FB

June 22, 2026 | 17:30

Dogana e Fjalës, arti nuk ka nevojë për tregtarë

Kur mbarova librin tim të parë, për disa ditë u solla si njeri që kishte bërë diçka të rëndësishme. Mendoja, pa e thënë me zë, se tani bota duhej të sillej pak më mirë me mua. Kjo është një nga gjërat më qesharake te shkrimi: të bën të harrosh se libri, sapo mbaron, pushon së qeni drama jote personale. Për ty mund të kenë qenë vite jete. Për botën është vetëm një objekt tjetër që kërkon vëmendje.

rezarta-gaganiNë kokën time ende jetonte një ide e vjetër, pothuaj utopike në pafajësinë e saj, se një libër, sapo mbaron, nuk duhet të largohet menjëherë nga heshtja që e krijoi. Besoja me një lloj arrogance të shenjtë se arti mban një peshë që bota do ta njihte vetë. Isha rritur me idenë e pastër se në territorin e frymës nuk ka tregtarë, se merita është një forcë fizike dhe arti një emancipim kolektiv që nuk ka nevojë për doganë.

Por fjala, sapo kërkon të dalë nga dhoma ku është shkruar, fillon të mësojë një sjellje tjetër. Pastaj erdhën gjërat e vogla, ato që nuk duken kurrë tragjike në çastin kur ndodhin: një mesazh i shkruar me kujdes, një pritje përgjigjeje, një emër që nuk kthehet, një derë që nuk mbyllet mediatikisht me zhurmë, por thjesht nuk hapet. Aty filloi edukimi im i dytë. Dhe ky edukim ka një emër konkret: rituali neurotik i kontrollit të telefonit. I dërgon dorëshkrimin një autoriteti letrar, dikujt që e ke admiruar nga larg për vite me radhë. Sheh që mesazhi është lexuar. Kalon një ditë, dy ditë, një javë. Heshtje. Dhe ti, në vend që të rebelohesh në emër të idealeve të tua të mëdha, fillon e zvogëlohesh. E gjen veten duke shkruar një mesazh të dytë, edhe më të përulur, pothuajse servil, duke i kërkuar ndjesë që i ke marrë kohën e çmuar për dorëshkrimin tënd të vogël. Kjo është pika ku zhvishesh: dëshira për të marrë një “bravo” nga ai sistem që teorikisht e urren, është më e fortë se gjithë utopitë e tua.

Dhe pa ndonjë dramë të madhe, libri im nisi të më nxirrte nga ideja romantike e shkrimit dhe të më fuste në pjesën më tokësore të tij: kalimin.

Unë doja të bëhesha një shkrimtare.

Sikur të ishte thjesht një dëshirë, një prirje, një thirrje e brendshme. Në të vërtetë, dëshira për të shkruar ka më pak shkëlqim se kaq. Ka orë të vona, fjali që nuk bindin, fletë që hapen e mbyllen, turp nga ajo që ke shkruar dje, një këmbëngulje që nuk di nëse është talent apo ves. Shkruan sepse nuk arrin t’i lësh gjërat të vdesin normalisht brenda teje.

Librin tim e shkrova kështu. Me atë marrëzinë e butë që të bën të besosh se një fjali mund të shpëtojë diçka, edhe kur nuk e di çfarë. Kur dorëshkrimi më në fund mori formë, mendova se luftën kryesore e kisha me fjalën. Por bota nuk emocionohej nga vetmia ime. Aty duhej marrë vendimi i madh për kalimin. Për ta nxjerrë librin në dritë, duhej paguar. Dhe këtu fillon ajo pjesë e historisë që më intereson dhe më gërryen më shumë, sepse askush nuk më detyroi. Ishte zgjedhja ime. Ishte egoja ime që nuk e duronte dot mendimin e sirtarit. U ula në dhomë, hapa llogaritë e mia dhe pranova të bëja transaksionin. Në atë sekondë, unë nuk isha një viktimë e pafajshme e një sistemi të egër; isha klientja e tij më e zellshme. Ndjeva një lloj çlirimi të pashpirt që paratë e mia mund ta blinin atë dritë që merita ime e pastër nuk po ma siguronte dot. I vura vetë doganë krijimtarisë sime. E ktheva plagën dhe revoltën time në një projekt me kosto operative dhe qarkullim.

shkrimi

Dhe pjesa më e çuditshme ishte se kjo ndodhi ngadalë. Aq ngadalë, sa për një kohë të gjatë vazhdova ta quaja ende idealizëm. Njeriu mësohet me pothuaj çdo gjë që përsëritet pa zhurmë. Edhe me mënyrën sesi fillon ta masësh veten jo me çfarë ke shkruar, por me mënyrën si të presin të tjerët.

Dhe sa e bukur është, sa e turpshme njëkohësisht, të zbulosh se ke qenë më pak e pafajshme nga ç’e ke menduar. Pafajësia ime e dikurshme marksiste ishte e pastër thjesht sepse ende nuk i kishte pasur mjetet për t’u provuar në baltë. Pasi kreva atë transaksion, për disa javë vazhdova të sillesha sikur asgjë thelbësore nuk kishte ndryshuar tek unë. Sapo dorëzohesh, pjesa tjetër është thjesht çështje ditësh dhe shtypshkronje. Ankthi i shkrimit u zëvendësua nga pritja teknike. Kur libri më në fund doli, bota funksiononte kështu. Duhej pranuar. Madje fillova t’u flisja edhe të tjerëve me një lloj kthjelltësie të re, pothuaj praktike, për mënyrën si “funksionojnë gjërat”.

Kjo ishte pjesa që më trembi më vonë. Shpejtësia. Shpejtësia me të cilën njeriu mësohet me versionin e vet që dikur do ta kishte gjykuar. Më kujtohet një mbrëmje kur po shihja librin tim në librari dhe ndjeva një lloj krenarie të vogël, pothuaj të turpshme, që kisha ditur të lëvizja siç duhet. Jo të shkruaja. Të lëvizja. Të negocioja. Të hyja. Dhe për disa sekonda mendova diçka që nuk dua ta zbukuroj më me teori: ndoshta nuk isha aq ndryshe nga njerëzit që për vite të tëra i kisha parë si “të korruptuar nga sistemi”. Ndoshta ndryshimi mes nesh ishte vetëm se ata kishin hyrë më herët.

Për këtë arsye e quajta më vonë doganë të fjalës. Sepse fjala ime thjesht duhej të kalonte si mall. Dhe për të kaluar, duhej të pranonte një rregull të botës ku kishte hyrë.

Por… çfarë bëhet me një ideal kur ai nuk ka ku të zbresë pa u ndotur? Ndonjëherë pyes veten nëse problemi ishte vërtet vetëm bota, apo edhe mënyra se si unë e kisha imagjinuar veten brenda saj.

Kjo është pyetja që më ka mbetur nga libri im i parë, më shumë se vetë gëzimi i botimit. Sepse libri doli. Mori trup, u lexua, u mbajt në duar. Dhe kjo ka gëzimin e vet. Edhe unë e dua njohjen, vëmendjen, praninë e librit në botë. Njeriu nuk shkruan vetëm për sirtar.

Por pas gëzimit mbeti skena e fundit, ajo më qesharakja. Teksa kaloja gjoja rastësisht pranë të njëjtës librari, thjesht për të parë ku ma kishin vendosur librin. Dhe kur e pashë të fshehur diku në rreshtat e poshtëm, pas një libri komercial me kopertinë të ndritshme, ndjeva një thyerje të vogël, fëmijërore.

Për disa minuta vazhdova të sillesha sikur nuk kishte rëndësi. Mora një libër tjetër në dorë. Bëra sikur po shihja raftet. Por gjatë gjithë kohës ndieja vetëm atë thumbimin idiot që të vjen kur kupton se egoja jote është shumë më e vogël dhe shumë më e uritur seç kishe menduar. Dhe ajo që më neveriti nuk ishte zhgënjimi. Por fakti që, po të ma kishin vendosur librin në vitrinë, ndoshta do të isha ndier e lumtur gjithë ditën.

Për shumë kohë vazhdova të mendoja se ajo histori kishte të bënte me librin tim. Sot nuk jam më aq e sigurt. Sepse libri ishte vetëm preteksti më i bukur që gjeta për të mos parë diçka tjetër: sa shumë doja të ekzistoja në sytë e të tjerëve. Dhe ndonjëherë kam frikë se kjo ka qenë gjithmonë aty. Që përpara kapitalizmit. Përpara tregut. Përpara gjithë teorive të mia mbi pastërtinë.

Ndoshta sistemi nuk na ndryshon aq shumë sa na zbulon. Por thjesht nxjerr në dritë gjërat që idealet tona nuk arrijnë t’i mbajnë gjatë në errësirë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top