FB

July 15, 2022 | 9:25

Dhimbja, “është e gjitha në kokën tënde”: të rejat shkencore për reduktimin e dhimbjes pa ilaçe

Dikush që ndjen dhimbje të vazhdueshme në një pjesë të trupit, duke e vuajtur atë çdo ditë do të ofendohej me të drejtë nëse do i thonin se “dhimbja jote është e gjitha në kokën tënde”. Por, e vërteta është se dhimbja është e ndërtuar tërësisht në tru.

1

Kjo nuk do të thotë se dhimbja është më pak e vërtetë – thjesht truri i individit krijon fjalë për fjalë atë që trupi i tij ndjen, dhe në rastet e dhimbjeve kronike, truri ndihmon për ta kodifikuar atë. Një kuptim në rritje se si ndodh kjo, dhe nevoja për të gjetur alternativa më të mira pa ilaçe  – ka çuar në një interes të ripërtërirë për “menaxhimin e dhimbjes”. Metodat aktuale pa ilaçe kundra dhimbjes janë ato Biopsikosociale që trajtojnë situatat, besimet, pritshmëritë dhe emocionet që bëjnë që një person të perceptojë dhimbjen në një mënyrë të caktuar. Ndryshe nga ilaçet, metodat biopsikosociale nuk maskojnë apo mpijnë dhimbjet kronike. Në vend të kësaj, njerëzit mësojnë të menaxhojnë dhimbjen duke modifikuar ose ndryshuar atë që u thotë truri i tyre. Dhimbja është një sistem i ndërlikuar paralajmërues për t’ju mbrojtur nga dëmtimi.

2

Marrim një shembull:  kur vrasim padashje gishtin e këmbës; sistemi ynë nervor periferik dërgon sinjale në trurin tonë, i cili më pas vendos se sa rrezik ka. Nëse vendos se sinjaleve ia vlen t’u kushtohet vëmendje, vëllimi i dhimbjes rritet derisa problemi të zgjidhet; nëse jo, dhimbja vihet në heshtje. Ky sistem funksionon mjaft mirë për dhimbjet akute, si një gisht i dëmtuar. Por në kushtet kronike si dhimbjet kronike të kokës apo osteoartriti ku nuk ka zgjidhje të shpejtë, pjesët e trurit që dërgojnë dhe marrin sinjale rreziku bëhen më të ndjeshme me kalimin e kohës. Sipas studjuesve  sa më shumë truri të përpunojë dhimbjen, aq më perceptues bëhet derisa të jetë gjithmonë në gatishmëri të lartë. Dhe në varësi të emocioneve, besimeve dhe pritshmërive të personit, truri ka të ngjarë të vazhdojë të regjistrojë dhimbjen  çdo ditë. Kjo është mënyra se si njerëzit me dhimbje kronike mbyllen në dhimbje të vazhdueshme, por provat sugjerojnë se është e mundur të zvogëlohet kjo ndjeshmëri e lartë një tru.

Efektet Placebo/ Nocebo shihen si faktorë kyç për të kuptuar se si funksionon truri, veçanërisht në lidhje me dhimbjen, sepse ato përdorin të njëjtat mekanizma: kontekstin, besimet, pritshmëritë dhe emocionet. Efekti placebo ndodh kur pacientët përmirësohen me një trajtim të rremë sepse besojnë se do të ndihmojë; placebo duket se funksionon në disa raste edhe kur pacientët e dinë se nuk janë reale. Një efekt nocebo ndodh kur pacientëve u thuhet se një trajtim i padëmshëm do t’i bëjë ata të ndihen keq, dhe kjo ndodh. Nëse keni një histori pozitive trajtimi  me një mjek të caktuar, kjo mund të rrisë pritshmëritë tuaja për një rezultat pozitiv. Po kështu, nëse keni një histori trajtimi joefektiv, kjo mund të çojë në pritshmëri negative që të përkeqësojë simptomat. Në mënyrë të ngjashme, pritshmëritë pozitive mund të zvogëlojnë dhimbjen kronike dhe pritshmëritë negative mund ta rrisin atë. Me fjalë të tjera, nëse prisni që diçka t’ju lëndojë, ndoshta mund të ndodhë.

3

Si ndodh kjo? Shumë studime tregojnë se pritshmëritë ose besimet pozitive ndryshojnë kiminë e trurit, duke bërë që trupi të prodhojë kimikate që bllokojnë dhimbjen si opioidet dhe dopamina. Për shekuj me radhë, studimet mbi funksionimin  e trurit njerëzor kanë mundësuar njohjen e zonave të ndryshme të tij që janë përgjegjëse për disa funksione të caktuara, sic është dhe gjetja e lokalizimit të dhimbjes dhe mënyrave për ta lehtësuar atë. Përpjekjet për të lehtësuar dhimbjet pa patur nevojën  e përdorimit të ilaçeve kanë qënë të vazhdueshme e rezultatet e kërkimeve serioze po duken. Neurostudjuesit (nga Shkolla e Mjekësisë të San Diegos në Universitetin e Kalifornisë, qershor 2022) vetëm kohët e fundit kanë qenë në gjendje të provojnë se meditimi i ndërgjeshëm ( mindfulness) ndihmon në redukimin e vuajtjes së dhimbjes.

Duke hequr dorë nga vlerësimi vetë-referues i dhimbjes e duke u distancuar nga gjykimi, interpretimi përmes meditimit, përmes parimit:

 “unë nuk jam përvoja ime, nuk jam dhimbja ime, nuk jam frika ime”,

Për shumë njerëz që luftojnë me dhimbje kronike, ajo që shpesh ndikon më shumë në cilësinë e jetës së tyre nuk është vetë dhimbja, por vuajtja mendore dhe zhgënjimi që vjen së bashku me të, e për këtë arsye, gjetjet  e këtij studimi janë vërtetet të rëndësishme për miliona njerëz që kërkojnë një trajtim me veprim të shpejtë dhe jo farmakologjik për dhimbjen. Ndërkaq, që prej viteve ’60 studimet te njerëzit kanë treguar se muzika dhe llojet e tjera të tingujve mund të ndihmojnë në zbutjen e dhimbjeve akute dhe kronike, duke përfshirë dhimbjen nga kirurgjia dentare, mjekësore, lindja etj, por vetëm sëfundmi studjuesit (në Universitetin Mjekësor Anhui, Hefei, Kinë, – korrik,2022) kanë identifikuar mekanizmin nervor përmes të të cilit ndodh.

4

Ata kanë identifikuar një rrugë nga korteksi i dëgjimit, i cili merr dhe përpunon informacionin rreth tingullit, në talamus, i cili vepron si një stacion përcjellës për sinjalet shqisore, duke përfshirë dhimbjen, nga trupi. Duke zbuluar qarkun që ndërmjetëson efektet reduktuese të dhimbjes së zërit tek minjtë, ky studim shton njohuri kritike që përfundimisht mund të informojnë qasje të reja për terapinë e dhimbjes. Përjetimi i një ngjarjeje të frikshme ka të ngjarë që nuk munf ta harroni kurrë. Por pse ky kujtim qëndron me ju kur ngjarje e tjera të dukurive bëhen gjithnjë e më të vështira për t’u kujtuar me kalimin e kohës?  Një ekip me neurostudjues nga Shkolla e Shkencës dhe Inxhinierisë e Universitetit Tulane dhe Shkolla e Mjekësisë e Universitetit Tufts ( korrik,2022) kanë studiuar formimin e kujtimeve të frikës në qendrën emocionale të trurit – amigdalën – dhe mendojnë se kanë një mekanizëm.

Me pak fjalë, studiuesit zbuluan se neurotransmetuesi i stresit norepinefrina, i njohur gjithashtu si noradrenalina, lehtëson përpunimin e frikës në tru duke stimuluar një popullatë të caktuar të neuroneve frenuese në amigdalë për të gjeneruar një model të përsëritur shpërthyes të shkarkimeve elektrike. Ky model shpërthyes i aktivitetit elektrik ndryshon frekuencën e lëkundjes së valëve të trurit në amigdalë nga një gjendje pushimi në një gjendje të eksituar që nxit formimin e kujtimeve të frikës. E ardhmja e menaxhimit të dhimbjeve pa ilaçe duket se është e afërt dhe shumë premtuese teksa studimet imazherike të trurit avancojnë çdo ditë duke na surprizuar me arritjet e tyre…

Sot, Inteligjenca artificiale( Universiteti Glasgow, korrik 2022), mund të përdorë valët e trurit të një personi për të parë dhe për të krijuar imazhe të objekteve që syri i njeriut nuk mund t’i shohë drejtpërdrejt, imazhe deri në 16×16 pixel të objekteve të thjeshta që nuk mund të shihen nga vëzhguesi. Këto gjetje përfaqësojnë një hap para drejt kombinimit të inteligjencës njerëzore me inteligjencën artificiale bashkëkohore e ku në të ardhmen mendohet të hetohen objekte 3 dimensionale duke kombinuar të dhëna nga shikues të shumtë në të njëjtën kohë. Por ajo që është më e rëndësishme në studimet mbi trurin njerëzor është shpresa për të parë frikërat e dhimbjet tona me qëllimin për t’i kontrolluar e për t’i përjetuar sa më pak ato.

 

 

Përgatiti Rudina Koromani

Psikologe Klinike

#menaxhimidhimbjes, #placebo #nocebo

#studimeshkencore #trajtimibiopsikosocial

#meditimi #mindfulness #mindfulnessmeditation #musictherapy #artificialintelligence

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top