Marrëdhënie

October 11, 2017 | 9:13

Dhuna ndaj burrave

Dhuna në familje është një nga format e dhunës ndaj gruas, e cila nënkupton “çdo vepër të dhunës me bazë gjinore që sjell ose mund të sjellë si pasojë lëndimin ose vuajtjen fizike, seksuale a psikologjike të grave, duke përfshirë edhe kërcënimin për këto vepra, shtrëngimin ose heqjen e paligjshme të lirisë, si në jetën publike, ashtu edhe atë private.”

1

(Deklarata e Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave).

MSc.Valentina Telhaj Psikologe Këshillimi / Terapiste EMDR niveli I

MSc.Valentina Telhaj Psikologe Këshillimi / Terapiste EMDR niveli I

Përse, vetëm burrat ushtrojnë dhunë?! Zakonisht dhunuesit janë në kërkim të një ndjenje pushteti dhe kontrolli ndaj partnerëve, ose kanë ndonjë lloj varësie ndaj gruas, kështu që ndihen të kërcënuar nga çfarëdolloj përpjekjeje e saj për të qenë e pavarur. Disa burra ushtrojnë dhunë, pasi kjo është rruga e vetme që njohin për të pasur lidhje me një partnere. Disa burra janë rritur në familje të dhunshme, ku kanë parë nënën t’u dhunohet nga babai dhe ku kanë pësuar dhunë edhe për vete. E njëjta gjë ndodh edhe me femrat, të cilat mund të jenë rritur pran një nëne më shumë dominante në familje dhe dominojnë ose dhunojnë partnerin e tyre. Edhe pse ironike dhe ndoshta pak e pabesueshme, nga burrat shqiptarë, dhuna ndaj tyre është në rritje. Presione psikologjike, rrahje, kërcënime, apo dhuna e vazhdueshme, duket se janë detyruar burrat të denoncojnë në polici gratë e tyre. Duket se gratë duan të marrin hak dhe kështu, në shumë raste, u hyjnë në “kërbaç” burrave të tyre edhe pse në artikujt e gazetave të përditshme apo kronikat televizive me t’u përmendur fjala “dhunë” parafytyrohet femra si viktimë dhe mashkulli si ushtrues dhune, por jo rrallë mund të jetë e kundërta.

Një fenomen i ri, ai i keqtrajtimit të burrave nga gratë, po merr përmasa të diçkaje më normale në shoqërinë tonë. Në më të shumtën e rasteve, dhuna ndaj burrave nuk denoncohet, kjo edhe për shkak të turpit, por duket se ka edhe nga ata burra që nuk e kanë duruar dot më dhunën nga gratë e tyre. Dhuna kundër burrave dhe grave ka disa të përbashkëta dhe ndryshime. Për burrat, shpesh, emërtimi si: frikacak, impotent ose i dështuar, mund të ketë një efekt shumë më të rëndë psikologjik se sa te një grua. Fjalë të rënda dhe mizore lëndojnë në mënyra të ndryshme. Në shumicën e rasteve, burrat janë më të ndikuar nga dhuna mendore dhe emocionale se sa nga ajo fizike. Por shumica e burrave janë tepër të ndjeshëm ndaj dhunës dhe abuzimeve mendore, verbale dhe emocionale. Në shumicën e rasteve, tallja dhe fyerjet ndaj një burri përballë një burri tjetër mund të jetë më shkatërruese sesa dhuna fizike, qoftë kjo e ashpër. Burrat nga ana tjetër janë më të dhënë pas dhunës fizike, që shpesh është brutale dhe pse jo, vdekjeprurëse në disa raste! Dhuna në familje shihet si dhunë e ushtruar nga partneri intim apo dhe anëtarë të tjerë të familjes. Dhuna në familje shprehet në këto forma: Dhunë fizike (ose abuzimi fizik) që konsiston në: goditjen me shuplakë, goditjen me thikë, goditjen me shkelm, goditjen me objekte të ndryshme, shtyrjen, rrahjen, hedhjen, kafshimin, pickimin, mbytjen, djegien, mbylljen në shtëpi, kërcënimin me thikë ose armë tjetër, refuzimin për t’i dhënë ndihmë gruas kur ajo është shtatzënë ose e sëmurë, tentativat për vrasje dhe vrasjen.

2

Dhuna me bazë gjinore si fenomen shqiptar

Shoqëria shqiptare ka kaluar përmes tranzicioneve të ashpra politike, ekonomike, sociale dhe psikologjike, pasojat e të cilave kanë lënë gjurmë veçanërisht tek shtresat më të pambrojtura të popullsisë, gratë dhe fëmijët. Studimet e deritanishme mbi dhunën me bazë gjinore në Shqipëri, përforcojnë Kanunin si burim të dhunës dhe keqtrajtimit të grave shqiptare nga burrat, por ai nuk është i vetmi. Ndërsa influenca e Kanunit vulosi përgjithnjë dominimin e meshkujve mbi femrat, pozitat inferiore të grave janë gdhendur si pasojë e një ndërveprimi të vazhdueshëm të shumë faktorëve kulturorë, socialë, kohorë, familjarë dhe individualë. Periudha pas Luftës së Dytë Botërore shënoi një kthesë në qëndrimin ndaj gruas në Shqipëri. Gjatë kësaj periudhe, u vu re një lloj “aktivizimi” i grave për t’iu përshtatur ritmeve të “revolucionarizimit” të vendit. Kjo erë ndryshimesh ishte padyshim çliruese për gratë dhe vajzat shqiptare që deri në atë kohë kanë qenë nën efektin shfrytëzues dhe diskriminues të Kanunit, sipas të cilit, rrahja, keqtrajtimi, dhe marrja e jetës së gruas ishin të ligjshme. Sistemi 46-vjeçar totalitar me gjithë traumën psikologjike masive që shkaktoi, pati një efekt ndriçues dhe regjenerues ndaj rolit dhe statusit social dhe ekonomik të gruas në Shqipëri. Gruaja nuk ishte më e papërfillshme në shtëpi. Përkundrazi, ajo konsiderohej si forcë “emancipuese” për shoqërinë, “e barabartë me burrin” dhe e pavarur. Duket që ky sistem i ka dhënë liri gruas më tepër jashtë mureve të shtëpisë sesa brenda saj. Tranzicioni i viteve 1990-1998, kryesisht ai ekonomik, ka nxjerrë në pah pabarazinë gjinore në formën më të ashpër të tij. Procesi i kalimit nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut ka forcuar pushtetin ekonomik të burrit dhe ka cenuar pavarësinë ekonomike të gruas. Si rezultat, u vu re një rritje e ndjeshme e numrit të papunësisë te gratë, që cenoi në mënyrë automatike edhe statusin social të tyre.

Edhe pse ofroi një shkallë më të madhe lirie për gratë në aspektin estetik dhe kujdesit për veten, demokratizimi i shoqërisë shqiptare pagëzoi fillimin e një varësie ekonomike të grave nga burrat. Shumë njerëz besojnë se dhuna me bazë gjinore është një çështje “private”, që nuk duhet diskutuar publikisht. Sigurisht që ndërhyrja e personave të jashtëm apo edhe pyetja për dhunën kundër grave ose burrave është parë si një gjë e papërshtatshme. Familja shihet si e shenjtë. Brenda familjes, gratë shpesh nuk shihen si të barabarta, por në shumë raste edhe burrat, tashmë dhe në disa shoqëri, femrat kanë shumë pak të drejta. Dhuna me bazë gjinore është racionalizuar edhe si diçka e pranueshme, në kushte të veçanta. Të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore kanë heshtur, nga frika apo paragjykimet e shoqërisë. Sfondi kulturor, etnik apo religjioz mund të influencojë gjithashtu përgjigjen e një gruaje ndaj dhunës dhe ndërgjegjësimin e saj për opsionet e mundshme. Pak gra do të mund të flasin vetë, shumica e tyre kanë nevojë të pyeten. Prandaj: “Dhunë” është çdo veprim apo mosveprim i një personi ndaj një personi tjetër, që sjell si pasojë cenim të integritetit fizik, moral, psikologjik, seksual, social, ekonomik. Duke zbërthyer thelbin e problemit, bëjmë të mundur edhe “aq sa është e kapshme” ndalimin dhe parandalimin e fenomenit si për femrat po ashtu edhe për meshkujt.

REFERENCA

Miria & Sala, 1999 Haxhiymeri & Kulluri, 2000; Bregu, 2005) Raport i OKB, 1993 UNICEF & Instituti i Studimeve të Opinionit Publik, 2003).

Botuar në revistën Psikologjia, nr.117

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top