Në fokus

July 25, 2016 | 8:11

Dëshmi/Saimir Pirgu:Çelësi i suksesit… njohja e vetes!

Ishte vetëm 18 vjeç kur me një valixhe modeste la pas Shqipërinë, të shkuarën pa perspektivë dhe me dhimbje sa i takon nivelit socio-ekonomik. U nis drejt së resë, me shpresën për një të ardhme që do t’i ndryshonte jetën. Dhe kështu ndodhi. Dëshira, vullneti dhe entuziazmi karakterizues i moshës bënë që ai sot të gëzojë famën, që suksesshëm e ka “çimentuar” në skenat mbarëbotërore. Saimir Pirgu është tenori shqiptar për të cilin të gjithë krenohemi. Është njeriu që me “sytë hapur” vlerëson të shkuarën me të mirat dhe të këqijat e saj, mbi të gjitha, të pohojë se me mund e djersë arrihet çdo gjë. Bisedën me të natyrisht që e zhvilluam përmes e-mail-ve. Në kulmin e karrierës dhe sezonit artistik, ai është epiqendra e roleve si protagonist. I thjeshtë dhe i hapur për të shkëmbyer përvojën e tij deri në këto momente, Saimiri na rrëfen për guximin dhe besimin në vetvete që e ndihmuan të përballojë i vetëm jetën në dhé të huaj. Fillimi ka qenë i vështirë, por edhe i bukur, tregon tenori. “Disa gjëra merren me entuziazmin e moshës dhe me vullnetin personal për të kërkuar më mirë. Nuk mbaj mend të kem vuajtur apo të jem ndjerë keq gjatë atyre viteve, por ama në punë të ndryshme, për të pasur lehtësira ekonomike si gjithë të rinjtë e tjerë që ndodhen keq ekonomikisht. Mund të them se vitet e para të miat në Itali janë të ngjashme me jetën e çdo studenti që përballet me vështirësi në një vend të huaj”. Fillimet ishin në Bolzano të Italisë, aty ku Saimiri do të niste studimet e larta. “Mbas tri ditëve të para, mundësitë e mia për të mbijetuar po mbaronin e më duhej të gjeja një vendstrehim. Fatmirësisht Bolzano është një qytet që ofron shumë dhe munda të gjej strehim te një kolegj për të rinj të Salisianëve dhe aty pastaj kam punuar si pjatalarës për një vit. Në këtë mënyrë bëja të mundur që me ato pak euro që fitoja të mbaja veten, studimet, por mbi të gjitha të mos ndikoja, ose më mirë të them, të lehtësoja ekonomikisht edhe familjen time, që sigurisht me disnivelin italian nuk kishin mundësi të më ndihmonin më tepër”. Besimi për t’ia dalë mbanë ia vlejti, pavarësisht ‘kapërcimeve me pengesa’. E gjitha ishte një shtysë e mirë që ia vlejti, por në ngacmim me të shkuarën e tij, tenori lirik Pirgu nuk mund të lërë pa përmendur atë që rrënjët vulosën këtë ndjesi të çmuar tek ai. “Besimi ka qenë i madh, por shtysën e kam gjetur në familje e në edukimin tim në Shqipëri. Vitet e vështira ‘90 kur unë isha fëmijë, e më pas ‘97 në adoleshencë kanë ndikuar shumë tek unë, por gjithashtu tek të gjithë bashkëmoshatarët e mi besoj. Mund të them se është brezi më fatkeq, pa libra e fletore në vitet ‘90, me krisma armësh pa motiv në ‘97. Nuk mund që një adoleshent i asaj kohe të jetë i pandjeshëm në ato që shikon e jeton në vitet e rinisë. Duke qenë se ato vite kanë qenë tepër të vështira për mua, në njëfarë mënyre janë shndërruar në kalitje për vullnetin apo shtysën për të bërë diçka që të ishte ndryshe. Besoja dhe isha i sigurt që një ditë çdo gjë do të bëhej më mirë. Dhe kështu ndodhi”. E gjithë kjo i ka shërbyer në karrierën që po bën sot. “Besimi në vetvete nuk më ka munguar asnjëherë. Sa herë që provoja të bëja një audicion apo edhe konkurs, shkoja me dëshirën më të madhe dhe, mbi të gjitha, tepër i përgatitur. Në njëfarë mënyre sikur e dija që prezantimi im përpara jurisë duhej të ishte 100% ndryshe, nuk do t’ia falja vetes në radhë të parë të gaboja. Nëse nuk isha i sigurt në vetvete, nuk merrja pjesë; ama kur merrja pjesë, fitoja. Kjo siguri e imja për të vënë faqen përballë publikut më ka ndihmuar shumë. Për mua është një shtysë e brendshme edhe sot e kësaj dite. Jam tërë kohës në testim nga publiku dhe ambienti rrethues, e fakti që çdo shfaqje e çdo dalje në skenë për mua është si ai provimi i parë, më jep mundësinë të eci përpara. Asnjëherë nuk mund ta ul punën apo rëndësinë e shfaqjes, nuk ndihem mirë me veten. Mendoj se çelësi i suksesit është të njohësh vetveten”.

 

Tenori Saimir Pirgu është një nga emrat e denjë që ka përfaqësuar Shqipërinë në skenat operistike më të mëdha botërore. Sigurisht që ‘lufta’ brenda llojit ka paragjykime e deri ‘shkopinj nën rrota’. Por, për një artist si ai, vështirësitë e këtyre natyrave janë zbehur kur zëri i tij brilant ka marrë vlerësime të shkëlqyera nga tenorë si Pavaroti, Domingo e shumë të tjerë. Në këtë rrugëtim, tenori shqiptar e ka kuptuar dhe e vlerëson se gjithsesi, nuk i është mohuar puna. “Unë sapo kam filluar rrugën time në këtë art kaq të bukur e jam vetëm në fillimet e karrierës, por mund t’ju them se për mua ka qenë shumë e vështirë të mbërrij deri këtu, e gjithashtu në njëfarë mënyre edhe e thjeshtë. Ja përse: në fillimet e mia në Itali, paragjykimet për shqiptarët kanë qenë të shumta e sidomos kur ti me vullnetin dhe talentin tënd prek majat e artit të tyre operistik. Ata e kanë artin e tyre dhe sigurisht ndihen xhelozë ndaj çdo të huaji që mund të jetë më i mirë se ata. Reagimet e para ishin gjithmonë jo të mira, sepse, sidoqoftë, fakti që një shqiptar këndon në Romë apo ‘La Scala’ nuk është kaq e lehtë për t’u gëlltitur, por fatmirësisht zanati im ka të bëjë me publikun e në fund është ai që të vlerëson. Pra, me gjithë paragjykimet si tepër i ri dhe i huaj, kur rezultati ka qenë i mirë, për cilindo ka qenë e vështirë të fshehë konkluzionin. Mbas shumë peripecish nuk më është mohuar asnjëherë djersa apo puna ime, e për këtë them se ka qenë e vështirë po aq sa e thjeshtë”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.75

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top