Këshilla & Arsye

August 25, 2016 | 8:31

Arsyet pse gënjejnë fëmijët

Të gjithëve na ndodh të gënjejmë. Interesante është se këtë zakon e mësojmë që në fëmijëri. Gënjeshtrat që dëgjojmë, janë të shumëllojshme. Disa prej tyre janë specifike të fëmijëve, të tjerat u përkasin kryesisht njerëzve të rritur. Gënjejmë nga ligësia, për t’u bërë keq atyre që nuk na pëlqejnë, për t’u shpëtuar veprimeve tona. Nga indiferentizmi harrojmë të themi disa detaje që nuk i konsiderojmë si të rëndësishme, nga dëshira për të mburrur veten, sepse nuk rezistojmë dot pa u shtuar pak “ngjyrë” historive tona dhe për të nxjerrë në pah se sa të paarritshëm kemi qenë në një rrethanë të caktuar.

Gënjejmë për të marrë një përfitim, për interesat dhe fitimet personale. Pa e kuptuar, gënjejmë dhe në heshtje, pa ndërhyrë atëherë kur është e nevojshme, sepse mund të dukemi qesharakë ose absurdë. Kjo është zakonisht streha e njerëzve frikacakë. Gënjejmë edhe kur vendosim të themi vetëm gjysmën e së vërtetës. Shpeshherë, të thuash një gjysmë të vërtete është më keq se sa të thuash një gënjeshtër të plotë. Mirëpo, gënjeshtra më e rëndë është ajo që bie mbi veten. Kur arrijmë të gënjejmë veten, në shumicën e rasteve mund të themi se kemi një problem patologjik.

 

Kush është fajtori?

Ne prindërit përgjithësisht jemi përgjegjës për sjelljen e fëmijëve tanë, pavarësisht se kemi vështirësi ta pranojmë këtë fakt. Gënjeshtra e të vegjëlve është pjesërisht faji ynë. Pse? Sepse i mësojmë se nuk është mirë të prekësh ndjeshmërinë e të tjerëve. Si për shembull: Kur zonja e shtëpisë, ku keni vajtur për vizitë, do ta pyesë nëse i ka pëlqyer ëmbëlsira, fëmija duhet të përgjigjet me patjetër “po”, edhe pse s’ka qenë ëmbëlsira më e mirë që ka ngrënë deri tani. Ai e di, sesa të thotë një gjë të gabuar, më mirë të heshtë. Sepse ka nevojë për të tjerët gjithmonë. Dhe nëse kjo “nevojë” e shtyn të gënjejë, do ta bëjë pa iu dridhur qerpiku. Domosdoshmërish fëmijët e nxjerrin këtë konkluzion: “Shpeshherë e vërteta të krijon probleme. Sa herë e thonë, ka pasoja…”. Ne nuk kuptojmë se, në mënyrë të tërthortë, i shtyjmë drejt gënjeshtrës fëmijët tanë, kur në të njëjtën kohë i ndëshkojmë për atë. Gënjeshtra, sado e rëndë të jetë, sinjalizon disa probleme. Në mënyrë të përsëritur, “të gënjyerit” merr formën e një sëmundjeje të shkaktuar nga mungesa e dashurisë dhe e vëmendjes. Nëse nuk kaloni shumë kohë me të vegjlit tuaj, nuk duhet të prisni që ata t’ju thonë të vërtetën gjithë kohës. E pakuruar kjo mangësi mund të ketë pasoja të rënda në kohë. Kur arrijnë adoleshencën, fëmijët bëhen “agresivë”, do të gënjejnë, do të vjedhin dhe do të mashtrojnë, sepse thjesht nuk do të dinë si ta përballojnë të vërtetën.

 

Pse gënjejnë fëmijët?

Nga frika se mamaja do ta qortojë përsëri ose babai do ta ndëshkojë duke mos e lënë të dalë me shokët, nga frika se mësuesja do ta bëjë të turpërohet përpara klasës, e shtyjnë fëmijën të gënjejë. Një frikë e tillë mund të jetë racionale ose jo, por efekti është i njëjtë: ofron një strehë të përhershme përballë ndëshkimit. Si duhet t’i zgjidhim problemet e shkaktuara nga frika? Në radhë të parë, fëmijët që gënjejnë nga frika, kuptojnë se kanë bërë diçka gabim. Ky është dhe hapi i parë në zgjidhjen e këtij problemi. Nëse nuk komunikoni me fëmijën që herët, në qoftë se nuk ndërtoni një marrëdhënie me të, mos prisni që ai t’ju thotë gjithmonë të vërtetën. Mos i ofroni përgjigje të tipit: “Të kam thënë njëqind herë të mos më gënjesh më!”, – pasi nuk do të ketë efekt dhe s’do të korrigjojë asnjë gabim. Duhet ta hidhni pas krahëve faktin se i vogli ju ka gënjyer dhe zbuloni se çfarë e ka provokuar gënjeshtrën. Fitoni besimin e fëmijëve tuaj, bindini që të mos kenë frikë nga pasojat e së vërtetës. Gjithashtu pranoni se shpeshherë ata gënjejnë për shkak të prindërve: nga frika e ndëshkimit ose nga dëshira për të mos i zhgënjyer. Nuk është e habitshme pse prindërit, të cilët janë të mërzitur dhe bërtasin në shumicën e kohës, kanë në përgjithësi fëmijë mashtrues. Provoni bashkë me partnerin të “negocioni”, të bëni nëse është e mundur kompromis përpara se ta akuzoni; flisni ngadalë dhe me ton të ulët.

 

Për forcë zakoni

Një motiv tjetër, pse fëmijët vazhdojnë të gënjejnë, është forca e zakonit. Gënjeshtra mund të kthehet në një sjellje të zakonshme vetëm nëpërmjet praktikës intensive. Ekziston dhe mundësia që i vogli të gënjejë nga një gjest refleks dhe, në momentin e një ballafaqimi serioz, të pranojë të vërtetën.

 

Gënjeshtrat “e moderuara”

Fëmijët mësojnë të gënjejnë dhe nga sjellja e familjes. Gënjeshtrat “e moderuara” shihen zakonisht nga prindërit si të padëmshme ose si gabime (nuk kanë mbajtur premtimet, kanë “modifikuar” të vërtetën, kanë shkelur rregullat). Të vegjlit nuk janë në gjendje të bëjnë diferencën midis shumëllojshmërisë së gënjeshtrave. Ata nuk i kuptojnë nuancat dhe, nëse ju prindër nuk u shpjegoni diferencën midis gënjeshtrave, provoni të bëni të vërtetën një prioritet, duke qenë shembull për fëmijët tuaj, pranoni kur gaboni. Kur bëni parashikime mbi sjelljen e të tjerëve Sa herë keni dëgjuar falje të tipit: “E dija se nuk do të më jepje leje, prandaj ika pa të lajmëruar”. Fëmija juaj e ka parashikuar përgjigjen, duke u bazuar në eksperiencat e tij nga e kaluara dhe është përshtatur, ai ju ka gënjyer.

 

Gënjeshtrat dhe mosha

kid lieGjatë fëmijërisë, gënjeshtrat e të vegjëlve mund të evoluojnë: nga histori të thjeshta, imagjinare, te gënjeshtrat që lidhen me gjërat thelbësore nga jeta e tyre.

 

2-3 vjeç

Fëmijët shumë të vegjël nuk e dallojnë të vërtetën nga sajesa. Kështu që, nëse do të dëgjoni se “lodrat fluturojnë nëpër dhomë”, ose se “kukulla më ka thënë ta hedh topin e letrës higjienike në tualet”, se kanë shokë imagjinarë, me të cilët takohen përditë, ose se mund të kuptojnë çfarë flasin kafshët, mos u shqetësoni! Bëhet fjalë vetëm për një imagjinatë të zhvilluar, pasi nuk mund të bëjnë ende diferencën e saktë midis asaj çfarë është reale dhe jo. Gjithashtu, në qoftë se nuk i pranojnë gabimet e tyre, pavarësisht se ata me siguri i kanë bërë, mos i qortoni! Ka shumë mundësi të kenë harruar, sidomos nëse ka kaluar pak kohë.

 

5-6 vjeç

Rreth kësaj moshe, fëmijët fillojnë të kuptojnë diferencën midis realitetit dhe imagjinatës. Ata nuk do të sajojnë më histori të pabesueshme me të cilat u bënin përshtypje prindërve dhe u tërhiqnin vëmendjen. Në këtë moshë, fëmija fillon të jetë i ndërgjegjshëm për gabimet e tij dhe kupton se një sjellje e caktuar mund t’i zhgënjejë prindërit. Ai tashmë ka ndjenjat si fajësia dhe frika. Për herë të parë në këtë moshë, fëmija “ndërton” gënjeshtrën, në përpjekje për të mënjanuar ndëshkimin, si dhe do të ekzagjerojë ndonjëherë vetëm nga dëshira për të tërhequr vëmendjen e prindërve. Kështu që, gjeni kohë për ta dëgjuar atëherë kur përpiqet t’ju thotë diçka. Merreni seriozisht, flisni për problemet e tij në të njëjtën mënyrë siç bëni me njerëzit e rritur.

 

7-8 vjeç

Kur arrijnë këtë moshë fëmijët bëjnë diferencën e qartë midis realitetit dhe imagjinatës. Zakonisht, ata gënjejnë nga frika e ndëshkimit ose për t’iu shmangur detyrave të papëlqyeshme që u janë imponuar nga të tjerët. Në këtë moshë, ata kuptojnë dhe konceptin e “mirësjelljes shoqërore”.

Kështu që do të pretendojnë se pëlqejnë pulovrën e thurur nga gjyshja, ose do të vlerësojnë pozitivisht një prerje flokësh të shoqes së klasës, megjithëse asaj nuk i shkon aspak. Këto janë gënjeshtra të tipit “altruist”, të cilat synojnë t’i mbrojnë të tjerët nga fjalë të pakëndshme që nuk duan t’i dëgjojnë. Në këtë moshë, gënjeshtra mund të jetë dhe një thirrje për ndihmë. Ata do të gënjejnë për të mos i zhgënjyer prindërit ose mësuesit. Gënjeshtra është mënyra e zgjedhur prej tyre për t’ju përgjigjur presionit shoqëror ndaj të cilit ndihen të detyruar.

 

12-14 vjeç

Në adoleshencë gënjeshtra merr një kuptim të ri, ndaj prindërit duhet të fillojnë të ndihen të shqetësuar. Fëmijët e kanë të qartë diferencën midis reales e imagjinares dhe gënjeshtrat e tyre janë të paramenduara. Në këtë moshë, ata do të perfeksionohen në “artin e të gënjyerit”. Sigurisht, jo të gjitha gënjeshtrat që thonë për të “maskuar” faktin se kanë bërë diçka të ndaluar ose të pakëndshme, mund të jenë të rrezikshme. Adoleshentët gënjejnë për të mbrojtur intimitetin e tyre, për të shpallur pavarësinë e tyre, për t’iu shmangur turpit ose për të mos lënduar të tjerët. Ata zgjedhin të gënjejnë, si mënyrën e vetme për t’iu shmangur detyrave që u janë ngarkuar, si dhe ndëshkimit që i pret. Dhe kjo për të përfituar gjëra materiale, të cilat, duke thënë të vërtetën, nuk do t’i merrnin.

 

Si ta ndëshkojmë gënjeshtrën?

Shumë prindër përballen me këtë dilemë: t’i ndëshkojnë apo jo fëmijët e tyre? Dhe, nëse po, si duhet ta bëjnë? Kujtoni se një nga arsyet për të cilat fëmijët gënjejnë është frika. Shumë prej tyre e zgjedhin gënjeshtrën si mënyrën më të mirë për të dalë nga situata, si një masë për t’iu shmangur ndëshkimit. Ky i fundit funksionon kur vepron mbi gënjeshtrat e shpeshta, për të limituar një sjellje të zakonshme. Mirëpo bëhet i padobishëm kur gënjeshtra është e motivuar nga frika ose nga parashikimet e fëmijëve mbi vendimet e prindërve. Prandaj, kërkoni në thellësi arsyet e gënjeshtrës dhe përpiquni të zbuloni më shumë burimin se sa simptomat e saj.

Përdorni ndëshkimin si zgjidhjen e fundit, jo si impuls të parë. Do të surprizoheni sa mirë funksionon një mesazh pozitiv dhe se sa keq perceptohet një negativ (p.sh “u mërzita se më ke gënjyer”, – është më efikase se sa – “do të të ndëshkoj sepse më ke gënjyer”). Shumë më frytdhënëse do të jetë t’i thoni sa keq ndiheni për këtë veprim, se sa ta ndëshkoni. Mos merrni vendime të nxituara, sapo e keni zbuluar gënjeshtrën. Gjithashtu mos e lini të presë gjatë një ndëshkim, sepse ai do të harrojë gabimin. Kujtohuni se synimi kryesor është t’i inkurajoni sinqeritetin.

 

Inkurajojeni të thotë të vërtetën

Për sa është e mundur, mbajeni fjalën e dhënë. Shpjegojini gjithmonë ku keni gabuar dhe kërkojini ndjesë në rast se nuk e keni mbajtur fjalën e dhënë. Nëse “surprizoni” veten se jeni duke gënjyer përpara fëmijës, bëjeni ta kuptojë arsyen pse vepruat ashtu. Mos prisni që i vogli të arrijë të bëjë diferencën midis gënjeshtrave të pafajshme dhe atyre “serioze”. Mos e mashtroni kur ai duhet të përballet me gjërat më pak të këndshme (p.sh – mos i premtoni se -“gjilpërën nuk do ta ndiesh aspak”). Mos e ngarkoni mendjen e tyre me shumë rregulla. Sa më të shumta të jenë ato, aq më e lehtë do të jetë për t’i shkelur, duke i bërë gënjeshtrat të pashmangshme. Prandaj, ndërtojini rregullat bashkë me fëmijët tuaj, në mënyrë që asnjëherë të mos ju thonë se nuk i dinin ato. Dhe fëmijët, të cilët kanë asimiluar koncepte si “vërtetësi” dhe “ndëshkim”, mund të gënjejnë ndonjëherë. Nëse kjo ndodh, ruani qetësinë dhe merrni masa sipas moshës së fëmijës. Zbuloni arsyen e vërtetë të gënjeshtrës, pasi kjo mund të jetë më e rëndësishme se sa vetë gënjeshtra. Mos harroni t’i thoni sa shumë e doni, pavarësisht se ju ka gënjyer, se është një fëmijë i mirë, ndonëse fakti se ka zgjedhur të gënjejë nuk e nderon aspak.

 

Këshillat e psikologut

Psikologët mendojnë se dyshja ndëshkime-shpërblime, në fakt, manipulojnë dhe kultivojnë egoizmin: “çfarë marr nëse bëj këtë veprim?” Sipas Kantit, nëse ndëshkojmë një fëmijë, sepse nuk është sjellë mirë dhe e shpërblejmë për një sjellje të gabuar, ai përfundon të sillet ashtu siç të tjerët presin prej tij, vetëm për shkak të këtij shpërblimi. Gjithashtu, kur atij do t’i duhet të përballojë botën dhe do të zbulojë se e vërteta nuk është shpërblyer çdo herë, problem i tij do të jetë, të bëjë vetëm gjërat të cilat i sjellin avantazhe. “Kur fëmija gënjen, – pohon Kant, – nuk duhet ta ndëshkojmë, por ta trajtojmë me përçmim, duke e siguruar se në të ardhmen asnjeri nuk do ta besojë”. Ky mekanizëm përforcon konceptin për një jetë mjaft stresuese, konkurruese, të tipit “unë kundër të tjerëve”, e cila çon në ankth dhe vetizolim.

 

Fëmija ka tendencë të fantazojë?

Mos e akuzoni, shpjegojini se nuk e besoni dhe ai mbetet po i njëjti, pavarësisht se s’ka marrë në shkollë notën maksimale. Në qoftë se vështroni se një sjellje e tillë ndodh edhe përpara personave të tjerë, mos ia tërhiqni vëmendjen menjëherë. Prisni sa të arrini në shtëpi, ku duhet të zhvilloni një bisedë shumë serioze. Mos e akuzoni: “Po pyes veten kush e ka derdhur qumështin? Sa mirë do të ishte ta pastronte pak”, do të merrte një përgjigje më të sinqertë se sa pyetja akuzuese: “Genti, ti e ke derdhur qumështin?”. Mos i bëni presion të pranojë të vërtetën, nëse ju e keni zbuluar tashmë. Tregojini se e dini çfarë ka bërë dhe se nuk jeni aspak dakord. Ndihmojeni të kuptojë çfarë efektesh mund të ketë në kohë gënjeshtra e tij.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top