Marrëdhënie

September 21, 2016 | 8:51

Dëshmi/Ramona & Elton Metaj: Të respektosh edhe gjërat e vogla!

Të jetosh dashurinë i lirë, pa qenë i detyruar “të shpëtosh” nga kërkesat apo dëshirat e partnerit. Gjithçka kanë zgjedhur e kanë bërë duke respektuar së pari veten. Sepse vetëm kështu mund të jetosh lidhjen, me predispozitën e harmonisë dhe jetëgjatësisë në çift. Pavarësisht profesioneve të kundërta, deri diku dhe natyrave, ata e idealizojnë ndjenjën me përjetimin e kënaqësisë dhe vetëplotësimit njëherësh. Ai është bashkëshorti që ndoshta as në ëndërr nuk do ta kishte menduar, ndërsa ajo, plotësim i të tërës, gjysma tjetër që funksionon reciprokisht me gjithçka ndajnë bashkë. Kur Ramona përfshihet në një shfaqje të re, Eltoni është siguria për mbarëvajtjen e axhendës. Sepse ndodh që angazhimi të jetë edhe jashtë kufijve. Pasaportat, agjencia ajrore, tramvaji, hoteli, mikpritësi, gjithfarë do perfeksionin në orar dhe afat.

Ramona Tullumani soprano në TKOB dhe Elton Metaj gazetar.

“Ai është rregullatori, – rrëfen Ramona. – Ka vëmendjen dhe qetësinë e duhur për t’ia dalë mbanë”. Pa lënë mënjanë detyrimet familjare, djalin njëvjeçar, Borisin. Mirëkuptimi, komunikimi dhe gjetja e një të mesme ndihet më së shumti atëherë kur profesioni i sopranos do kohën e vet. Për Eltonin:

“Po të ketë dëshirë njeriu të kuptojë se çfarë rëndësie ka profesioni i tjetrit, është e mundshme për ta gjetur të mundshmen për të ndarë detyrat. Tani që është djali, sigurisht që bëjmë njëfarë ndarje të angazhimeve, për ta mbajtur, për ta ushqyer në një orar të caktuar. Na ndihmojnë dhe gjyshet përkatëse, por sigurisht që ne të dy biem dakord për një ndarje mirëkuptimi. Përshtatemi në mënyrë të tillë që Ramona të ketë kohë për t’u marrë me profesionin, sikundër unë me oraret e gazetarisë”. Pak kohë më parë festuan trevjetorin e martesës ndonëse njohja daton qëkur Ramona studionte Liceun. Me shaka Eltoni pohon se “filluam të ngacmoheshim nga pak”. E sa herë takoheshin po aq u ndodhte të ziheshin, situata që, siç pohon ai, “na kanë lidhur më fort. Me sa duket këtë pjesë e konsumuam para se të afroheshim shumë”. Më herët sopranoja më ka rrëfyer se “çdo ditë kanë një Shën Valentin të vogël mes tyre”. Qoftë një pasdite vetëm në dy, apo ato shëtitjet e shkurtra, treditore vetëm për vetëm me njëri-tjetrin, për ta kanë mjaft domethënie. T’u japësh rëndësi detajeve të vogla, është po kaq treguese për lumturinë në çift.

Ta mbash gjallë lidhjen

Eltoni: Ka debate, momente kur njëri është më i nxehur apo të dy njëkohësisht, por kur këto nuk e prekin thelbin e asaj që është në bazë të lidhjes. Janë çështje të kontureve, si është e ndërtuar një marrëdhënie dhe jo si rrinë gjërat bashkë, që është familja. Është mirë të ndodhin debatet se ndonjëherë disa gjëra njeriu i thotë edhe kur është me nerva. Është si puna e makinës që kur bie në një gropë arrin të kërcejë lart, duke nxjerrë diçka ekstra.

Ramona: Në një lidhje shumë e rëndësishme është femra. Ajo i jep drejtim si do ta trajtojë familjen, si do ta organizojë atë, si do ta ketë marrëdhënien në çift dhe me fëmijën. Dhe mashkulli nëse të do vjen pas këtij programimi që bën femra. Nëse nuk të do, shkëputet. Automatikisht fillon kjo shkëputje derisa ndahet.

Pikat e dobëta

Eltoni: Them se i njohim, jo në mënyrë absolute, e si e tillë është shumë e lehtë, por duhet të bësh kujdes kur i prek pikat e dobëta deri sa mos prishësh punë. Mendoj se kam një perceptim të pikave të dobëta të bashkëshortes. Ku i pëlqen të ngacmohet, ku i pëlqen të bëjë shaka, ku nuk duron. Madje e nxeh enkas për të kaluar një kohë pak më të këndshme. Duke i ditur ato bëj një ngacmim të qëllimshëm, siç është rasti i fëmijëve: dua tri apo katër.

Ramona: Mashkulli e adhuron atë që bën ti, përshtatet, të ndihmon. Unë vetë e kam ëndërruar që të kem një person afër që ta kuptojë profesionin tim. Eltoni sakrifikon duke pasur parasysh se profesioni im është delikat. Jam në fillim të karrierës dhe pretendoj nga vetja.

Pushimet… udhëtimet

Ramona: Nuk jam mësuar të jetoj pa jashtë shtetit. Dhe nuk mund ta mendoj për një kohë të gjatë. Sa kemi qenë pa djalin ishim të lirshëm për të menduar dhe për t’i bërë gjysmë spontane lëvizjet. Kemi një dëshirë të njëjtë. Aventurë turistike dhe kulturore. Dua të shoh gjëra të reja, kështu i bëjmë planet. Një çantë pa bagazhe shumë, vetëm mjete udhëtimi të favorshme. Tani që kemi djalin është ndryshe organizimi. Gjetëm vjet një mundësi pak të gjatë kur ishte djali 6-muajsh, ndodheshim në Amerikë. Pastaj duhet të organizohesh. Mendojmë për verën të bëjmë ndonjë devijim të vogël, duke menduar ta lëmë djalin dy-tri ditë te gjyshërit për të qenë bashkë. E kemi shumë të nevojshme, gjejmë gjyshërit të gatshëm dhe devijojmë.

Eltoni: E rëndësishme është që të dy jemi të gatshëm për t’u zhvendosur, lëvizur, për të mos qëndruar në shtëpi. Kalojmë orë të tërë darkave në kompjuter duke parë oferta, pavarësisht se mendoj këtu mundem ose jo. I them Ramonës: shikoji sepse ëndërrimi është pa para. Në praktikë do bëjmë një bilanc bashkë. Edhe muajin e mjaltit që bëmë, e bëmë thjesht. Jo të shkonim diku të nguleshim, por udhëtuam në Venecia, në pjesën e veriut të Italisë, Verona, Milano, Bologna.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.86

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top