Në fokus

February 27, 2017 | 10:34

Dorian Koçi: Të kontribuosh në mirëqenien e të ngjashmëve!

Duheshin vetëm ca letra të papërdorshme, shpesh katroret e mbetura bosh nga një fletore matematike apo anësoret e një libri didaktik pse jo, dhe vargjet që rridhnin nga muza shkruheshin aty, shpejt dhe pa vështirësi. Dorian Koçi mendon se puna sistematike është vetëm njëra anë e medaljes, por më e rëndësishmja në prodhimtarinë e tij mbetet talenti i lindur, të cilin, në ato vite kur ende nuk arrinte ta përcaktonte se çfarë rruge do të merrte në jetë, e ka ushtruar në mënyrë të pavetëdijshme. Por kur flet për historinë, të cilës gjithashtu i është kushtuar fort, ai thotë se marrëdhënia e tij me kreativitetin spontan merr fund, pasi kjo shkencë nuk lejon të krijosh, por thjesht t’i përgjigjesh një realiteti.

dorian-koci

Dorian Koçi, historian, studiues

Kreativiteti, a është për ju një dhunti e lindur apo e keni zhvilluar atë në bazë të njohurive, interesave për jetën dhe plotësimit të figurës tuaj?

Besoj se është një dhunti e lindur si interes për letërsinë, historinë dhe artet dhe sigurisht e ushtruar në mënyrë të pavetëdijshme që në moshë të vogël. Më kujtohet se që në shkollë të mesme, gjatë orëve të mësimit, shpeshherë shkruaja në letra të vogla, synopse idesh, rrëfimesh e poezish, një pjesë e madhe e të cilave kanë mbijetuar si subjekte në memorien time dhe kur kam pasur kohë më vonë, i jam rikthyer, kurse një pjesë tjetër sigurisht që ka humbur në hojet e kujtesës.

Si historian dhe studiues sa ju ka shërbyer të krijuarit në plotësimin dhe sjelljen e dokumenteve apo fakteve historikë pranë lexuesit?

Historia është një shkencë që nuk lejon të krijosh, sepse në vetvete kërkon që t’i përgjigjet sa më tepër realitetit. Që nga Herodoti, i pari historian serioz i përmendur në historinë e njerëzimit, në momentin kur ata nuk njohin një ngjarje apo territor me saktësi, gjithmonë janë përgjigjur në mënyrë lakonike “thuhet se”, “besohet se” etj. Mirëpo, pavarësisht këtij fakti dhe ngurtësie të shkencës së historisë, si dhe rrëfimet e Herodotit, ajo mund të shkruhet mbi bazën e një narrative që lejon të interpretosh dhe të shpjegosh faktet historikë dhe jo vetëm të dokumentosh thatë historinë. Mendoj se kjo është sfida e brezit të ri të historianëve, për të rishkruar një histori sa më afër së vërtetës, por në të njëjtën kohë edhe më të perceptueshme nga publiku.

Njerëzit që krijojnë padyshim kanë edhe çastet e veta të bllokimit. Në psikologji disa gjendje si: pesimizmi, frika, ankthi, adrenalina, njihen si “vrasësit” e kreativitetit. Ju kaplon kjo gjendje?

Besoj se përmes gjendjeve të cituara më lart, kalojnë pothuajse të gjithë njerëzit që  ushtojnë aktivitetin e tyre me muzat artistike. Personalisht ndjehem keq nga mungesa e motivimit dhe e pasionit të të tjerëve për të mësuar më shumë rreth identitetit, historisë dhe së shkuarës së vendit të vet. “Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon dhe të sotmen” është një shprehje e njohur nga shkrimtari britanik George Orëell, çka nënvizon rëndësinë e njohjes së historisë dhe implikimet e saj në të sotmen. Për të tejkaluar këtë gjendje, e rëndësishme është që njerëzit të ndërgjegjësohen, duke u kujtuar se historitë personale të suksesit apo mossuksesit, identitetet e së shkuarës dhe sotmes, përbëjnë tërësinë e historisë dhe identiteteve të një popullsie dhe të orientimit të saj drejt progresit. Nëse dëshirojnë që të ndërtojnë një të ardhme solide, atëherë këtë proces duhet ta fillojnë duke njohur të shkuarën.

Psikologët thonë: Ndryshimi është padyshim një forcë e fuqishme. Hap perspektivën, zgjeron vizionin, na vë në pozita ku vendosim të braktisnim frikërat dhe dyshimet tona. Një pikë e mirë nisjeje sipas tyre është edhe edukimi ndaj mendimit negativ. Sa ju ka ndihmuar përgjatë vijës studimore që keni ndjekur dhe a mund të më rrëfeni ndonjë rast?

Negativizmi në shkrimin e historisë së shqiptarëve është kthyer në një modë. Për fat të keq kjo gjë nuk po ndodh nga profesionistët, por  kryesisht prej studiuesve të fushave të tjera, të cilët i bien në qafë historisë. Dekonstruktimi i të ashtuquajturave mite në historinë shqiptare, prek zakonisht palcën e identitetit të shqiptarëve, duke tentuar t’i paraqesin ata si më pak të zhvilluarit nga ana kulturore, më të vonuarit në zgjimin kombëtar etj. Personalisht, këtë gjë e kam hasur në studimin e figurës së Ali Pashë Tepelenës, dhe vetëm kur e vendosa në një rrafsh krahasues me figura të tjera në Ballkan dhe me ngjarje të ngjashme me rebelimin e tij, besoj se arrita ta kuptoj më mirë figurën dhe rëndësinë e aksionit të tij politik.

Për disa, ky lloj ndryshimi shoqërohet me paragjykim. Ju ka privuar kjo gjë apo përkundrazi ju ka ngacmuar të çoni më tej pritshmëritë?

Përgjithësisht paragjykimet që kam hasur në shkrimin e historisë së shqiptarëve, kryesisht prej mosnjohjes, por edhe shpeshherë prej dashakeqësisë, më kanë ngacmuar që të bëj të mundur përmes dokumenteve dhe shtjellimit të fakteve të pasqyroj drejtë fenomenet historikë përmes të cilave ka kaluar kombi ynë. Shqiptarët kanë as më shumë dhe as më pak një histori të përbashkët me të gjitha popullatat në Ballkan, ndaj paragjykimet e ndërtuara ndaj tyre për zgjim të mëvonshëm kombëtar apo mungesë instinkti qeverisës, para se të jenë fakte historikë më së shumti janë paragjykime të tipit orientalist të mosnjohjes së Tjetrit. Së bashku me kolegë të tjerë të brezit të ri të historianëve, gjithsecili në fushat e veta të studimit, jemi duke u munduar të plotësojmë mozaikun e tërësisë së historisë së shqiptarëve, të një historie multidisiplinare ku nuk studiohet historia vetëm si sagë e narrativë, por si kombinim edhe me fushat e tjera të dijes.

Të qenit kreativë, na lejon të kapim mundësitë në çdo situatë, favorizon mendimin pozitiv, zhvillon dhe fuqizon ndjesinë e kënaqësisë personale dhe vetërealizimit. Sa i plotësuar ndiheni sot?

Këtë pjesë sigurisht që nuk më takon mua të flas, pasi janë lexuesit, studentët e kolegët që do të mund t’i përgjigjeshin më mirë. Sigurisht që jam ndjerë mirë kur miq e kolegë kanë cituar shkrimet e librat e mia në veprat e tyre apo në doktoraturat e studimit dhe përveçse kënaqësisë së njohur të studiuesit, kam përfituar dhe ndjenjën mikluese të vlerësimit, çka për hir të së vërtetës është e pakët në shoqërinë tonë. A kam ndikuar në mirëqenien e tyre? Besoj se intelektualisht dhe shpirtërisht çdo koleg lë gjurmë me personalitetin e tij, ndaj besoj se në mënyrë të vetëdijshme e të pavetëdijshme, në këtë mënyrë ne kontribuojmë në mbarëvajtjen dhe mirëqenien e të ngjashmëve si ne.

 

Botuar në revistën “PSIKOLOGJIA”, në numrin 108

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top