Në fokus

March 14, 2018 | 8:45

Dita e verës, si festohet nga veriu në jug

Ca pikla uji mbi fytyrë dhe kur hap sytë shikon lulet e para të verës mbi jastëk. Ky është zgjimi i një fëmije në fshatrat e Tropojës në Ditën e Verës. Nënat që si zakonisht zgjohen herët për të kryer punët e shtëpisë, mbledhin lule, gjethe dhe fije bari. Këto pastaj i hedhin me kujdes mbi fytyrat e fëmijëve dhe mbi jastëk kur ata ende flenë. Dhe zgjimi bëhet me ca pikla uji mbi fytyrë.

untitled

Në skajin verior të Shqipërisë, fëmijët gjatë gjithë ditës këpusin dëllinja dhe i bashkojnë ato në një vend në formën e mullarit. Pavarësisht se data ndryshon nga ajo që është zyrtarizuar në kalendar, atje 22 marsi simbolizon ditën e verës, ndoshta kjo vonesë vjen për shkak të klimës paksa më të ftohtë krahasuar me Shqipërinë e Mesme dhe atë të Jugut. Dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje dhe fëmijët bërtasin, këndojnë dhe hedhin valle rreth flakëve të larta.

Tropojë

Kjo stinë në Tropojë grumbullon shumë njerëz në fshatin Luzhë ku ata kërkojnë ndihmë dhe mbarësi nga tyrbe të kthyera tashmë në idhuj. Të mëdhenj dhe të vegjël udhëtojnë me kilometra në terrene malore.

Dibër

Zjarri në fakt është karakteristikë e pothuaj gjitha trevave shqiptare. Edhe në Dibër fëmijët ndezin zjarre në mbrëmje. Por një tjetër karakteristikë për këtë krahinë të madhe shqiptare të bën të mendosh për natyrën pagane të kësaj feste dhe mbi të qenit supersticiozë të shqiptarëve. Rreth orës katër të mëngjesit njerëzit atje zgjohen “për të mbyllur dyert”. Ky term do të thotë që të zgjohesh herët dhe kyçin e portës ta lidhësh me penj. Simbolika e këtij veprimi nuk dihet vetëm se është trashëguar ndër vite. Vezët e ziera gjithashtu janë tregues i kësaj dite.

Shqipëri e Mesme

Këtu mendohet se ka lindur e ashtuquajtura Dita e Verës. Në Elbasan përmasat festive janë më të mëdha se kudo tjetër. Ato marrin karakter popullor dhe pjesëmarrje në nivel shtetëror. Këngë, valle, turma që mbushin qytetin, vezë të ziera të lyera me lloj-lloj ngjyrash, dhe ëmbëlsirat e famshme të quajtura ballakume që mbushin tregjet. Qytetin e Elbasanit e vizitojnë këtë ditë qytetarë nga shumë qytete të vendit.

Skrapar dhe Lushnjë

“Verore” quhet peri që lidhet në kyçin e dorës dhe zgjidhet kur të shihet dallëndyshja e parë. Veroret bëhen me pe ngjyrë të bardhë dhe të kuqe. Këto dy ngjyra simbolizojnë pastërtinë e shpirtit dhe shëndetin. Pasi zgjidhet, mendohet një dëshirë dhe më pas peri hidhet në një ferrë ose trëndafil, apo vendoset në degën e një peme me shpresën që një dallëndyshe të vijë ta marrë për të ndërtuar folenë e saj dhe kështu të realizojë dëshirën e menduar. Në këtë ditë fëmijët në Skrapar shkojnë derë më derë duke kënduar këngën e ditës së verës, ndërsa u jepen dhurata si: vezë të ngjyrosura, të cilat i thyejnë nëpër koka. Gatimi tipik i Skraparit për këtë festë, përveç ballakumeve është edhe anak (lakror) me hithra. Ashtu si edhe në Tropojë, dëllinjave u vihet flaka në mbrëmje, për të bërë sa më shumë tym dhe me tymin t’i jepet lamtumira të vjetrës dhe të këqijave, ndërsa fëmijët këndojnë dhe hedhin valle rreth zjarrit. Në Lushnje bashkë me vezët zihet edhe misri e gruri, duke kënduar dhe duke përplasur dy gurë më njëri-tjetrin. Ata kërkojnë misër ose vezë të ziera. Megjithatë, në Lushnje Dita e Verës nuk festohet gjithmonë në 14 mars. Në fakt, për ortodoksit festohet në 1 mars, në 14 e festojnë myslimanët.

Pogradec

Qyteti piktoresk e feston këtë ditë me vezë të ziera, të lyera në të kuqe. Fëmijët ndezin zjarre dhe vënë në duar “veroret”. Elementët e përbashkët nga veriu në jug i japin kësaj dite një unitet që tregon për karakterin pagan shqiptar. Ilirët, të cilët mendohet të jenë paraardhësit e shqiptarëve, kanë qenë popull pagan që kanë adhuruar dhe besuar shumë “hyjni”. Ritet e lashta kanë mbërritur deri në ditët e sotme dhe në familjet shqiptare tashmë vështirë se mund të bëhet diferencimi.

Berat, Dita e Verës ndërthuret me karnavalet

Festa e Ditës së Verës, e cila simbolizon ndryshimin mes stinëve, asaj të dimrit të acartë dhe pranverës së luleve, nis që herët në mëngjes në Berat. Në këtë festë pagane, mijëra banorë të qytetit muze festojnë në sheshin qendror shoqëruar nga karnavalet.

Korçë

Korça së bashku me Kolonjën janë zona që përdorin të dyja kalendarët për festimin e ditës së Verës. Në këto zona festohet edhe në 1 mars edhe në 14 mars. Veçanërisht në datën 14 mars në këto zona çelet vërtet moti dhe mbrëmjen para se të bjerë dielli i ditës së 14 marsit, të vegjlit dhe të rinjtë e Korçës dalin nëpër lagjet e qytetit dhe ndezin zjarre. Tradicionalisht, fëmijët nëpër mëhalla bëjnë gara kush e kush të gjejë më shumë shkarpa të bëjë zjarrin më të madh. Pastaj për mbarësi të gjithë përpiqen të kapërcejnë zjarrin si simbol i kapërcimit me sukses të të ftohtit të dimrit dhe rigjallërimit dhe ndezjes së gjakut që sjell vera. Nënat dhe gjyshet nëpër shtëpi bëjnë kuleçë me kripë ose të ëmbla, duke nënkuptuar jetën, gjallërimin dhe bollëkun. Në datë 14 mars, fëmijët dhe jo vetëm, dalin me vezë të ngjyera nëpër duar dhe me verore.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top