Këto ditë në shumë shtete të botës po marrin masa të rrepta ndaj përhapjes së Covid-19, ndaj një armiku të padukshëm që po sulmon njerëzimin. E ndër këto masa është ajo e quajtur karantina, e cila po zbatohet edhe në Kosovë.
Që nga lufta e vitit 1999, populli i Kosovës tani po përballet më një tjetër vështirësi në dallim nga ajo e viteve 1998-1999, ku duhej të bashkoheshim të gjithë në një dhomë për të mbijetuar. Tani është periudha ku duhet ta vlerësojmë dashurinë dhe respektin në distancë, duke mos qëndruar shumë së bashku e që me thënë të drejtën, jo rrallëherë e kemi braktisur shtëpinë dhe familjen nga jeta dinamike që kishim. Por diçka ndryshoi, dhe ja ku jemi.
Si kurrë më parë po brengosemi si për gjenaratat e treta, gjyshërit tanë, ashtu edhe për prindërit dhe fëmijët, duke treguar dashuri në distancë, dhe presim me durim të shtuar të na vijnë ditët e afrimitetit, të bashkimit familjar, takimeve shoqërore dhe angazhimeve edukative-arsimore, po ashtu edhe kthimit në punë. Kjo periudhë pandemie dhe karantinimi kërkon një mobilizim nga e gjithë masa që të kujdesemi për veten dhe tjerët. Është mënyra e vetme që duhet të luftojmë për të qenë mirë, që të gjithë së bashku ta kalojmë më lehtë këtë pandemi.
Por mos të harrojmë se nuk duhet kursyer as ndjenja e të qenit human, të ofrojmë ndihmë dhe të jemi pranë atyre që kanë nevojë edhe për praninë tonë fizike.
Këtë situatë e kuptojmë që nuk është e këndshme, sepse nuk jemi mësuar të kemi rutinën e jetës që bëjmë tani. Të qëndruarit gjatë në shtëpi për ditë radhazi dhe kohë të pacaktuar, është e vështirë por jo e pakalueshme. Fakti që ankthi i lehtë mund të jetë i pranishëm te disa njerëz, dhe ata do kenë ndjenjën e mërzisë, frikën dhe shqetësimin për të ardhmen.
Prandaj, ajo çka kërkohet nga ne, është të jemi vigjilent ndaj çdo lloj përballjeje apo rreziku që na kanoset, të kemi optimizmin se do t’i kalojmë edhe këtë kohë e ditë të vështira në shtëpi. Mbase thënë sinqerisht, nuk janë edhe të rënda për t’u kaluar, por vetëm duhet të kemi kujdes të dimë si të bëjmë menaxhimin e ditëve, gjumit të mjaftueshëm, padyshim t’u ikim mendimeve negative se “nuk kemi çfarë të bëjmë”, dhe “çfarë na pret nesër” duke ndjekur lajmet (nuk duhet ta bëjmë orë e çast), duhet të mendojmë më shumë se kurrë për shëndetin tonë mendor, dhe atë fizik, mos të konsumohemi me gjëra që ulin humorin, të përqendrohemi më shumë në rutinën e ditëve e mos të futemi në mendime të thella, mos të shikojmë gjatë se nga vjen Covid-19 e kur do përfundojë, sa do zgjasë karantina…
Ky shqetësim nuk duhet të na mundojë. Ne duhet vetëm të qetësohemi dhe të presim si do shkojë situata, duke ndjekur vetëm rregullat dhe kujdesin që na është kërkuar, sepse kështu do e kalojmë më lehtë. E sa i përket të ardhmes nuk e parashikon askush tjetër përveç Zotit, e as ne!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.