Psikofakt

October 11, 2017 | 8:00

Nga Orjona Tresa: Varësia nga celularët me internet sëmundja e shekullit, si po na nxjerr sytë dhe kurrizin

Aktualisht është një prej temave më të përfolura, nga çështjet më të debatueshme, refreni i ditës madje.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

 …Ulesh në lokal. Ndez ekranin e celularit dhe bën porosinë duke parë me një sy nga kamerieri e me tjetrin aparatin: Më ndihmo me kodin e passwordit dhe… një kafe të lutem. Nuk i shpëton dot kësaj rutine tashmë. Dhe kërrusesh kokulur e sydalë mbi ekranin e vogël që të shohësh më qartë germat e fotot.

Fjalëkalimi të vjen në çast, kafeja pas pesë minutash. Por çudi e madhe. Fjalëkalimet janë nga më të ndryshmet. Ky që po ju tregoj më ka bërë të mbajë barkun me dorë. “Nuk e di për Zotin”, ma tha rrëmbimthi njëri prej kamerierëve në një bar në afërsi të qendrës së Tiranës. Kish tabakanë plot me filxhanë kafeje të konsumuar, si një dëshmi therëse e kohës së humbur nëpër bare të Tiranës. Ndalem një çast dhe ia kthej: “Po unë fjalëkalimin të kërkova, ç’hyn Zoti në këtë mes?”. Ai qeshi dhe pasi më hodhi një shikim shfajësor m’u kthye: “Zonjë, është kodi i wireless-it”. Ndala veç pak sekonda dhe bashkë me shpërthimin e të qeshurës i bëj dhe moral: “Po mirë more çuna, edhe Zotin keni futur në këtë mesele”. Nuk e zgjata më, veç më kujtohej fjalëkalimi e qeshja me vete. Kështu shkoi ajo ditë, ndërsa në pritje të takimit me kolegët e mi të një personazhi të rëndësishëm, kaluam ashtu si të tjerë një kohë të shpenzuar asfare mirë duke gjerbur kafe e duke hedhur sytë nga celulari android.

celulare1Përtej kësaj tabloje, ka plot raste që dukshëm nuk dëmtojnë vetëm kohën, por mbi të gjitha shëndetin fizik.

Po ja, ndodh brenda në shtëpi. Për të mos i përjashtuar fëmijët nga pjesa tjetër e shoqërisë, ku edhe ata me mundësi të pakta, e kanë nga një pajisje android, i kemi pajisur me nga një celular inteligjent, i cili jo vetëm t’u vijë në ndihmë me aplikacionet që u shërbejnë për shkollën, por të kenë mundësi edhe të argëtohen me lojërat e shkarkuara. Deri këtu jemi në rregull, se në fund të fundit nuk jemi as të parët e as të fundit që ua kemi plotësuar këto dëshira, por ndodhemi në një sistem tjetër edukimi, brez krejt ndryshe nga modelet e përftuara nga prindërit tanë, ku  për pasojë na duhet të rritemi e të kuptojmë njëherësh vlerat dhe antivlerat.

femijet-me-celular“Po mirë more bir, mbaro një herë detyrimet e shkollës, pastaj shikoje celularin! Nuk rrihet tërë kohën me të se u këputët në mes, u verbuat nga sytë!” Ky është refreni, ndërsa “sekuestrimi” i aparatit është forma më e mirë e shpagimit. “Ka dhe më keq se unë, – ma kthen, – që bërtasin e ulërijnë kur nuk u shkon loja si duhet. Thyejnë sendet që kanë në dorë, madje dhe vetë celularin se nuk i është bindur. Ndërsa unë, nuk jam agresiv, se nuk luaj shumë. Mua më pëlqen të shoh “Maincraft”, muzikë apo filma për moshën”. Shfajësimit se nuk abuzon, ia gjej anën nëse më ka thënë të vërtetën apo jo! Pak liri në të vepruarit dhe ndërmarrit të gjërave me iniciativën e vet pse ta mohoj, më pëlqen. Ajo që më shqetëson është rrethi shoqëror, fëmijë që vuajnë nga varësia e internetit edhe në rrethana të tjera. Abuzimi dhe mungesa e vëmendjes nga ana e prindërve po i merr në qafë disa prej tyre. Dëgjoj çdo ditë situata të ndryshme. Mungesa e komunikimit, sidomos me djemtë, sepse në psikologjinë shqiptare tradita thotë “hë me se djalë është, nuk e gjen gjë. Vajza po, ajo duhet pasur kujdes”, më bën të acarohem çdo ditë. E ky komunikim i mohuar, përkthehet në vetmi e pakujdesi rritjeje për një fëmijë që nuk ndeshet me këshillat e vazhdueshme e të vyera të prindërve.

I rikthehem bar-it. Jo rastësisht vetmia gjendur në të, të bën të mos kthesh kokën kund veç celularit. E nuk je vetëm. Ka plot të tjerë që kjo shpikje fantastike u ka marrë mendtë. Fiksuar pas ekranit të sheshtë, me xham, e xham mbrojtës si për të të ruajtur nga rrezet e dëmshme, ngulitesh e fiksohesh aq shumë, sa të mos vësh re pozicionin tënd rehatues.

Përpiqemi çdo ditë. I themi vetes: pak kohë për teknologjinë! Disa e marrin seriozisht, ca të tjerë asfare. Varësia rrënjoset edhe më. Të lënë sytë, por edhe veshët nga zhurmat e jashtme. E jo vetëm kaq, çdo ditë shohim fytyra në ngrysura, fundshpina të shtrira mbi karrige a kolltukë komodë të një bar-i luksi, mbështetje mbi tryeza të xhamta e prej druri që krijojnë rehatinë e të kundruarit, kërrusjen me kokë poshtë se rrezet e diellit ta verbojnë shikimin, e sa e sa variante të dëmshme për shëndetin trupor e mendor.

A duhet të mendojmë seriozisht për këtë?

Përgjigjen gjykojeni vetë!

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top