Nga Lira Gjika, pediatre
Në këtë moshë kjo sjellje është gati normale. Fëmija fillon të shkëputet nga tutela e prindit dhe kërkon të jetë vetja, ta zbulojë atë me “mjetet” e veta. Prindi nuk duhet të humbasë toruan nga fjalët e fëmijës, por me kurajo duhet të ndërhyjë duke i thënë me qetësi:
-Edhe unë në moshën tënde si ty mendoja, por nuk guxoja t’i artikuloja se kisha frikë nga prindërit. Më vjen mirë që ti nuk ke frikë nga unë edhe pse nuk më pëlqejnë këto fjalë që dëgjoj!
Pasi gjendja qetësohet duhet vazhduar biseda, një kohë e përshtatshme është para gjumit. Nëse ekziston rutina e leximit të librit së bashku, prindi duke i zgjedhur fjalët dhe tonin e zërit i thotë fëmijës:
-Unë do të të jap një këshillë: Ti duhet të mësosh t’i zgjedhësh fjalët, në radhë të parë për veten tënde, pasi po nuk mësove t’i zgjedhësh fjalët, inati apo zemërimi do të të vënë përpara dhe do të jesh gjithnjë nën forcën e tyre. Kështu, të tjerët do të të kenë në dorë kur duan të të prishin punë, duke të bërë nervoz, dhe ti o do të zihesh ose do të largohesh.
Kur njeriu mbetet rrëmujë brenda vetes, nuk di të ndërtojë marrëdhenie të mira dhe të jetë i pranuar nga tjetri pa etiketime. Në këtë moshë që je këtë po mëson, si të ndërtojmë marrëdhënie me veten dhe tjetrin pa patur frikë. Dhe marrëdhëniet ndërtohen nëpërmjet fjalëve që përdorim. Gjithashtu edhe mendja punon nëpëmjet fjalëve që kemi në përdorim.
Prindër ndihmojeni fëmijën tuaj që t’ia dalë tani që ende ju dëgjohet fjala, pasi në këtë moshë tjetri, moshatarët, fillojnë e bëhen shumë të rëndësishëm. Tani mos prit paqe. Duhet të përpiqeni prindër t’i mësoni etikën e mirë të të sjellurit dhe jo ta lini në dorë të arrogancës e rrëmujës sepse ju mbeti hatri apo ju hipën nervat.
Jeni aty të edukoni dhe jo t’u mbetet hatri nga një 10-vjeçar që për më tepër është fëmija juaj!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.