Pika referimi

October 23, 2015 | 10:00

Letra nga Republika e Shkarravinave

eljan taniniEljan Tanini

 Dëshmitarët e buzëqeshjeve prej plastmasi

Sa të zë gjumi, ata trokasin në dyert tona dhe më shumë tek dera ime kur i kundërshtoj. Madje edhe më kur nuk janë të njëjtat fytyra! Nuk dihet pse zgjedhin piskun e drekës së qetë për të shpërhapur mendimet, por një gjë nuhatet me shkronja të mëdha: ATA JANË HUMANË E TË LUMTUR, ME KURAJO BINDËSE, të cilëve edhe po t’ua përplasësh një herë derën ne fytyrë, kthehen përsëri me shumë dëshirë për faqen tjetër. Ata janë mjete pa komplekse, të flakur dhe të qeshur, të cilët gjithmonë vishen njësoj. Ndjekim letrën e një dimri ku gjethet kanë rënë bashkë me arrogancën time që nuk më pëlqen aspak. Por ndryshe nuk kam zgjidhje tjetër me ta, sepse edhe kur nuk e hap derën kthehen. Më në fund qetësia kish filluar të punonte. Pasi pata pastruar bodrumin me një lodhje që nuk i duhej imagjinatës në shtrat, çdo e thënë po shkrihej për pak gjumë…

15:00 akrepat, kur një valë trokitjesh ma shpifën sikur po më thyenin mëkatet. Çohem i zbathur e i vrarë nga çdo dëshirë e gjumit tim të fryrë. Hap derën. Para se të shoh kush kish ardhur, pashë magjinë e syrit magjik të fqinjit. Sa herë vijnë tek unë njerëz, pika e tij e shikimit me përgjim bëhet e zezë nga e bardhë, siç është zakonisht kur drita vjen nga brenda. Nejse, me gjithë të! Dhamë e pamë shikime ndër sy e veshë!

Unë: – Amon mo mooo, ça doni në mes të drekës? Ikni në shpi o lla se është drekë. Keni ardhur edhe herë të tjera. Ju kam thënë, kam një shokun timin atje, atje ku i bëni ju mbledhjet çdo të shtunë a ku di unë! Më atë flas kur pi raki për atë fenë tuaj, por edhe kur kam datëlindjen. Me atë që e keni përzënë, por ai ende ju do. Dëshira e Dëshmitarëve të buzëqeshjeve qese plastmasi është që t’i njihni më mirë. E kush ka nerva! Mund t’i keni parë në rrugë, duke u ofruar revistat e tyre kalimtarëve, kur bëhen tejet të duruar dhe nuk e kanë aspak problem. Ose mund të keni folur shkurtimisht me ta në derën tuaj pasi kanë ardhur 10 ose më shumë herë, të njëjtat fytyra që lypin qeshjen prej plastmasi. E ricikluar me dhunë. Për pak më flet njëra.

– Si jeni? Unë jam Lumturia, dëshmitare e Zotit tonë Jehova. Ne mendojmë se gjërat arrihen thjeshtë dhe duke i synuar. Nuk kemi ç’bëjmë!

Unë: – O motre më fal, por Lumturia ta nxjerr llapën jashtë duke e kërkuar, dhe kur e gjen, ta jep surratit duke të thënë se nuk është më ajo. Ty dhe juve ju pëlqen kur nuk ua hapin derën, ose kur ju flasin keq, sepse kjo ju shton bonus që të riktheheni.

Lumturia: – Të lutem mos fol ashtu, ti na dëgjo një herë pse kemi ardhur dhe do të kuptosh ku gjendet lumturia e vërtetë. U flas përsëri, ndërkohë që veshur kisha një bluzë me gjethe hashashi të cilën nuk e përdor kurrë se e kam me bojëra e të grisur. E mbaj për punë.

Unë: – Po ik o motre se të lumtur të bën vetëm bari. Pastaj më të lumtur janë vetëm romët!

Në të vërtetë Dëshmitarët e buzëqeshjeve prej qesesh plastmasi interesohen për ju dhe jetën tuaj. Ata dëshirojnë të jenë miqtë tuaj, t’ju tregojnë më shumë për veten, besimin, organizatën e tyre dhe se ç’mendojnë për njerëzit, për botën ku jetojmë të gjithë. Më vjen keq kur bëhem i keq. Nga e folura ime, rastisa të kisha të veshur edhe atë bluzë por edhe një arrogancë jashtë meje, ja kris njëri me ato fjalët që çdo gjë largojnë sa ata afrohen:

Djaloshi: – A mund të futemi pak brenda të flasim me ju? (Qetësi në sfond) Kemi ardhur të përhapim fjalën e lumtur. Unë duke e ndërprerë: Sepse jeni një kult që kontrolloni mendjet e atyre që besojnë tek ju! Keni edhe një ndërmarrje shtypi që vetëm letrën e ka me shumë vlerë.

I lashë fjalët përgjysmë duke iu përshtatur faktit se ata godasin me dhe pa orare, në zona dhe stinë të caktuara, përmes krizave morale dhe shoqërore, këta të lumtur me veshje uniformash civile dhe tepër dalluese janë duke e përplasur derën për hatër të gjumit tim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top