Lifestyle

April 16, 2018 | 9:13

Disa fakte, ndoshta të panjohura, rreth ëndrrave

Ëndrrat janë një temë për të cilën mund të flasim pa fund. Që kur fiziologjia dhe neurobiologjia filluan ta studiojnë këtë fenomen, rreth 70 vite më parë, për të studiuar aventurat e natës të mendjes sonë, shumë aspekte që kanë të bëjnë me ëndrrat janë sqaruar. Ndërkohë, në shumë aspekte të tjera studiuesit vazhdojnë të kërkojnë.

Ja disa prej pikave më të rëndësishme të zbuluara në bazë të studimeve më të fundit, të shpjeguara me 7 pyetje dhe përgjigje.

Përse ëndrrat janë kaq të çuditshme?

Kjo ka të bëjë pjesërisht me aktivitetin e trurit gjatë kohës që flemë. Kujtimet tona ruhen në një zonë të trurit, e cila gjatë fazës Rem të gjumit, është e fikur. Kjo do të thotë se nuk kemi akses në kujtimi specifike të së kaluar, por mund të kujtojmë vende. Gjithashtu, aktiviteti i zonave cerebrale të lidhura me emocionet, është më i lartë se gjatë kohës që jemi zgjuar.

Ndryshe nga emocionet, zona ku zhvillohet mendimi logjik është më pak aktive dhe këta faktorë të marrë së bashku krijojnë ëndrra të çuditshme. Të fluturuarit, të marrit frymë nën ujë, apo të shohësh një person të transformohet në një tjetër njeri, janë vetëm disa nga aspektet që na duken bizarre kur zgjohemi.

Ëndërrojmë vetëm gjatë gjumit Rem?

Kjo besohej për një kohë të gjatë, për shkak të eksperimenteve të kryera gjatë viteve ’50. Vullnetarët zgjoheshin në momente të ndryshme, por vetëm gjatë fazës Rem arrinin të raportonin se ishin duke ëndërruar.

Megjithatë studimet e fundit e kanë hedhur poshtë këtë teori. Ne ëndërrojmë edhe gjatë pjesës tjetër të gjumit, por pa e ujtuar. Ëndrrat që shohim gjatë fazës Rem janë më të gjalla dhe të çuditshme, ndërsa ato gjatë gjumit të thellë janë më normale dhe monotone.

A ka njerëz që nuk ëndërrojnë?

Të gjithë ëndërrojmë. Por ka njerëz që i mbajnë mend ëndrrat dhe të tjerë që nuk i kujtojnë. Vetëm pacientët e prekur nga një sindromë shumë e rrallë, Charcot-Wilbdrand, nuk ëndërrojnë. Kjo ndodh për shkak se ata kanë një dëmtim në një pjesë të korteksit viziv.

A ndryshojnë ëndrrat gjatë jetës?

Po. Kur jemi fëmijë 2-3 vjeç ne ëndërrojmë më shumë situata të palëvizshme, skena apo veprime të thjeshta, si të fjetur gjumë në një vend tjetër, apo shohim kafshë dhe përbindësha.

Kur fëmijët rriten, ata fillojnë të zhvillojnë ëndrra me një narrativë më komplekse, duke filluar të përfshihen në aksion, apo duke shtuar në ëndrra familjarë apo miq.

Ndërkohë, personat më të moshuar duket se priren të kujtojnë më pak ëndrrat. Ato janë të lidhura më tepër me imazhet e njerëzve që nuk jetojnë më, apo kanë të bëjnë me fenomene të mbinatyrshme apo me jetën e përtejme.

Burrat dhe gratë ëndërrojnë në mënyra të ndryshme?

Duket se po. Studiuesit kanadezë para disa vitesh krijuan një sistem të bazuar në inteligjencë artificiale, për të dalluar elementët e veçantë mes ëndrrave të meshkujve dhe ato të femrave. Kompjuteri arriti të dallonte 75% të rasteve kur ëndrra i përkiste një burri apo një gruaje. Duket se në ëndrrat e burrave shfaqen më shpesh burra të tjerë, ndërsa në ëndrrat e grave ka një raport të barabartë mes gjinive.

Përse ëndërrojmë?

Një prej hipotezave thotë se nga një pikëpamje evolucionare, ëndrrat i shërbejnë një funksioni të nevojshëm individit, duke e vënë në provë përballë skenarëve të rëndësishëm për mbijetesën, si arratisja nga një grabitqar. Kjo shpjegon se pse në shumë ëndrra ka elementë si largimi nga një armik apo nga një sulm.

A kanë një kuptim ëndrrat?

Debati për këtë temë është i hapur prej shekujsh. Hipoteza e Freud-it, ishte se ëndrrat shërbejnë për përmbushjen e dëshirave të fshehura, një argument i cili u braktis. Është e vërtetuar se gjendja jonë emocionale ndikon në tonalitetin dhe llojin e ëndrrave tona.

Megjithatë shumë studime kanë treguar se bashkë me eksperiencat tona jetësore, ëndrrat shpesh mbushen edhe me përmbajtje me të cilën ne nuk kemi fare të bëjmë. Edhe nëse ëndrrat kanë një kuptim, për momentin askush nuk e ka çelësin për t’i interpretuar.

Burimi / http://www.scan-tv.com

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top