FB

May 16, 2022 | 8:45

Dështimi në periudhën e fëmijërisë është shumë i shëndetshëm nëse të rriturit dinë ta asistojnë fëmijën

Kur fëmija fillon shkollën, të gjithë prindërit duan që fëmija i tyre të jetë i shkëlqyer në mësime, të jetë i shkëlqyer në sjellje, të jetë i shkëlqyer në gjithçka. Asnjërit nuk i shkon mendja, madje dhe mësuesve që fëmija sapo ka filluar shkollën. Shkolla është ajo periudhë e jetës së një njeriu që ai po mëson si të mendojë, si të flasë, të njohë emocionet e tij dhe si ti menaxhojë ato.

Nga Lira Gjika

Që të realizohen të gjitha këto procese duhet shumë punë, si nga ana e vet fëmijës po ashtu nga ana e mësuesve dhe prindërve. Fëmija përpiqet dhe dëshiron të jetë shumë i zoti, shumë i ditur por çdo gjë duket e vështirë. Të rriturit që janë pranë tij, prindër dhe mësues, i tregojnë gjithë kohës gjërat që bën gabim. Fëmija këtë gjë e di shumë mirë, ai pret nga të rriturit ti tregojnë atë gjë që ai ka bërë mirë, por kjo ndodh shumë rrallë.

Ka prindër që i ndëshkojnë fëmijët për rezultatet jo sipas parashikimeve të tyre. Ka prindër që i fyejnë fëmijët pse nuk janë të zotë. Nuk ju shkon në mendje që padashur po i zhvillojnë turpin dhe neverinë për veten dhe dalëngadalë mosbesimin se mund të jetë i zoti. Kjo sjellje e të rriturve shkatërron formimin e besimit tek vetja dhe kurajon për të thënë me fjalët e veta atë që mëson. Kjo sjellje e të rriturve ndodh për shkak të frikës së tyre të brendësuar dhe të pavetëdijshme nga dështimi dhe të qenit i pa zoti.

Për fat të keq, të rriturve nuk ju shkon mendja se “dështimi” në periudhën e fëmijërisë është shumë i shëndetshëm nëse të rriturit dinë ta asistojnë fëmijën. Ata duhet ti tregojnë fëmijës se në këtë moshë pikërisht kjo gjë mësohet, si të mos dështosh në jetë. Vështirësitë në të mësuar apo ndjesia që nuk di ti bëjë mirë apo përtesa tregojnë se mendja e tij po punon që pikërisht atëherë kur duhet, të jetë i aftë dhe i zoti. Truri dhe mendja e njeriut në ndryshim nga të gjithë organet e tjera, janë të vetmet organe të njeriut që kërkojnë vështirësi që të funksionojnë. Ato fillojnë të aktivizohen pas çdo informacioni të ri dhe kërkohet koha e duhur që të duket rezultati.

Prindër, tregojini fëmijës me shembuj që ta ketë më të lehtë të kuptojë se çfarë po ndodh me të. Mund të jetë një shembull që “Njeriu nuk e mbaron pjatën me ushqim të gjithën përnjëherë por e përfundon lugë pas luge”, i njëjti fenomen ndodh dhe me të mësuarin. Fëmija, truri dhe mendja e tij kërkojnë kohën e duhur. Të mësuarit është një proces që zhvillohet hap pas hapi dhe ditë pas dite dhe që ky proces të jetë i frytshëm është shumë i rëndësishëm faktori prindër – mësues. Nëse ata shmangin ankthin e tyre se mos fëmija nuk ja del, gjithçka do zhvillohet në më të mirën, që as vet prindërit apo mësuesit nuk do ta besojnë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top