FB

January 22, 2024 | 7:36

Nga Edmond Tupja: Ankues po, qaramanë jo!

 

 

Të gjithë, ndonëse kush më shumë e kush më pak, jemi të vetëdijshëm se në Shqipërinë e sotme ekzistojnë mjaft probleme social-ekonomike e kulturore, të cilat ende nuk premtojnë se do të zgjidhen, përkundrazi! Këto probleme, si korrupsioni i frikshëm, narkotrafiqet, emigracioni i detyruar, papunësia, padrejtësia dhe keqqeverisja e shtrirë nga pushteti vendor deri tek ai qendror, kanë sjellë si pasojë që, prej disa dekadash, njerëzit në përgjithësi të ankohen e vuajnë ekonomikisht dhe shpirtërisht.

edmond-tupja

Kjo prirje për t’u ankuar, nga pikëpamja sociologjike, mund të konsiderohet si një mënyrë shkarkimi gjysmë e ndërgjegjshme për të lehtësuar barrën psikologjike që e ndiejnë sidomos shtresat e ulëta dhe, deri diku, ato të mesme. Kjo mënyrë shkarkimi ka krijuar tashmë idenë, si tek të huajt, ashtu edhe tek vetë ne, shqiptarët, se po jetojmë në një shoqëri ankuese ku objektivisht të krijohet bindja se gjendemi përballë një dukurie e cila po shndërrohet përditë e më shumë në një fenomen shoqëror tipik apo karakteristik që, me shumë gjasë, rrënjët i ka si tek tradita, ashtu edhe tek e tashmja, çka sapo e theksuam shkurtazi në paragrafin e mësipërm.

Tek tradita, sepse ne shqiptarët jemi një popull mesdhetar, pra kemi frymën e komunikimit me njëri-tjetrin; tradicionalisht, na pëlqen të kuvendojmë me shokë e shoqe sa herë që takohemi, na pëlqen madje të merremi edhe me thashetheme, na pëlqen edhe të komentojmë fjalët e bëmat e fqinjëve, e kolegëve, e të afërmve tanë, madje na pëlqen ta zbukurojmë apo ta plotësojmë një fakt apo lajm duke i hedhur atij disa kokrriza kripe nga fantazia jonë deri në atë pikë saqë ndonjëherë miza bëhet buall.

Nga ana tjetër, na pëlqen, jo në pak raste, të hiqemi edhe si viktima, pra na pëlqen të ankohemi qoftë edhe për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve, sepse, me të drejtë, kur bindemi se dikush po na dëgjon me kureshtje, me interesim të sinqertë, sidomos me dhembshuri, ne ndihemi më mirë, më të lehtësuar në hallin apo dhimbjen që na mundon psikologjikisht.

Kësaj tradite mund t’i brendashkruhen gjithashtu vitet e diktaturës hoxhiste, sidomos periudha 1981-1992, kur regjimi komunist realizoi sistematikisht urinë kolektive me emrin “tallon” duke intensifikuar dhunën politike, duke mbushur burgjet me kundërshtarët politikë, duke rritur numrin e të internuarve, duke ndëshkuar çdo orvatje për t’u shprehur lirisht, duke ndëshkuar sidomos ata intelektualë e artistë që guxonin të kritikonin, qoftë me zë të lartë, qoftë edhe me gjysmë zëri, parimet e gabuara ekonomike, sociale, arsimore apo kulturore të zbatuara deri në çmenduri nga udhëheqja e lartë e partisë-shtet.

Së fundi, por jo më së paku, le të pranojmë që të ankohesh për një padrejtësi të çdo lloji është diçka normale ose, më saktë, duhet konsideruar si diçka e natyrshme, veçse njeriut i takon të ankohet me dinjitet, të përpiqet që ankesa e tij të jetë e dobishme edhe për të tjerët në rastet e ngjashme me shqetësimin e tij.

Sigurisht, kur ankohemi tek një i afërt, tek një mik, shok, psikolog, koleg apo fqinj, madje edhe tek një i panjohur, mund të marrim prej atyre një këshillë të dobishme, por edhe sikur të mos jetë kështu, gjithsesi ndihemi më të lehtësuar. Pra, le të ankohemi, veçse me dinjitet, pa rënë në nivelin e qaramanëve “profesionistë”.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top