2 prilli është caktuar si Dita Botërore e Autizmit nga OKB-ja për rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës rreth këtij çrregullimi bioneurologjik të trurit.
Çrregullimi i spektrit autik vihet re te fëmijët që shprehin komunikim dhe ndërveprim të dobësuar me të tjerët. Njerëzit e prekur nga spektri i autizmit shpesh kanë një shtrirje të kufizuar interesimesh, shfaqin mënyra sjelljesh të përsëritura si dhe reaksione specifike në mjedisin dhe rrethanat e përditshme. Këta persona, nga pamja e jashtme fizike nuk janë ndryshe nga të tjerët, për këtë shkak, është vështirë të krijohet më shumë dijeni dhe mirëkuptim për këtë gjendje.
Sipas shkencëtarëve, njerëzit me çrregullim të spektrit autik, zakonisht kanë prirje të veçanta në fusha të ndryshme, prandaj inkurajimi dhe përkrahja për t’i zhvilluar më tej aftësitë e tyre ndikon pozitivisht në largimin e energjisë negative që ata mund të kenë.
I identifikuar në vitin 1943, autizimi është një çrregullim ende jo shumë i njohur, ndaj specialistët thonë se trajtimi i tij duhet të kthehet në prioritet të politikave shëndetësore dhe sociale bashkë me më tepër vëmendje ndaj fëmijëve që preken nga kjo sëmundje. Në Shqipëri rastet e fëmijëve të ndjekur në mënyrë sporadike tregojnë për mungesë të informacionit në popullatë për këtë sëmundje, mosdiagnostikim të saktë, etj. Bazuar në të dhënat shëndetësore, autizmi ka një prevalencë më të madhe se 0.1%. Sipas klasifikimit ndërkombëtar të sëmundjeve të OBSH-së, “autizmi shfaqet te fëmijët para moshës trevjeçare dhe shoqërohet me vonesa në ndërveprimet e tyre shoqërore, gjuhë, shenja, apo lojëra përfytyruese”.
Shenjat karakteristike te fëmijët me autizëm
Mjekët pohojnë se autizmi mund të identifikohet që në muajt e parë të jetës dhe mund të kuptohen nga një specialist kur fëmija është në muajin e pestë, ndërsa shenjat me të dukshme variojnë nga 18 deri në 36 muajsh. Karakteristikë e kësaj sindrome është se fëmija mund të zhvillohet pa shfaqur shenja shumë të dukshme të çrregullimit deri në moshën 16-18 muajsh dhe pas kësaj moshe, nëna mund të identifikojë probleme në zhvillimin e tij.
Fëmijët autikë kanë probleme të komunikimit, mbyllen në vetvete, nuk krijojnë lidhje emocionale, nuk shoqërohen me moshatarët, fiksohen pas një sendi apo objekti, etj. Çrregullimet e gjuhës dhe komunikimit, shenjat më karakteristike te fëmijët autikë, evidentohen kur fëmija nis të flasë, prandaj dhe prania e tyre përbën një nga kriteret diagnostikuese. E folura herë mungon, herë është e vonuar, ose dhe atipike.
Mjekësia ende nuk ka mundur të qartësojë shkaqet e autizmit, ndërsa përpjekjet e shkencëtarëve vazhdojnë të jenë të mëdha. Edhe pse rrallë observohet më shumë se një rast autizmi në familje, observimi i një përqindjeje të konkordancës së rritur te binjakët monozigotë ka treguar rëndësinë e faktorit gjenetik tek autizmi.
Në Shtetet e Bashkuara, të dhënat nga qendrat amerikane për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve tregojnë se 1 në 150 fëmijë amerikanë vuan nga autizmi. Rreth 25 vjet më parë, numri ishte një në dy mijë fëmijë.
Ekzistojnë disa lloje autizmi, mirëpo dy sindrome janë më të zakonshme, Asberger dhe Kaner.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.