Editorial

March 15, 2018 | 12:46

Sikur ta donim natyrën, po aq sa dhe kafshët!

Ndonjëherë më bëhet të them me të madhe se Tirana po kthehet në një qytet qensh, e jo njerëzish. Tani sapo e bëra publike një mendim të tillë, e më duhet ta mbroj, sigurisht… Rruga, e cila tanimë më pëlqen të shkel më shumë, është pikërisht ajo, më e reja përuruar në Tiranë, “Rruga e Kosovarëve”.

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Kjo ngaqë hapësira, gjatësia e saj, gjerësia e trotuareve, e ndonjë aksesor tjetër shtesë, duket se më japin një dimension tjetër. Mbi të gjitha nuk është më e nevojshme të përpiqem në shtigje të vështira rruginash a trotuaresh të punuara keq, si në një labirint pasqyrash nga nuk di se ku duhet të dalësh, në zonën ende të re ku ndaj 15 vite të bashkëjetesës sime, por që në fund të fundit mbetet një aneks i ri i lagjes së vjetër ku kam lindur.

Kjo është rruga ku shëtitjet shndërrohen në pikëtakime idesh. Lindin prej aty projekte dhe zgjidhje perfekte. Mendimi shtrohet, përpunohet duke u zhvilluar më me lehtësi falë oksigjenit që shtohet sa më shumë i largohesh “Komunës së Parisit”. Gjithçka ndihet ndryshe si me thikë. Kjo edhe sepse Liqeni Artificial arrin ta klimatizojë mirë këtë hapësirë. Por si gjithmonë, në çdo rast e në çdo vend, çdo e mirë e ka një të keqe. E dikund tjetër dua të ndalem. Ndërsa investimet riprekën Tiranën, dhe kjo është gjë e mirë, duhet thënë se medalja ka dhe një anë tjetër jo fort të shndritshme, madje të njollosur fort më së shumti. Kryeqendrën e kanë në vëmendje të gjithë, për të jetuar më së shumti, por jo pak prej banorëve të saj ia zbehin vlerat duke e keqtrajtuar atë.

Trumbetohet shpesh se diçka e prishur duhet ndrequr. Problematika ndeshen kudo, por asnjëherë nuk niset nga vetja. Në vend që ta ruajmë pronën e përbashkët, vazhdojmë ta përdhosim atë, e shkelim për keq të mirën. Në këtë rrugë të re, pra “Rruga e Kosovarëve”, të paktën duhet të rezistonte rinia e saj. Por ashtu siç duket (për këdo që nuk beson mund ta bëjë një xhiro asaj ane) vetëm pak muaj pas përurimit, në diametrin e plotë të saj, ku në njërën anë janë pallatet e në anën tjetër pjesa e gjelbër, investimi është nëpërkëmbur.

Edhe pse janë aty tabelat orientuese, kazanët e hedhurinave, vijëzimet për këmbësorët, trotuaret e gjithçka nevojitet, ndihet qartë shija e hidhur e përdhosjes. Nëse ndërgjegjja është ajo që e bën dhe e përfaqëson njeriun, duket se po t’i referohesh kësaj rruge, vështirë të gjesh zbatimin e saj. Ndërsa sheh gjithçka hedhur në tokë, qese, ambalazhe patatinash e lëkura bananeje, ajo që ta pështiros më shumë ka të bëjë me jashtëqitjen e qenve. Ato gjenden në çdo hap. Rruga është e ndotur masivisht prej tyre. Të duhet të shmangesh vazhdimisht, ta bësh rrugën me pengesa, apo ta lësh fare atë shëtitje djalli që të del prej hundësh, dhe detyrohesh të kthehesh andej nga ke ardhur.

Në kundërshti me dashurinë për kafshën, sikur po këta njerëz të kishin po kaq edhe për natyrën, nuk do të ishte aspak keq. Ose më saktë do të ishte shumë më mirë. Edhe jetën do të na e bënte më të lehtë. Duke mos lënë jashtë vëmendjes hapësirën e gjelbër, mund të them me plot gojë se ajo është shëmtuar sa nuk ka ku të vejë, e më saktë, është shndërruar në tualet publik në ajër të hapur. Dhe po ta lëmë mënjanë ndotjen, e të pajtohemi nga halli me ndotësinë që na i bëjnë vend e pa vend këto kafshë shtëpiake e fort besnike, të cilat dashur pa dashur janë bërë pjesë e jetës humane, nuk i shmangemi dot tjetrës.

Qen të gjithfarë racash, kone të vegjël e grindavecë dhe bulldogë sa një gomar, lëvizin lirshëm nëpër këmbët e njerëzve, herë me ndonjë litar elegant rreth qafës, e herë pa atë fare, krejt pa maska, në kundërshtim të plotë me çdo urdhëresë bashkie. Dhe kjo krijon fobi te shumë njerëz të tjerë, që nuk i duan qentë as t’i kenë në shtëpi për relaks, e as t’u ngatërrohen nëpër këmbë sa herë të zotërit ua lëshojnë kapistallin. Kaq për këtë kapitull.

E së fundi, përpara se të nxisim masa, norma frenimi e ndonjë gjë tjetër të trumbetueshme, e mira është t’ia nisim nga kultura qytetare. Ajo që na bën kaq të lirshëm në sjellje me kafshën, të mund ta përcjellim për një mjedis të shëndetshëm edhe për veten.

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com