Lifestyle

July 24, 2016 | 9:20

Dëshmi/Sheila Haxhiraj: Vetëbesimi më dha fitoren

Tashmë ëndrra e saj është një realitet i prekshëm. Dhe kjo erdhi pikërisht atëherë kur ajo e deshi aq fort. Pa mohuar edhe fatin që, sipas Sheila Haxhirajt, ishte mishërimi i gjithë atij fryti të shumëpritur që herët në vegjëlinë e saj. Këngëtarja afër të 20-ve, fituesja e parë e edicionit muzikor “X Factor”, i cili gjithashtu mbahej për herë të parë në Shqipëri, rrëfen se nga kjo përvojë kuptoi se të besosh te vetja, forcat dhe aftësitë personale, gjithçkaje mund t’ia arrish në jetë. Ky përkushtim i gjatë i dha të kuptojë atë që sot ajo ka nisur të lërë gjurmët e para drejt një karriere të sigurt dhe konkurruese në fushën e muzikës. Vajza e hirshme, me flokët e zinj e kaçurrele kujton në pak çaste të shkuarën. Realizimin e ëndrrës hap pas hapi me pjesëmarrje nëpër koncerte të ndryshme për fëmijë, për ta vijuar mandej me “Gjeniun e Vogël”, i cili e udhëhoqi në një stad më të lartë në pjekurinë muzikore që formësohej tek ajo. Por “X Factor”, sipas Sheilës, pa dyshim që i solli më shumë kënaqësi. “Ka qenë një punë kolosale dhe e mundimshme disamujore. Net të gjata pa gjumë, plot ankth dhe emocione, por natyrisht shoqëruar edhe me kënaqësi të pafundme për çdo javë të netëve live, ku unë arrija të kualifikohesha. Është një ndër eksperiencat më të bukura të jetës sime, ku gjithë ajo dëshirë, punë dhe pasion i madh i imi u kurorëzuan me fitore”. Natyrisht që fillimi në këtë event artistik ishte i vështirë. Kjo, jo vetëm sepse aty konkurruan gati pesë mijë të rinj të talentuar, por sepse, sipas këngëtares së re, “ekzistonte ‘frika’ nëse do mund të isha pjesë e 16-të finalistëve” në fund të garës. “Më është dashur të punoja deri në orët e para të mëngjesit së bashku me mentoren time Juliana Pasha dhe me të gjithë stafin e ‘X Factor’ deri vonë në mbrëmje. Veç kësaj, vazhdoja të punoja dhe individualisht. Mendoj se me punë arrihet gjithçka. Unë u përzgjodha si një paketë e plotë, që do të thotë se një fitues duhet të ketë së pari vokalin, të performojë, të përcjellë emocion te publiku dhe natyrisht të ketë një paraqitje skenike dinjitoze”. Dhe kur ke talentin, pasionin dhe dëshirën për t’ia arritur më të mirën për veten ia del mbanë. Kështu ndodhi dhe me Sheila Haxhiraj, e cila nënvizon shpesh se “në asnjë moment nuk e kam humbur besimin në vetvete, por besoj dhe te fati”. Në ditët e sotme kjo është shumë e rëndësishme, për më tepër kur duhet “t’i bësh ballë” tregut të mirëfilltë muzikor. Ndaj Sheila e konfirmon kur thotë se: “Jam natyrë optimiste dhe besoj në aftësitë dhe talentin tim. Shpresoj shumë që vazhdimi i karrierës sime muzikore të jetë po aq i suksesshëm sa edhe fillimi”.

Botuar në revistën Psikologjia, nr.75

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top