Psikofakt

September 17, 2020 | 13:59

Detyra që ka pushtuar rrjetin, kë duhet të gjykojmë më parë?

 

Nga Orjona Tresa

Një postim i shpërndarë nëpër rrjetet sociale, ka prekur më së shumti prindërit, ata që në pasigurinë e një sistemi të duhur për mbrojtjen e shëndetit të fëmijëve, u duhet të përballen edhe me shënime e vlerësime të fëmijës si në rastin konkret. Dhe është fillimi i shkollës. Një javë ende pa nisur mirë, por që duhet të ketë ritëm, sepse mund të kthehet edhe një valë infektive e cila mund të rrezikojë sërish mësimin bazik. Ku i dihet?!

letra

Gjykimi në rrjetet sociale mbi këtë foto është me doza të larta. Ka ofeza, kritika, vend për korrigjim të sjelljes, e me radhë, pa marrë parasysh se në fakt, të gjithë jemi pjesë e një vorbulle që vetë e kemi krijuar, në mos më keq, lejuar që të ndodhë kështu.

Atëherë, në gjykimin e ftohtë, përgjegjësi, por edhe faj kemi të gjithë.

Detyra e klasës së këtij fëmije ishte një përshtypje mbi pushimet verore dhe lojërat. Fëmija, anonimati i të cilit referon se mund të jetë nxënës i klasës së dytë apo të tretë, thotë se pushimet i kaloi në shtëpi dhe pa luajtur fare.

Emocionet e këtij fëmije, (pavarësisht se i vogël për nga mosha për të bërë një përsiatje letrare), kanë shumë përmbajtje. Sepse me këto dy fjali, ai reflekton gjendjen e tij të vërtetë emocionale. Deri këtu thelbi është i qartë. Është korrigjimi i mësuesit që ka ngarkuar emocionalisht këtë herë rrjetin. “Përpiqu të shkruash brenda vijave të fletores!”. Ky ishte shënimi vlerësues i mësuesit ku në fakt, një mësues i ciklit të ulët ka përparësi zhvillimin konjitiv, bihevioral të fëmijës, duhet të studiojë gjendjen e tij emocionale dhe të reflektojë pa e dëmtuar emocionalisht shëndetin e tij mendor. Mandej të realizojë programin dhe detyrat sipas rregullave përkatëse.

Nuk po e zgjas me formularin e shëndetit që duhet të plotësojmë çdo ditë për gjendjen e fëmijës, ka kaluar, ka apo nuk ka Covid19, ku si letër zyrtare, (pa vulë se nuk disponojmë) na duhet të nënshkruajmë dhe të pohojmë çdo përmes identifikimit të numrit të ID-ve, fëmijës dhe prindit, përditësimin e kushteve.

Mund të ketë njëmijë arsye se përse mësuesi ka vënë këtë shënim, ngarkesa psikofizike e me radhë, por në një kohë pandemie, ku në krye të radhës duhet të jetë vigjilenca për mbrojtjen nga virusi, përkushtimi për t’ua bërë sa më të lehtë përshtatjen, mungesa e fjalëve mbështetëse dhe vlerësimeve motivuese për nxënësin, mund të shpërbëjë gjithçka, atë që në fakt e mbajtëm gjithë këto kohë me mund.

Në shkollë shkohet vërtetë për të mësuar, për t’u vlerësuar sipas nivelit të njohurive. Por në shkollë shkohet edhe për të marrë qytetari, e cila ka gjithashtu rëndësi për një individ të sigurt për jetën.

Mësuesit janë përpara një situate ku duhet të tregohen më shumë se heronj. Klasa të ndara me turne, dyfishim orësh shpjegim-vlerësim, plotësime formularësh, regjistrash, raportesh, ditarësh e me radhë, dhe një rrogë aspak vlerësuese për punën e tyre. Por megjithatë, ata kanë zgjedhur të jenë të tillë, dhe sikundër mjeku është betuar se do të punojë me ndershmëri dhe përkushtim për të bërë shëruesin e njerëzve, edhe mësuesit duhet t’i qëndrojnë atij betimi kur janë pagëzuar me emrin e tillë.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top