Dëshmi

January 18, 2022 | 8:26

Detari vlonjat Meçaj, merr “dekoratën” e nderit nga piktori dhe skulptori Ilirian Shima

 

Nga Orjona Tresa, gazetare

 

Figura e tij ka qenë kryefjalë e bisedave virtuale, por jo vetëm, për devotshmërinë e treguar. Detari i ri Besmir Meçaj ishte ai që arriti të shpëtojë 50 emigrantë sirianë një vit më parë, akt që në fakt i kushtoi atij arrestimin, 23 ditë burg dhe shkarkimin nga detyra. Në media dhe rrjetet sociale (ku indinjata ishte edhe më e madhe) ky dënim për të riun ishte një shuplakë për gjithë ata tituj, çmime apo dekorata të shkuara dëm, sepse sipas tyre, ky djalosh meritonte të vlerësohej shumë e më shumë. Megjithatë, një çmim nderi ia ka dhënë përmes artit të tij, piktori dhe skulptori i njohur shqiptar, Ilirian Shima.

0Shima, i cili prej vitesh punon dhe jeton në shtetin grek, i ka kushtuar veprën e tij Besmirit, me një portret, shoqëruar me statusin: “Detar Besmir Mecaj,

N’det

Shpëtoi 50 vetë

…. Ia di Zoti vet.”

 

 

 

 

Ilirian Shima e ka përcjellë artin e tij edhe në Shqipëri. Në vitin 2012, ai u shpall fitues i konkursit kombëtar për monumentin e Kongresit të Lushnjes, shpiponjën dykrenare prej bronxi. Vepra e tij është e vendosur në parkun e madh të qytetit, përballë shtëpisë ku u mbajt Kongresi. 

Ilirian Shima është mjeshtër i punimit të mermerit, drurit, qeramikës dhe metalit. Ai njihet edhe për aplikimin e sistemit zanoro-skulptural, aplikim që është pëlqyer në ekspozitën më të madhe të Europës në Berlin, ”IFA” me punimin “The sound of art”. Po aq sukses pati edhe punimi tjetër i këtij zhanri “Ballada e Ilirit”. Ndërsa në Shqipëri suksesi erdhi me ekspozitën personale “FARAJON” e cila u hap në fundmajin e vitit 2014 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë.

Ilirian Shima ka studiuar në ish-Institutin e Lartë të Arteve, sot Universiteti i Arteve në Tiranë, në artin konteporan. Ai ka patur sukses me kompozimin e portretit të Nënë Terezës, si dhe bustin e Homerit të vendosur në San Torini, një nga destinacionet turistike kulturore të ishullit më të famshëm turistik të Greqisë. Ekspozita e parë e mjeshtrit Shima starton në vitin 1991, duke u ndjekur më pas nga ekspozita të tjera në 2001, 2002, 2004, 2006, 2007, 2008 si në galeritë e Athinës, ashtu edhe në galeritë evropiane dhe ato amerikane. 

***

Le të flasim për personazhin që ngacmoi muzën e skulptorit shqiptar.

Kush është Besmir Meçaj?

Besmir Meçaj është anëtar ekipit të ekuipazhit të Motovedetës “Bora” P-116 që bashkë me shokët e tij natën e 8 janarit 2021 shpëtoi në det 55 emigrantë sirianë me një mjet me gjatësi 20 m.

Në një intervistë për Fax News 1 vit pas ngjarjes, ai bën apel për drejtësi pasi ka bërë 23 ditë burg për diçka për të cilën thotë se është i pafajshëm dhe për më tepër është shkarkuar nga puna.

Atë mbrëmje gomonia ishte gjysëm e mbytur dhe emigrantët gjysëm në ujë. 14 prej tyre kishin pësuar djegir nga kontakti me përzierjen e karburantit me ujin e detit. Disa nga të djegurit ishin gra dhe fëmijë. Kur Motovedeta identifikoi gomonen dhe iu afrua Besmiri u hodh në ujë dhe ndihmoi çdo emigrant të hipte në motovetë nga kiçi.

Në fund në gomone kishin mbetur dy fëmijë, të cilët nuk kishin shenja jete dhe prindërit e tyre vendosën t’i braktisnin. Ata i thanë Besmirit që t’i linte në gomone, por ai i mori të dy dhe i hipi në motovedetë. Fëmijët ishin gjallë, por të djegur dhe në gjendje shumë të rëndë. Besmiri i pastroi, i mbështolli me batanije dhe u shtri bashkë me ta për t’i mbajtur ngrohtë. Falë Besmirit dy fëmijët shpëtuan.

Ditën tjetër, në 9 janar 2021, Policia e Shtetit bëri kallëzim penal për të gjithë ekuipazhin e Motovedetës “Bora” P-126 “Për shpërdorim detyre” në bashkëpunim, pasi pranë molit të Vorës dy skafistët u hodhën në det, njëri prej të cilëve u kap dhe është me masë sigurie “arrest shtëpie”.

01

Në 6 maj 2021, mbasi Motovedeta u kthye nga qëndrimi 3-ditore si anije e gatshme në Sazan, i gjithë ekuipazhi u ndalua me masën e sigurisë “arrest me burg”, duke përfshirë dhe Besmirin.

Në datën 27 maj 2021 Gjykata e Apelit e ktheu masën e sigurisë në “detyrim paraqitje”. Nga dita e ndalimit dhe deri më sot i gjithë ekuipazhi, duke përfshirë edhe heroin detar Besmir Meçaj janë të pezulluar nga detyra dhe nuk paguhen.

Prej një viti ai dhe 4 shokët e tij nuk kanë pasur asnjë ndihmë, as juridike, nga Komanda e Forcës Detare, Shtabi i Përgjithshëm, Ministria e Mbrojtjes, Kryeministria, apo Komandanti i Përgjithshëm.

Meçaj tha se nuk po kërkon dekoratë, ndërsa e vetmja gjë që thekson vazhdimisht është drejtësia, heqja e masës së sigurisë dhe rikthimi në punën që ai e kishte bërë prej vitesh në mënyrë shumë korrekte.

Meçaj: Ishim në gatishmëri në 8 janar dhe në orën 12 kishim konsumuar darkën dhe na vjen një njoftim se ka një gomone në det dhe po kërkon ndihmë.

Lamë çdo gjë dhe dolëm në ato kushte atmosferike jo të mira, dolëm 5 veta në det dhe filluam kërkimin me koordinatat që kishim për të gjetur ndonjë objekt të mundshëm apo gomonen. Pas disa minutash e gjetëm, u afruam dhe qëndruam në një distancë për të hipur personat në bord.

Kushtet e punës ishin të këqija dhe nuk ngjiteshim dot në gomone. Kemi hapur një shkallë dhe në atë moment, një koleg më tha që do i merrnim ndryshe. Të gjithë po kërkonin ndihmë.

Ishin të ulur gjysëm në ujë, po bërtisnin dhe kërkonin ndihmë në ato temperatura të ulëta. Secili po shihte të shpëtonte veten.

U zhyta në ujë deri te pjesa e gjoksit. Dy fëmijë ishin rëndë, njëri thuajse i vdekur dhe nëna e tij po e mbante. Ia mora në krahë dhe ishte ngrirë. E mbështollëm me batanije që të ngroheshin.

Kur u afruam pranë portit e mori veten. Kam për detyrë vrojtim-shpëtim, jo arrestim.

Nuk i njihja trafikantët dhe kam rrezikuar jetën time. Unë nuk dua dekorata por vetëm drejtësi.

Kisha vetëm një palë kominoshe dhe xhup lundrimi dhe policia na mbajti për deklarata deri në 6 të mëngjesit.

Kam bërë burg 23 ditë për shpërdorim detyre dhe jam shkarkuar. Kam masën detyrim paraqitjeje. Unë shërbeja prej 4 vitesh aty pa asnjë lloj problemi.

Detyra ime është të jap sinjal dhe të marr urdhra nga komandanti, jo të arrestoj njerëz. Unë s’kam as pranga as asgjë. Atë natë ishin me kapuçë e qeska në kokë sepse kishin ftohtë. Anija me kapacitet deri në 50 persona ka pasur trefishin e ngarkesës. Hyri policia për kontroll dhe u çudita kur po kërkonin trafikantët.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
[email protected] / Cel: 0688019400

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top