Në fokus

July 12, 2016 | 8:05

Dhuna te fëmijët “kambanë alarmi” për shoqërinë

1Sa herë që kam parë apo lexuar lajme tronditëse në media, sigurisht që më ndodh së pari si grua e si profesioniste dhe më pas si nënë të tronditem, frikësohem për realitetin sot. Tjetërsimi së pari i individit, së dyti i familjes dhe më pas i shoqërisë, përball të panjohurat dhe të njohurat e mendjes dhe psikikës sonë në një luftë ku viktima do të jemi ose ne, ose tjetri fare pranë nesh. Është instaluar dhe transmetuar një indiferentizëm ekstrem ndaj këtyre fakteve dhe rasteve ose edhe një modelim mediatik i tyre që në të vërtetë nuk përcjell aspak modelin, por thjesht rastin që nuk i ngjan thuajse fare tjetrit. Rasti “Prrenjasi”, një nga më të përfolurit në javët e fundit në media, mbetet thelbësor për të kuptuar dhe për të analizuar psikikën njerëzore. Mungesa e mbrojtjes së fëmijëve si nga ligji dhe nga prindërit e tyre, duket shumë e pakuptimtë e mbi të gjitha, kur askush nuk ka reaguar për të parandaluar krimin. Çfarë po ndodh me mendjen dhe nënmendjen njerëzore? Gjithnjë e më shumë ndërgjegjësohemi se sa të kërcënuar jemi në një popullatë heterogjene, pa sistem vlerash e normash, ku çdo ditë përballemi me atë që quhet njëkohësisht vlerë dhe antivlerë. Nga njëra anë, qëndron fakti i mungesës së informimit të prindërve për të përgatitur brezin të mbrohet nga tjetri fare pranë tij, shoku, shoqja, miku, mikja që vjen në shtëpi, apo edhe komshiu. Gjithçka është bërë kaq e paparashikueshme, dhe kjo nuk ka nevojë për më shumë koment. Ka ardhur koha që të mos mbetemi thjesht në paraqitjen mediatike të këtyre rasteve, por të shkohet më tej me informimin, sensibilizimin e shoqërisë në përgjithësi, përfshirjen e profesionistëve në aktivitete profesionale ndaj shoqërisë dhe, mbi të gjitha, në hartimin e politikave parandaluese të tyre apo edhe trajtimin në vijimësi. Të gjitha këto raste traumatike janë drita të kuqe alarmi që duhet të ndërgjegjësojnë secilin prej nesh, për të analizuar së pari veten e më pas edhe impaktin që secili duhet t’i sjellë tjetrit duke nisur nga familja e më gjerë. Shfrenimi i instinkteve dhe patologjive të fshehura që në formim, në mungesë të kontrollit të normave sociale e ligjeve shtetërore, penale apo civile, lë në udhëkryq tronditës si të rriturit edhe fëmijët e adoleshentët që vrapojnë drejt modeleve shpesh edhe mediatike. Mungesa e mbrojtjes nga pedofilia, ndërkohë që rasti “Prrenjasi” ekspozohej në ekrane, qëndron pikërisht te modeli i gabuar i asaj që një pedofil mund të jetë kërcënuesi ynë apo i fëmijës sonë. Pedofili mund të jetë kushdo dhe askush njëkohësisht. E para gjë që të rriturit dhe prindërit mund të bëjnë, është të jenë vëzhgues shumë të mirë të sjelljeve të fëmijëve të tyre. Nëse ata vënë re një sjellje të dyshimtë, preokupimi për të zbuluar origjinën e saj duhet të bëhet qëllim i parë. Nëse vihen re te fëmijët në moshën e fëmijërisë shenja të tilla si çrregullime gjumi, situata stresuese, vështirësi akademike që më parë nuk janë vënë re, në mungesë të një ngjarjeje traumatike të njohur nga prindërit, atëherë mund të jenë tregues i një abuzimi. Në moshën e adoleshencës apo paraadoleshencës shenja të tilla si depresion, interes seksual i papritur, i ekzagjeruar, mendime vetëvrasëse, izolim social, obezitet, vështirësi në shkollë, interesa mbi pornografinë, sjellje seksuale të papërshtatshme, mund të jenë gjithashtu tregues se diçka nuk po shkon mirë. Së dyti, mbajtja e komunikimit hapur me fëmijën është një rrugë e dytë e një fitoreje të sigurt. Nëse ne mbajmë hapur dritare komunikimi, që fëmija të ndihet i sigurt për të folur me ne me sinqeritet dhe pa u ndier i gjykuar, mund të kihet në dorë parandalimi dhe frenimi i shumë ngjarjeve traumatike. Së fundmi, prindërit duhet të jenë shumë të vëmendshëm me kë shoqërohet fëmija, kush hyn e kush del në shtëpi dhe mbi të gjitha ku i çojnë fëmijët për të mësuar, bërë kurse apo qoftë edhe për t’u argëtuar.

Botuar në revistën Psikologji, nr.72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top