Psikofakt

April 23, 2017 | 11:39

Dhuna midis nesh

child_domstk_violnce

Historia e njerëzimit është, ndër të tjera, edhe historia e dhunës ose, më saktë, e dhunave të ushtruara nga njerëzit kundër njëri-tjetrit që nga njeriu i shpellave para disa miliona vitesh deri te njeriu i kohëve tona më moderne. Të shumtë janë autorët – filozofë, sociologë, psikologë, psikiatër e psikanalistë – që kanë shkruar, shkruajnë dhe do të shkruajnë për dhunën në përgjithësi dhe dhunat në veçanti. Leximi i veprave të tyre na mëson se dhuna është instinktive, ajo lind me njeriun dhe, sado të përpiqet një shoqëri e dhënë për ta çrrënjosur e eliminuar atë, ajo përsëri do të mbijetojë në gjirin e saj, qoftë edhe në trajta sporadike.

Nga Edmond Tupja

Nga Edmond Tupja

Në ditët e sotme, dhuna fizike, dhuna psikologjike, dhuna ndërindividuale, dhuna kolektive, dhuna shtetërore dhe të tjera tipe dhune vihen re, pra, në të tëra shoqëritë, përfshirë edhe tonën. Prania e dhunës dhe të ushtruarit e saj mund të shpjegohen njëherazi me arsye historike, gjeoklimatike, por edhe sociale e psikologjike. Kjo vlen gjithashtu për vendin tonë, për shoqërinë shqiptare, ku ende mbizotëron një “kulturë” e dhunës, sipas së cilës më i forti dhunon më të dobëtin, burri gruan, nëna fëmijën, fëmija i madh motrën ose vëllanë më të vogël, eprori vartësin etj., etj. çka, sidomos për sa i përket edukimit të fëmijëve, ilustrohet ende me proverbin “druri (ose dajaku) ka dalë nga xheneti”. Por ajo që të bën edhe më shumë përshtypje është shndërrimi, falë një dialektike të frikshme, i viktimës në xhelat, shndërrimi i të dhunuarit në dhunues, siç është rasti i një nënë që i shoqi e rreh në mes të rrugës dhe që, papritmas e pa kujtuar, kthehet në dhunuese të fëmijëve të saj në shtëpi. Në këtë aspekt, vërejmë gjithashtu të ashtuquajturin efekt domino si, për shembull, kur fëmija më i vogël, sa herë që dhunohet, do të bëjë çmos që të gjejë dikë më të pambrojtur se vetja tek i cili të shkarkojë energjitë e tij negative të grumbulluara si pasojë e dhunës së ushtruar mbi atë nga një i rritur i kthyer në dhunues pas dhunimit që ka pësuar nga një më i rritur se ai; kështu, ndër të tjera, mund të shpjegohet edhe dhuna e fëmijëve më të vegjël ndaj kafshëve shtëpiake ose ndaj sendeve (lodra, libra, enë, etj.). Në këtë mënyrë, “kultura” e dhunës përcillet brez pas brezi, sepse, fëmijët e dhunuar kthehen në dhunues kur bëhen vetë prindër dhe, pa e kuptuar, vjen një ditë kur vetë ata, nën trysninë e anktheve e të streseve të jetës, ushtrojnë dhunë psikologjike, por nganjëherë edhe fizike, ndaj prindërve të tyre tejet të moshuar e të pafuqishëm përballë realitetit të pleqërisë. Së fundi, ia vlen të theksohet se “kultura” e dhunës filtron deri te mënyra se si jo pak shqiptarë e shqiptare i përkëdhelin fëmijët e tyre dy-trevjeçarë duke u thënë, për shembull, “Të hëngsha syrin!” ose “Sa i mirë që je! Do të të ha të gjallë!” ose duke u pickuar lehtë faqet, llërët apo kofshët, madje, nganjëherë, edhe vithet, pasi u kanë bërë banjë

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top