Dëshmi

March 15, 2018 | 12:34

Dr. Bledar Kurti / Dashnorët e kohëve moderne

Ai vjen nën gjininë që e përfaqëson më së miri dhe e identifikon në radhët e shkrimtarëve shqiptarë. Ndonëse me një hap të guximshëm, këshilltari i disa prej politikanëve të rëndësishëm, Bledar Kurti, vendos të sjellë në trill artistik jetët e tyre mes politikës, erosit dhe intrigave. Pas “goditjes” së një ish-gazetari-politikan, Ben Blushit, Kurti si këshilltar politik, vendos të sjellë politikën edhe në roman.

Dr. Bledar Kurti

Dr. Bledar Kurti

Një rrëfim krejt ndryshe në prezantimin e librit të 6-të tuajin. Keni gërshetuar profesionin me pasionin. Sa e vështirë ka qenë në lëmin e të dyjave?

Si politika, ashtu edhe arti i të shkruarit janë dy botë magjepsëse! Do e ekzagjeroja nëse do shprehesha se janë pothuajse të njëjta, por një gjë e them me siguri, që kanë shumë pika të përbashkëta. Për shembull: trillimin, psikologjinë e votuesit apo lexuesit, perspektivën kohore, frikën, suspansën, dhe mbi të gjitha personazhet. Në politikë ka personazhe që mjafton t’i përshkruash realisht në një roman dhe ata të habisin. Politika, sidomos ajo shqiptare, mbart personazhe përtej çdo imagjinate librash apo filmash. Më besoni për këtë!

Personazhe unikë dhe po aq kontradiktor si në lidhje me injorancën, ashtu edhe me zgjuarsinë, me mungesën e integritetit apo me klasin që mund të tregojnë, sa shumë vulgarë aq edhe gjenialë. Ishte e lehtë të shkruaja një kolazh momentesh nga jeta dhe personaliteti i disa politikanëve. Nuanca hije-drite nga jeta e tyre, të ndërthurura të gjitha në një personazh totalisht, pjesërisht, apo ndoshta edhe aspak të trilluar. Gjatë dhjetë viteve të fundit më është dashur të shkruaj rreth shtatëqind fjalime dhe artikuj politikë.

Dikur ëndërroja të bëhesha njeriu i letrave, ndërsa tani është e vështirë të shkëputem prej tyre. Megjithatë, gjuha dhe retorika politike më ka ndihmuar të shprehem shkurt, qartë dhe kuptueshëm edhe në letërsi.

Ndaj “Dashnorët e kohëve moderne” nuk është një roman i thjeshtë, por një mesazh i qartë për këdo që e lexon. Ashtu si një fjalim politik, që kuptohet lehtë nga dëgjuesit. Dallimi është që, romani rrok koncepte universale dhe jo tema të rëndomta politike të ditës.

Do guxim të shkruash në trill artistik jetën e një politikani. Si ka ngjarë me ju përgjatë procesit krijues?

Kam punuar si këshilltar për disa ministra e deputetë të Republikës së Shqipërisë, dhe pa asnjë dyshim, filozofia dhe natyra e punës sime është konfidencialiteti, të cilin nuk do e shkelja për asnjërin prej tyre, pasi do zhbëja vlerat e mia dhe të integritetit tim, por besoj se më është lejuar nga vetë ndërgjegjja ime, të piketoj momente dhe personazhe politikë për të krijuar një triller artistik. Ky roman është ndryshe nga letërsia e zakonshme, pasi duhet kuptuar në atë çfarë nuk thuhet sesa në atë që lexohet, e zeza mbi të bardhë. Shumë lexuesve mund t’i duket i rëndë në fjalor, me fjalë e përshkrime shokuese, por më besoni, nuk ka të krahasuar me çfarë realisht i rrethon lexuesit apo me ata të cilët bëjnë politikat e këtij vendi.

Vini me një botim të ngjashëm pas një autori-politikan si Blushi nën të njëjtën gjini letrare. Çfarë ju bashkon dhe ju ndan në këtë trajtesë?

Besoj që jemi në stile të ndryshme dhe transmetojmë mesazhe të ndryshme. Kryeministri i Blushit mbart një figurë të caktuar politikani, ndërsa politikani i romanit tim nuk synon postin e kryeministrit, atij i jepet, ai thjesht e pranon si një ofiq që i përket natyrshëm dhe lufta e tij nuk është me pushtetin, por me hijet brenda vetes, me konfliktin midis kotësive dhe gjërave të çmuara në jetë, midis fitores dhe humbjes së shpirtit, midis arrogancës dhe rënies tragjike. Me fjalë të tjera, beteja e vazhdueshme e brendshme e njeriut që nga krijimi i kohërave. Pyetja me të cilën unë e lë çdo lexues, të thjeshtë apo politikan, është nëse ia vlen apo jo? Ia vlen të humbasësh shpirtin dhe vlerat e vërteta për beteja të kota?!

Në syrin tuaj, si është jeta e një politikani shqiptar që bëhet kryeministër?

Personazhi kryesor përshkruhet ndryshe nga lloji tipik i politikanit ballkanik, por gjithçka që e rrethon është shumë e ngjashme me realitetin shqiptar. Vetëm ai është ndryshe, ose të paktën mendon se është i tillë, sepse fundja ai është thjeshtë një njeri, i cili lufton me demonët e tij si çdo qenie tjetër njerëzore në botë. Ai ngrihet lehtë dhe po aq lehtë rrëzohet. Dhe kjo thjeshtësi tragjike vihet edhe më në pah kundrejt një personazhi emblemë në jetën reale dhe po ashtu në libër, i cili është Ismail Kadare. Mjeshtri Kadare nuk është personazh i rastësishëm në këtë roman. Ai shërben si një standard i palëvizshëm universalizmi. Një standard, të cilit ata politikanë shqiptarë që kanë shkuar e ata që do të vijnë nuk do i afrohen kurrë. Jeta e personazhit tim është e mbushur plot enigma, eros, inteligjencë dhe sharm, por mbi të gjitha me meditim dhe humbje.

Sa të vërteta ka ky libër i sjellë si roman letrar?

Asnjë të vërtetë, njëkohësisht gjithçka të vërtetë. Ky është luksi që ka çdo njeri i penës. Luan me kuriozitetin e lexuesit. E josh atë me cekjen e frikës më të madhe që ai apo ajo ka. Njëkohësisht përshkruan ndonjë figurë, këtë rast, ndonjë politikan, me natyrën e tij të vërtetë, në një kontekst të caktuar. Dikur, mjeshtrit e mëdhenj të artit, teksa i kërkohej të pikturonin tematika të krishtera, Judën e portretizonin gjithmonë me fytyrën e ndonjë sharlatani apo njeriu të urryer në qytet, apo Shën Marinë me fytyrën e një prostitute.

Të tillë gjenden në këtë roman. Kam njohur shumë njerëz fisnikë në politikë, të cilët meritojnë jo vetëm të punosh për ata, por edhe t’i dedikosh ca rreshta letërsie, sikurse edhe shume klounë që meritojnë të mbajnë turpin e përjetshëm të një romani.

Çfarë ka intriguese në libër që lexuesit duhet ta shfletojnë?

Libri është konceptuar si një film. Ulesh e lexon, të trondit dhe të mbetet në kujtesë apo edhe në kthinat e errëta të ndërgjegjes. Ndonjëherë e vërteta është më trilluese sesa letërsia. Unë kam përshkruar një të vërtetë tejet trilluese dhe një trillim tejet real. Gjithkush do gjejë veten diku në rreshta apo do njohë dikë të afërm në ndonjë faqe. Një gjë ju siguroj: është tronditës dhe do ndaheni nga libri me shumë pyetje në kokën tuaj. Përgjigjet gjithsecili do i japë sipas perceptimit të tij. Romani është i mbushur me grimca hije të errëta të natyrës njerëzore, por edhe me një burim drite. Shpresoj që shumë lexues do arrijnë ta dallojnë dritën dhe jetën midis faqeve të këtij libri.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 121

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top