Psikofakt

July 25, 2016 | 7:54

Narcisi dhe ne

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Sigurisht te secili prej nesh fle një Narcis, sepse kemi një ego që, kohë pas kohe, merr trajtën e egoizmit apo edhe të egocentrizmit. Ky Narcis shfaqet, pra, herë pa rënë në sy, herë duke u imponuar zhurmshëm, si në marrëdhënien që kemi me vetveten (subjekt-subjekt) ashtu edhe në marrëdhëniet tona me të tjerët (subjektobjekt). Narcisisti admiron vetveten, kujdeset vetëm për vetveten, ai ka kultin e vetvetes, ndjek nga shumë afër vetëm zhvillimin e tij vetjak. Ky është përkufizimi që japin në përgjithësi fjalorët gjuhësorë në vende të ndryshme.

Gjithsesi, në enciklopedi serioze dhe në internet sot mund të gjesh përkufizime dhe analiza fort interesante të narcisizmit dhe të narcisistëve. Ja, për shembull, çfarë mund të lexosh në enciklopedinë franceze Bordas (Paris, 1999): “Narcisizmi shfaqet si dashuri për figurën e vetvetes, duke iu referuar mitit të Narcisit. Frojdi dallon një narcisizëm të nivelit të parë, në të cilin libidoja e fëmijës investohet te vetvetja (ky është një moment normal i formimit të personalitetit), dhe një narcisizëm të nivelit të dytë, në të cilin libidoja e të rriturit shkëputet nga objektet (pra, nga personat e tjerë) ku ishte investuar, me qëllim që të kthehet mbrapsht tek uni (çka është një gjendje karakteristike e disa lloje psikopatish)”. Sigurisht, tek subjekti narcisist, problemi shtrohet për marrëdhënien e tij me vetveten, sepse këtu kemi një tipar relacional të një natyre masturbuese; por problemi shtrohet sidomos për marrëdhëniet e tij me të tjerët (familje, miq, kolegë etj.): Si e konsideron ai veten gjatë këtyre marrëdhënieve, mbi të tjerët apo përballë dhe, më keq akoma, kundër të tjerëve? Prej kohësh, psikiatrit, psikologët dhe psikanalistët kanë nënvizuar se narcisistët vuajnë nga një çrregullim i personalitetit me prirje të theksuara egocentrizmi e megalomanie të shoqëruara me vartësi të thellë afektive nga të tjerët dhe, paradoksalisht, me një mungesë të frikshme ndjeshmërie ndaj atyre. Kuptohet që narcisistët i bëjnë të vuajnë të afërmit e tyre, por ata vuajnë edhe vetë ngaqë ndihen të pakuptuar, të pambrojtur e të vetmuar, prandaj nuk pranojnë t’i marrin parasysh kritikat e të tjerëve dhe aq më pak t’u nënshtrohen psikoterapive të propozuara, që janë, deri më sot, i vetmi mjet për t’i afruar e pajtuar ata me të tjerët, pra, në njëfarë mënyre, edhe me vetveten. Fatkeqësisht, ndonëse këta persona shpesh shihen si njerëz të akullt, të paafrueshëm, tepër të pavarur dhe të blinduar ndaj mjedisit rrethues, ata – na mësojnë psikoterapistët – kanë nevojë shumë më tepër se të tjerët që t’i kuptojmë dhe t’u falim dashuri e mirëkuptim, sepse janë shumë të brishtë, ashtu si vetë lulja me të njëjtin emër, narcis, një lloj zambaku i vogël, i bardhë ose i verdhë, një varietet i të cilit, që rritet e lulëzon livadheve me lagështi, në botanikë, quhet narcissus poeticus, pra, narcisi i poetëve.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top