Këshilla & Arsye

February 17, 2018 | 9:30

Dhimbja e kokës: 5 këshilla për ta mposhtur

 

Dhimbja e kokës është një shqetësim kronik që prek një në pesë persona. Shkaqet mund të jenë të shumta, por më shpesh dhimbja e kokës shkaktohet nga stresi. Puna, ritmet frenetike, ankthi janë ndër shkaktarët më të shpeshtë të këtij shqetësimi, që në shumë raste na bllokon. Por a është me të vërtetë e mundur që stresi të jetë shkaktari i vetëm i dhimbjes së kokës? Si duhet të sillemi në raste të tilla? Nuk është gjithmonë e mundur të lëmë punën dhe detyrimet e përditshme sa herë që kemi dhimbje të fortë koke. Falë vetëvëzhgimit mund të zbulojmë se dhimbja e kokës, në të vërtetë varet më shumë nga një situatë çekuilibri të përgjithshëm të organizmit sesa nga faktorët e stresit…

1. Dëgjoni trupin tuaj

Nëse vuani nga dhimbja periodike e kokës, me shumë gjasa dini shumë gjëra për veten. Dini të dalloni se kur do të fillojë dhimbja, po ashtu nëse bëhet fjalë për një nga krizat e zakonshme apo për diçka të re dhe anormale. E dini nëse bëhet fjalë për “dhimbjen e zakonshme të kokës” apo për një lloj tjetër dhimbjeje, që vjen ndoshta për shkak të ndonjë kushtëzimi të veçantë, si: probleme me tretjen apo ndonjë shkak tjetër. Ka shumë mundësi që dhimbja e kokës të jetë rezultat i një tërësie faktorësh.

 

2. Praktikoni ushtrime fizike të përditshme

Pozicioni se si qëndrojmë kur flemë, punojmë, shohim televizor, ndikon shumë te muskujt e qafës dhe mënyrën se si punojnë. Është mjaft e zakontë që muskuj të tillë të shkurtohen lehtësisht, për shkak të aktivitetit të pakët fizik. Keni vënë re se dhimbja e kokës përkeqësohet kur është mbrëmje apo kur jeni shtrirë? Çfarë jastëku përdorni? Keni vënë re ndonjë ndryshim kur shtriheni në një krevat tjetër?

Nëse keni ndjesinë se dhimbja e kokës lidhet me qafën, atëherë nuk jeni të vetmit. Nëse keni pësuar trauma të veçanta, si për shembull një aksident, duhet patjetër të konsultoheni me një mjek. Nëse në përgjithësi gëzoni shëndet të mirë, mund të përfitoni shumë nga ushtrimet e thjeshta, duke u bërë stretching muskujve të qafës.

 

3. Kushtojini vëmendje ajrit dhe ujit

Ajrosni gjithmonë ambientet ku qëndroni: është një këshillë që të gjithë duhet ta zbatojmë dhe ta marrim në konsideratë. Truri ka nevojë për oksigjen dhe shumë shpesh detyrohemi të qëndrojmë mbyllur në ambiente të ajrosura vetëm me ajër të kondicionuar. Në këtë rast, stresi, lidhet edhe me ajrin e pakët: mjafton të hapni një dritare dhe të shkëputeni për 10 minuta herë pas here për të thithur pak oksigjen.

Edhe uji është një aleat i vyer, mungesa e të cilit mund të shkaktojë dhimbje të madhe koke. Për këtë arsye, duhet të ndiqni këshillën e të gjithë specialistëve: pini mjaftueshëm ujë!

 

4. Tregoni kujdes me ushqyerjen

Edhe pse shumë njerëz mendojnë se dhimbja e kokës mund të shkaktohet nga një intolerancë ushqimore, specialistët thonë se kjo nuk është e vërtetë. Nëse mendojmë se sa kompleks është metabolizmi ynë, të shpresojmë se ky shqetësim ka lidhje vetëm me një ushqim të caktuar, është një gjë shumë naive dhe e thjeshtë. Natyrisht, ekzistojnë ushqime që, kombinuar me ushqime të tjera, mund të shkaktojnë dhimbje koke. Ndaj, zbatimi i një diete të ekuilibruar, mund të ndihmojë të zgjidhni situata shqetësuese si pasojë e dhimbjes së kokës.

 

5. Mbani nën kontroll gliceminë

Ushqimet shumë të pasura me karbohidrate të rafinuara, mund të shkaktojnë luhatje në nivelin e glukozës në gjak: organizmi duhet të punojë shumë me anë të hormoneve, si: insulina, për të mbajtur nën kontroll gliceminë. Në fakt, truri që të funksionojë ka nevojë për një sasi të caktuar dhe të vazhdueshme sheqernash, pasi janë karburanti i tij. Nëse ky nivel nuk do të jetë konstant, mund të keni kriza të forta koke.

Një dietë e ekuilibruar padyshim ju ndihmon, megjithatë një element që lehtëson stabilizimin e nivelit të glicemisë në gjak është kromi. Në natyrë kromin mund ta gjejmë nëpërmjet ushqimeve si dardha, domate, brokoli dhe shumë të tjera.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top