Këshilla & Arsye

May 9, 2018 | 11:17

Divorci, problemet dhe këshilla për të trajtuar fëmijët

Divorci është një problem sa juridik aq edhe social dhe kryesisht shkaktohet, kur ndërmjet dy partnerëve është thyer ndjenja, intimiteti, komunikimi dhe padyshim që marrëdhënia nuk funksionon më, duke përfshirë në një stres të përgjithshëm të gjithë anëtarët. Divorci paraqitet si një ndryshim madhor në jetën e individit, të cilit i nevojitet shumë kohë për t’u rikuperuar e adaptuar me të.

Një familje që kalon një proces të tillë padyshim që përfshihet në një mori çrregullimesh emocionale. Procesi i divorcit mund të rrisë brenda anëtarëve të familjes ndjenja të forta zemërimi, ankthi, depresioni, vetmie, turbullimi dhe mungesë kuraje të dukshme në personalitetin e individëve.

Janë bërë studime të shumta mbi mënyrën e përjetimeve të emocioneve ndërmjet burrit dhe gruas. Ajo që është e sigurt, është se të dyja palët shfaqin probleme të dukshme psiko-emocionale, por mënyra e paraqitjes dhe transmetimit të këtyre ndjenjave është e ndryshme.

Efektet e divorcit tek fëmijët

Fëmijët janë ata që shfaqin hapur ndjenja të fuqishme dëshpërimi, agresiviteti, zemërimi dhe frike. Shpesh herë ata ndjehen fajtor dhe të pafuqishëm për ndarjen e prindërve të tyre. Në disa raste ata fajësojnë veten për ndarjen e tyre. Vlen për t’u theksuar se në ato momente që ndodh procesi i ndarjes dhe ndjenjat e fëmijës injorohen totalisht, pa tentuar që të shpjegohen shkaqet e këtij divorci, këta fëmijë do të shfaqin probleme të dukshme në shkollë dhe shoqëri të reflektuar në sjellje, komunikim, bashkëpunim me bashkëmoshatarët si edhe do të përfshihen në vetëvlerësime dhe imazhe të ulëta mbi veten e tyre. Një nga problemet më të dukshme tek ta është se në të ardhmen shfaqin devijanca të ndryshme në komunikim me prindërit e tyre, por edhe në marrëdhëniet intime ku ata përfshihen.

Çfarëdo moshë që të jenë fëmijët duhet të marrin një shpjegim të mundshëm se cilat janë arsyet dhe kushtet që prindërit e tij po ndahen, në mënyrë që edhe panorama psikologjike e këtij fëmije të jetë akoma më e qartë. Fëmijët duhen mbajtur afër dhe t’i përkushtohet sa më shumë kohë e dashuri, në mënyrë te tillë që të mos ndjehen vetëm dhe fajtor.

Më poshtë mund të lexoni 10 këshilla psikologjike, që nga psikologë dhe studiues të shumtë janë quajtur të arta:

  1. Duhet në vazhdimësi t’i jepni kurajë dhe t’i nxisni fëmijët tuaj mbi atë çka ata ndiejnë brenda vetes. Nëse kjo nuk realizohet, jepni ju shembullin të parët duke përshirë edhe fëmijën tuaj në të.
  2. Bëjeni të qartë se ata nuk janë fajtorë në ndarjen tuaj dhe mundohuni të shpjegoni disa nga faktorët e vërtetë të këtij procesi.
  3. Mundohuni të kuptoni sjelljen e fëmijëve tuaj, që jo pak herë mund të manifestohet me ndjenja të forta zemërimi, urrejtje dhe frike ndaj jush.
  4. Tregohuni të sinqertë me fëmijën tuaj mbi situatën familjare, mbi marrëdhëniet, komunikimin ndërmjet jush.
  5. Mundohuni të informoni sa më shumë fëmijën tuaj mbi ndryshimet e shumta që mund të ndodhin në kohët në vazhdim.
  6. Vazhdoni t’i përmbaheni rregullave të mëparshme të vendosura nga ju për fëmijët tuaj dhe mos u mundoni të tregoheni tolerant, pasi kjo situatë do të çorientojë edhe më tepër fëmijët tuaj.
  7. Mundohuni të kaloni sa më shumë kohë efektive me fëmijën tuaj, në mënyrë të tillë që ai mos të ndjehet totalisht i braktisur dhe të mos fajësoj edhe më shumë veten mbi ndryshimet e ndodhura në familje.
  8. Është tepër e rëndësishme që pas procesit të ndarjes, fëmijës t’i krijohet një ambient i qëndrueshëm, i sigurt dhe i ngrohtë.
  9. Mundohuni që fëmija juaj të mbajë një kontakt të qëndrueshëm me prindin e larguar nga shtëpia.
  10. Në qoftë se fëmija juaj shfaq probleme serioze gjatë dhe pas procesit të divorcit, do të ishte e nevojshme kontakti me një specialist të kësaj fushe në mënyrë që gjendja e tij psikologjike të mos agravohet më shumë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top