FB

March 1, 2024 | 18:02

Dr. Fatbardha Xhani: Nga afër askush nuk është normal!

Mjekja psikiatre, Fatbardha Xhani Myslimaj. Trajtim i dedikuar dhe individualizuar bazuar në simptomat që prezanton i sëmuri, historinë e sëmundjes së tij, si dhe përzgjedhja e skemave adeguate të mjekimit, për të arritur përmirësimin sa më të shpejtë të gjendjes psiko-emocionale dhe rikthimin në gjendje të stabilizuar. E gjeni në Klinikën Vera-Virhov.

dr

 

 

 

Në profesionin si mjek psikiatër, përballemi shpesh me vështirësi të natyrave të ndryshme, për këtë arsye është e nevojshme të përdorim shpesh mekanizma në zgjidhjen e vështirësive.

● Definicioni që përdoret në shëndetit mendor është: “Nga afër askush nuk është normal”. Kjo na bën të ndjehemi shumë afër njerëzve që shpesh pyesin veten: A jam normal?… Universaliteti dhe relativiteti janë ngushëllimet më të mëdha të njeriut, në raste ngjarjesh traumatike. Kështu sa herë na ndodh një ngjarje që na lëndon, shohim rrotull nesh, nëse dhe të tjerë njerëz kanë të njëjtin problem, ndjehemi të lehtësuar. Biseda me pacientët është pjesë e bukur e jetës time. Dua që në këtë bashkëbisedim të ndjehem bashkë me pacientët dhe t’u tregoj se jam njeri si ata, me dhimbjet dhe gëzimet e mia, thjeshtë me ca njohuri më shumë për t’i ndihmuar ata. Në këtë mënyrë krijohet marrëdhënia empatike gjatë intervistave psikiatrike. Dhe më pas gjithçka është e lehtë… 

 

● Vështirësitë janë të shumta, të karakterit profesional, personal dhe interpersonal. Duke qenë se shëndeti mendor nuk është vlerësuar njësoj si ai fizik ndër vite, të sëmurët mendorë janë margjinalizuar me termat “i çmendur”, ” i lojtur”. Madje ka ndodhur që edhe mjekët psikiatër janë margjinalizuar duke u parë ndryshe nga mjekët e specialiteteve të tjera. Fatmirësisht kohët e fundit i kushtohet rëndësi disi më e veçantë “kujdesit të mendjes”, dhe kjo ka sjellë një lloj ndërgjegjësimi të shoqërisë në mënyrën se si i sheh dhe i trajton të sëmurët me çrregullime të shëndetit mendor, shenjat dhe simptomat e tyre, por edhe ne mjekëve psikiatër. 

 

● Si profesioniste, në rastet klinike që paraqiten, disa nga problematikat që kemi ndeshur më shpesh te pacientët janë: stigma, marginalizimi social, problemet socio-ekonomike, braktisja shpirtërore dhe financiare, trajtimi empirik dhe jo të individualizuar, mungesa e shërbimeve sociale mbështetëse efikase dhe lehtësisht të disponueshme. Stigma përfshin jo vetëm pacientët por edhe punonjësit e kujdesit të shëndetit mendor. Problemet social-ekonomike ndikojnë shumë në trajtimin e pacientëve sidomos të atyre që kanë nevojë për terapi me barna psikotrope dhe që kushtojnë, pasi mjekimet e mëparshme nuk kanë dhënë efektin e nevojshëm. Nga ana tjetër të sëmurët me çrregullime të shëndetit mendor janë të braktisur nga njerëzit e afërt, të cilët nuk munden të kujdesen për ta dhe nuk kuptojnë sëmundjen e tyre, një problem ky që lind gjatë bashkëpunimit me njerëzit e afërt. Vihet re mungesa e ndërgjegjësimit të familjarëve të të sëmurit për sëmundjen që ka njeriu i tyre i dashur. Kjo sjell për pasojë mjekimin jo të përshtatshëm, riakutizimin dhe përkeqësimin e shenjave të sëmundjes mendore. Ka raste kur të sëmurët vijnë mjaft vonë pasi kanë shkuar nëpër vende të ashtuquajtura “të shenjta”, njerëz të cilët i kanë premtuar shërimin, kur problemi është kronicizuar dhe mjekimi është shumë i vështirë.  

 

● Nga rastet që kërkojnë ndihmë psikiatrike duket sikur qenia njerëzore ka tendencën t’i ndërlikojë gjërat më shumë se ç’janë në të vërtetë. Në fakt marrëdhëniet njerëzore janë më të ndërlikuara se ligjet e natyrës dhe përgjithësisht derisa ato karakterizohen nga nuanca emocionale të fuqishme, është e qartë që ato nuk mund të jenë një tabelë e thjeshtë matematikore, por produkt i rrethanave dhe marrëdhënieve ndërpersonale shumë të ndërlikuara që evoluojnë vazhdimisht dhe që mund të shpjegojnë edhe absurditete të tipit: “unë i them gruas time në mëngjes; mos ta pafsha bojën… dhe në darkë: ti je thesari i jetës time!”… Në këtë kontekst është një tendencë e vazhdueshme për të ndërlikuar situatat dhe problemet. Por nuk mendoj se ndërlikimet duhet të lajtmotivojnë jetën e përditshme, e cila kësisoj do të shihet bardhë e zi. Në fakt, ka më shumë se kaq…

Koloriti i jetës duket sikur pengon, ndërkohë që është ai që jep kuptimin e së sotmes dhe ëndrrën e së nesërmes.

 

● Ndodh që njerëz të ndryshëm të kenë perceptime të ndryshme për të njëjtën situatë apo ngjarje, dhe kjo ka të bëjë me backgroundin e tyre kulturor, botëkuptimin që kanë për jetën, gjendjen shpirtërore të çastit. Siç ka thënë Fernando Pessoa: Ajo që shikojmë nuk është ajo që shikojmë, por ajo që jemi. Kjo gjë jo vetëm që i jep nuanca të ndryshme të njëjtës gjë të përjetuar, por edhe ndodh që interpretimi i të njëjtit fakt të jetë diametralisht i ndryshëm. Gjendja shpirtërore, predispozita, paragjykimet dhe arsimimi, sfondi kulturor dhe shtresa sociale të cilës i përkasim, që të gjitha ndikojnë fuqimisht në parapërcaktimin e një mënyre me të cilën ne i shikojmë gjërat dhe reagojmë ndaj rrethanave.

 

● Nisur nga përvojat klinike psikiatrike disa sugjerime për lexuesit, disa nga strategjitë që mund të përdorim për ta thjeshtuar jetën dhe përditshmërinë janë: argëtimi, ventilimi i emocioneve, heqje dorë nga detalizimi pathologjik i rrethanave dhe situatave, të kënaqurit me atë qe ke, frekuentimi sa më shumë i aktiviteteve artistike ose intelektuale të cilat relaksojnë mendjen edhe trupin, aktiviteti fizik, ushqimi i shëndetshëm…. Argëtimi është domosdoshmëri për të shpenzuar kohë dhe për të marrë energjitë pozitive të çasteve të jetuara bukur. Duke rikujtuar gjithçka kemi bërë gabim ne ndjehemi keq me veten dhe e gjykojmë atë duke harruar se askush nuk është i pagabueshëm dhe se gabimet korrigjohen. Në këtë kuptim detalizimi i tepërt i momenteve jo të këndshme sjell vetëgjykim të tepruar dhe gjendje humori negativ në marëdhenie me veten, ambientin dhe njerëzit. 

Frekuentimi i një teatri, aktiviteti operistik, promovime librash dhe vizita në galeri pikturash, do të ishin rekomandime mjaft efikase për të bere të cilësishme dhe të thjeshtë përditshmërinë tonë. Gjithashtu rekomandim i vlefshem do të ishte marrja me aktivitete fizike shoqërizuese periodike disa herë në javë. Aktualisht dietologët kanë filluar të kenë mjaft punë në rekomandimin e ushqimit të shëndetshem. Kjo vlen jo vetëm për ruajtjen e linjave fizike vizuale, por edhe për funksionim të mirë psikik. Meditimi, të shohësh thellë brenda vetes, të kuptosh çfarë je dhe çfarë dëshiron në të vërtetë, të bën të kuptosh hapësirat e tua dhe t’i vësh në balancë me mundësitë. 

 

Kështu duke kujtuar nga vjen, duke shikuar ku je, do të kuptosh edhe ku dëshiron të shkosh….

 

Adresa: Klinika Vera-Virhov, Rruga “Islam Alla”, Tiranë

tel: 0686064 320 – 04-222 6441

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top