Mirëqenie

July 12, 2016 | 7:57

Dialektika e jetës dhe polariteti i natyrës njerëzore

Nga Gëzim TUSHI Sociolog

Nga Gëzim TUSHI
Sociolog

Çfarë po ndodh me natyrën e njeriut? Problemet e raportit të njeriut me lirinë sociale dhe aftësitë e disiplinimit të mendjes dhe sjelljes sociale duket që po prishen. Në shumë raste ky ekuacion është kuptuar keq nga një kategori njerëzish. Shpërbërjet e brendshme dhe dyzimet e personalitetit të njeriut po bëhen shfaqje të bujshme. Shpesh ato kanë marrë formën e eksentrizmit social dhe të dyzimit të personalitetit të njeriut. Me sa duket, kemi nevojë të ristabilizojmë kufirin midis zgjerimit të lirisë sociale nga njëra anë dhe nevojës së disiplinimit të natyrës njerëzore, të raportit midis mendjes dhe nënmendjes. Duket se diçka po ndodh me njerëzit dhe shpirtin e tyre të trazuar nga koha moderne, sfidat dhe të papriturat e saj. Në këtë kontekst, problemet e ekuilibrit të mendjes dhe deformimet e shpirtit njerëzor kanë nevojë të bëhen objekte të rëndësishme studimi psikologjik, social, antropologjik dhe moral nëse duam të rregullojmë raportet qytetare të njeriut me lirinë, e cila në shoqërinë tonë nuk mund të rregullohet pa përmirësuar mendjen e njerëzve dhe aftësimin e mekanizmave të sjelljes personale për të siguruar në mënyrë të natyrshme dhe pa sforcime të brendshme dhe komandime të jashtme, unitetin e nevojshëm dhe të duhur të raporteve të sjelljes sociale midis “vetes”, “tjetrit” dhe aftësisë të të jetuarit si qenie sociale normale në jetën e përbashkët shoqërore. Është evident devijimi i jetës sociale, e cila e ka orientuar njeriun të jetë tërësisht i dhënë pas dëshirave të ngushta, i obsesuar pas sendeve dhe konsumit material. Në këto kushte, që të edukojmë njerëzit që unitetin e mendjes dhe nënmendjes, të dëshirave trupore dhe qëllimeve sociale, të zgjerimit të individualitetit duke ruajtur edhe unitetin social, nuk janë vetëm çështje psikologjike dhe të problemeve të zakonshme të edukimit, por edhe probleme thelbësore të kuptimit të thelbit të jetës. Nuk është për t’u çuditur me faktin që ne si shoqëri po mësohemi gradualisht dhe po mundohemi të detyruar të përshtatemi me këtë prirje të njeriut drejt irracionales, në jo pak raste edhe drejt veprimeve krejtësisht anormale dhe asociale. Për shumë njerëz me mendje të shkurtër, për të justifikuar këtë situatë sociale, është bërë e zakonshme të thuhet se fajin e ka liria, e cila është “forca” që e “shtyn njeriun të kapërcejë kufijtë që i janë vendosur”. Në të vërtetë, gjërat duhen parë në sensin human. Është e vërtetë që koha e sotme ka krijuar më shumë hapësirë për dëshirën e lirë, për spontanitetin personal, për kërkesa tekanjoze. Problemi i raportit midis dëshirave dhe arsyes është ekuacioni individual më “i prishur”, që po i jep kosto të forta sociale shoqërisë sonë. Jetojmë në kohë të vështira, kur njeriu i dikurshëm linearisht i qartë dhe lehtësisht i lexuar si “qenie pa reliev personal” dhe tërësisht nga pikëpamja sociale i disiplinuar nga shoqëria totalitare, tani po bëhet enigmatik, eksentrik në antinomitë e veta. Në fakt, këto nuk janë “pjesë të reja” të natyrës njerëzore, por janë të evidentuara në mënyrë të veçantë në shoqërinë shqiptare të kohës së sotme. Që në kohën e vet Dostojevski, ky mjeshtër i madh i shpirtit njerëzor, dalloi qartë se në kohën moderne natyra njerëzore do të bëhet dinamike në shkallën më të lartë. “Qetësia, statikja ekziston vetëm në sipërfaqe, në shtresën e jashtme të njeriut”. (Nikollaj Berdjajev, “Botëkuptimi i Dostojevskit”, f 69) Polariteti i natyrës njerëzore midis asaj që duket në sipërfaqe dhe asaj që zien thellësi, sot është bërë dukuri fare e hapur, e shfaqur në mënyrë flagrante. E sigurt është që duke parë raportet e zhvillimit të vetëdijes dhe nënvetëdijes, ideve dhe kuptimit të thelbit të jetës, raportet e qëllimeve individuale dhe sociale, asgjë të mirë nuk mund të bëjmë pa pranuar së pari të vërtetën universale, që njeriu i kohës moderne nuk është aritmetikë. Përkundrazi, ai mbetet qenie problematike dhe enigmatike, antinomike dhe e polarizuar deri në thellësi…

Botuar në revistën Psikologjia, nr. 72

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top