Në fokus

May 14, 2020 | 8:10

Doruntina Grulaj: “A ia vlen jeta”… kur shprehje si kjo rëndojnë depresionin deri në aktin e mohimit të jetës. Pse vlen parandalimi!

 

Bota e njerëzimit gjatë procesit të jetës vazhdon çdo ditë përpjekjen për të jetuar, kurse theks të veçantë ka, arritjen drejt realizimit të synimeve që ka në jetë.

Msc Doruntina Grulaj

Msc Doruntina Grulaj

Jo gjithmonë secili kalon lehtë, sepse kemi përballje të sfidave nga më të ndryshmet. Për disa mund të jenë të papërballueshme, duke ditur se njerëzit dhe karakteret nuk janë të njëjtë, disa të tjerë janë rezistues, nuk dorëzohen, të tjerë përveçse heqin dorë, rrezikojnë edhe veten e tyre, duke tentuar të largohen nga kjo botë me mendimin se ,janë të tepërt dhe barrë për të tjerët. Ata nënvlerësojnë veten me mendime të errëta.

Si temë, vetëvrasja është shumë e rëndë dhe e dhimbshme për t’u shtjelluar, sepse edhe sot nuk dihet saktësisht se çfarë ndodh në trurin e njeriut derisa përballet me ato momente tragjike.

Sa i përket termit vetëvrasje, për herë të parë ky term u përdor në shekullin XIII nga latinishtja suicidium (sui-vetja dhe cidim-vrasja). Parë në aspektin filozofik, vetëvrasja mbetet problem dhe dilemë filozofike “të rrosh apo të mos rrosh”. Kjo mbetet si zgjidhje e pashpresë për ata që gjenden në këtë situatë.

Të tregosh nëse jeta ia vlen apo nuk ia vlen të jetohet, do të thotë t’i përgjigjesh pyetjes themelore të filozofisë. Kurse parë në aspektin fetar, te disa kjo mbetet si diçka sublime drejt nxitjes për vetëvrasje, kurse te disa është mëkat, rreptësisht e ndaluar. Bazuar në shkaqet që sjellin vetëvrasjen, i lidhur fort me të mbetet depresioni. Gjatë periudhës me stres dhe depresion, njeriu ushqen veten me mendime vetëvrasëse.

1Studimet e Organizatës Botërore të Shëndetit qysh në vitin 2018 kanë ngritur alarmin se në vitin 2020 depresioni do të cilësohet sëmundja e shekullit, duke lënë në vend të dytë sëmundjet kardiovaskulare. Shumë njerëz në botë duke u përballuar me problemet e jetës së përditshme bëhen pesimistë dhe ndihen të pa shpresë për të vazhduar jetën para, derisa në një gjendje të tillë truri punon vetëm për vetëvrasjen.

Duhet të kemi parasysh se problemi i vetëvrasjes nuk do të thotë vetëm t’ia marrësh vetes jetën, por edhe të tjerëve, siç kemi raste në sulme të ndryshme, ku një person vret disa të tjerë dhe pastaj i merr jetën edhe vetes, duke e praktikuar këtë me sulme të ndryshme vetëvrasëse. Theksojmë se, vetëvrasjet nuk kanë lidhje më pasuri apo gjëra të tjera siç flitet, sepse në vendet më të pasura, më shumë se në vendet e varfra, bëhen vetëvrasje, dhe si shkaqe njihen depresioni, pastaj izolimi brenda vetes apo vetmia, objektivat që i vendosin vetes për një qëllim të caktuar, dhe mundimi se nuk mund t’i arrijnë ato.

Çfarë duhet të dimë?

Ajo çfarë duhet ta dimë është se çrregullimet psikologjike kanë një ndikim shkatërrues në cilësinë e jetës, me pasoja serioze në nivel personal, emocional, familjar dhe social. Kështu që njerëzit që kanë probleme të tilla duhet të këshillohen me profesionistë të shëndetit mendor, dhe të trajtohen pasi mos trajtimi i tyre në kohë mund të çojë në akte ekstreme si vetëvrasja.

Vullneti për t’ia marrë jetën vetes është një problem që njeriu nuk është në gjendje të mendojë për dëshirat e jetës dhe për të vazhduar më tutje përballjen e problemeve në të cilat gjendet. Kur njeriu është në gjendje depresioni, apo edhe në ditët jo më të mira, gjëja e fundit që duhet të përballet është të kontaktojë me njerëz që e nxisin situatën e keqe ndaj tij, apo edhe situatat me të cilat përballet. Atij i duhet përkrahja maksimale e shoqërisë dhe familjes, e kurrsesi të gjykohet, sepse ndodh dhe më e keqja pas një akti të tillë. Përveç të tjerash, kjo situatë është tejet e rëndë edhe për familjarët, shoqërinë dhe rrethin.

Sipas studimeve të fundit, shumë njerëz në mbarë botën tentojnë të bëjnë vetëvrasje, disa edhe e arrijnë këtë pikë fatkeqësisht. Kjo dukuri negative ka vite që ka goditur edhe shoqërinë tonë në Kosovë dhe në Shqipëri. Fatkeqësisht shumë të rinj janë duke i dhënë fund jetës së tyre duke mos pasur vullnetin për të vazhduar më tutje, përkundrazi, vullnetin për t’i dhënë fund jetës së tyre, në mënyra të ndryshme si: marrja e substancave të ndryshme, pirja e medikamenteve të ndryshme, hedhja nga lartësitë e komplekseve të ndryshme, vrasja e vetes me armë, e mënyra të tjera. Arsyeja e parë e vetëvrasjes mbetet depresioni, pastaj janë shkaqet e tjera që e ndihmojnë të thellohet kriza mendore.

2

Depresioni mbetet një patologji që konsiderohet shpesh e parëndësishme, por që ka pasoja. Për fat të keq këta persona rrallëherë mund të dallohen në familje dhe shoqëri, dhe kjo nuk arrin të kuptohet deri sa mund të jetë vonë. Ka njerëz që pak kohë para se të kryenin vetëvrasje kanë shëtitur me shoqëri, kanë qenë me familje apo edhe me të dashurit e tyre, dhe kanë postuar fotografi në rrjete sociale duke buzëqeshur, prandaj duhet pasur shumë kujdes ndaj vetes dhe trajtimit të njerëzve, dhe duhet gjetur mënyra e komunikimit, sepse ata shpesh kanë nevojë të flasin por, sikur nuk përfillen nga rrethi dhe shoqëria aq sa duhet që të arrijnë të përballojnë këto situata.

Cila gjini vuan aktin suicid?

Si akt besohet se më shumë vetëvrasje bëjnë meshkujt se sa femrat, duke aluduar kështu që femrat tentojnë të kryejnë aktin me medikamente të ndryshme dhe dështojnë, kurse meshkujt kryesisht me armë dhe mjete të forta, që rezulton në kryerjen e aktit më shumë se femrat. Shenjat në të cilat mund të paraqiten si më pak urgjente tek ata që vuajnë me depresion dhe se mund të shkojnë deri tek akti vetëvrasjes, por që të ndërhyjmë dhe të gjejmë ndihmë për njeriun që shfaq njërën nga këto shenja:

Shprehje të mungesës së shpresës dhe të humbjes së qëllimit për të jetuar

Shfaqje të egërsisë ose zemërimit apo përpjekjes për hakmarrje

Sjellje në mënyrë të pakujdesshme

Ndjenja të të qenit i zënë në kurth

Shtim nga ana e tyre të përdorimit të alkoolit ose drogave

Largim prej miqve, familjes ose shoqërisë

Ndjenja të ankthit ose acarimit apo pasje të ndryshimeve dramatike të gjendjes

Vështirësi për të fjetur ose të fjeturit gjatë gjithë kohës

Ndjenja që ata janë një barrë për të tjerët

Jo të gjithë përpiqen të kryejnë vetëvrasje por, ne kemi sinjale që ka diçka në mendje dhe shumica janë shenja paralajmëruese, dhe duhet t’i marrim seriozisht, të jemi afër në përkujdesjen e tyre si miq si familje.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com