndron homofobia si temë, ia bëjnë: Ç’do të bëhet me djalin tuaj nesër? A do të jetë ai gei gjithashtu, si dy nënat e tij?

Mesa duket, të gjithë ose pothuaj të gjithë, besojnë se një fëmijë i rritur me një mjedis homoseksualësh do të ketë të njëjtin orientim seksual. Personalisht, nuk besoj se ka lidhje. Ashtu siç, fundja, nuk pati lidhje as në rastin e Mindy-t e as në rastin e Melissa-s, vajzat që u rritën në mjedise heteroseksuale dhe me prindër heteroseksualë, dhe u bënë homoseksuale. Nga ana tjetër, nënën, prirjet seksuale të të birit nuk e shqetësojnë.

Hë për hë, ai të jep përshtypjen se kur të rritet do të interesohet për vajzat dhe jo për djemtë (Edhe një herë sytë i shkëndijojnë kur thotë: djali ynë duket një maço i vërtetë). Por, për mua, për ne, ajo që ka rëndësi është të jetë i lumtur. Të njohë veten dhe të jetë i kënaqur me veten, me të gjitha zgjedhjet që do të bëjë në jetë, të jetë i lirë tek e fundit për të bërë zgjedhjet e veta”.

Kështu thotë Mindy. Por a e ka të lehtë një homoseksual të jetë i lumtur? Ndoshta po, përderisa Mindy vetë e deklaron këtë gjë për veten e saj…

***

A mos ndoshta, rasti i djalit të Mindy-t dhe Melissa-s, mesa duket është një rast që dëshmon se prania e babait nuk është diçka e patjetërsueshme për një fëmijë? Ka të ngjarë. së paku deri tani.

Prania mashkullore, padyshim. Por bëhet fjalë për një prani që është e që do të jetë edhe në jetën e djalit të vogël të dy grave lesbike. E ndoshta edhe për hir të kësaj pranie, ai është një vogëlush i lumtur, që e shijon këtë periudhë të fëmijërisë së tij. Rritet nga dy nëna; jeton në Tiranë, shijon kujdesin e përkorë të një dadoje shqiptare që i flet gjithë kohën shqip dhe i drejtohet në anglisht vetëm në rastet kur ka nevojë të verifikojë nëse janë kuptuar mirë; shkon në kopsht ku flitet anglisht dhe shqip, i rrethuar nga fëmijë shqiptarë, por edhe të tjerë me kombësi të ndryshme; luan futboll, herë me Melissa-n nënën e tij biologjike e herë me burra, miq të familjes; vrapon duke zbritur shkallët e pallatit dhe i drejtohet së ëmës shqip: Hajde shpejt, shpejt… e ndonjëherë, teksa njëra nga dy nënat përpiqet të parkojë makinën në ndonjë hapësirë të ngushtë, ai zbret dhe e drejton me dorë duke shkërbyer gjestet tipike shqiptare… Gjithçka funksionon si në rastin e fëmijëve të tjerë.

Është sharmant, – më përsërit Minidy, –jam e bindur që do të mendosh kështu kur ta njohësh”.

Një ditë djali i dy nënave, do ta mësojë të vërtetën mbi babanë e tij biologjik, sepse tek e fundit s’ka si të mos e ketë një baba… E rëndësishme, hë për hë, është që jeton në botën heterogjene, me burra e gra njëkohësisht.

Botuar më, Qershor 2010

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top